Gjykata Komunale e Kaçanikut ka refuzuar kërkesën e Xhabir Zharkut që të mos shkojë në vuajtje të dënimit me arsyetimin se e ka nënën e sëmurë, se ka çështje afariste për të përmbyllur dhe se është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë. Të martën, Zharku nuk është gjetur në shtëpi për t’ia dorëzuar ftesën e gjykatës për të shkuar në vuajtje të burgut. Gjykata thotë se nëse ai nuk paraqitet nesër në gjykatë, do të përdoren "mjetet ligjore për ta sjellë në gjykatë”. Por, Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, thotë se Kaçaniku duhet të presë vendimin nga Prishtina."Sot kam refuzuar kërkesën e Xhabir Zharkut për të shtyrë ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme kundër tij. Ky vendim nënkupton që ai duhet të shkojë në burg por pasi ta pranon vendimin personalisht”, ka konfirmuar kryetari i Gjykatës Komunale të Kaçanikut, Ramadan Gudaçi, për Gazetën Jeta në Kosovë.
Por, të martën fletëdorëzuesi i Gjykatës Komunale të Kaçanikut nuk ka mundur t’ia dorëzojë vendimin Zharkut, pasi ai nuk ndodhej në shtëpi.
"Ne do të provojmë përsëri të mërkurën që t’ia dorëzojmë thirrjen për t’u paraqitur për shkuarje në vuajtje të dënimit”, tha Gudaçi.
Sipas tij, nëse deri nesër Zharku nuk do të pranojë ftesën për t’u paraqitur për fillimin e vuajtjes së dënimit, "atëherë do të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion”.
Gudaçi tha se Zharku ka të drejtë që të ankohet në vendimin e Gjykatës Komunale për refuzimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit. "Ankesa mund të bëhet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por kjo nuk na ndalon neve që të ekzekutojmë aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, sqaroi ai.
Por, Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë thotë se ankesa e Zharkut lidhur me refuzimin e Gjykatës Komunale për shtyrje të ekzekutimit, nënkupton që Gjykata Komunale duhet të presë vendimin nga Prishtina.
"Nëse ne marrim ankesë nga z. Zharku, atëherë Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka afat tri ditë të vendosë për atë ankesë”, tha Ibrahimi për Gazetën Jeta në Kosovë.
Edhe të martën, Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë përpjekje të kontaktojë Xhabir Zharkun duke i telefonuar, por sërish është përgjigjur Mërgimi, djali i madh i tij.
"Babai është i zënë dhe nuk mund të flasë”, tha ai.
Zharku ka dorëzuar të hënën pasdite në Gjykatën Komunale në Kaçanik kërkesën për shtyrje të shkuarjes në burg, me arsyetimin se ka nënën e sëmurë, ka çështje biznesi dhe se është në pritje të përgjigjes nga Gjykata Supreme e Kosovës, lidhur me ankesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.
Këto ankesa të martën i ka refuzuar kryetari i Gjykatës Komunale në Kaçanik.
Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus