Kryesore » 2012»Maj»6 » Zgjedhjet në Serbi, në dy orë, pjesëmarrja 6.6%
2:52 PM
Zgjedhjet në Serbi, në dy orë, pjesëmarrja 6.6%
Në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi duket se do të ketë një pjesëmarrje të lartë. Mediat vendase raportojnë se deri në orën 9:00 kanë votuar 6.6% e elektoratit. Kjo është shifra më e lartë e raportuar në tri ciklet e zgjedhjeve të fundit.Të dhënat tregojnë se në në vitin 2008 pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ka qenë 6.1%, në po të njëjtin vit në zgjedhjet presidenciale, 5% dhe në vitin 2007, në zgjedhjet parlamentare 4.6%.Sipas mediave serbe ende nuk ka asnjë të dhënë lidhur me qendrat e votimit të hapura nga OSBE-ja në territorin e Kosovës, në pjesët e banuara me popullsi serbe.
Raportohet se deri tani ka patur parregullsi të vogla, lidhur me hapjen e qendrave të votimit, por që nuk kanë ndikuar aspak në mbarëvajtjen e procesit zgjedhorë në Serbi.
Serbia voton sot në zgjedhjet e përgjithshme
Serbia, në orën 7 të mëngjesit, ka hapur vendvotimet, në të cilat 6,770,013 qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhje të përgjithshme.
Ata do të zgjedhin 250 deputetë të Parlamentit të ri Republikan, 120 deputetë të Kuvendit të Vojvodinës, përfaqësues dhe këshilltarë komunalë, si dhe presidentin e vendit.
Në mesin e 12 kandidatëve presidencialë janë Boris Tadiq dhe Tomisllav Nikolliq ata që thuhet se kanë më shumë gjasa për t’u përballur në balotazh.
Megjithatë, analistët thonë se kampi pro-evropian i Tadiqit ka më shumë shanse se blloku nacionalist i Nikolliqit të formojë koalicionin e ri qeverisës.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet finale të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në afat prej 96 orësh nga mbyllja e kutive të votimit, por deri atëherë do të dalë me rezultate preliminare.
Në bazë të marrëveshjes me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, qytetarët serbë të Kosovës do të votojnë për presidentin dhe parlamentin e Serbisë.
Të drejtë vote kanë 109,000 serbë të Kosovës dhe do të votojnë në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.
Serbët e veriut, megjithatë, janë zotuar se do të mbajnë edhe zgjedhjet lokale, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga Qeveria serbe dhe kundërshtimeve të ashpra të ekzekutivit kosovar.
Përfaqësuesit ilegalë të veriut kanë thënë se lokalet do t’i mbajnë ndarazi nga ato parlamentare dhe presidenciale.
OSBE-ja ka theksuar se nuk do të lehtësojë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus