Ndërsa po afron fundi i zgjedhjeve brendapartiake në PDK, në dy degë duket janë shfaqur probleme. Bëhet fjalë për Prishtinën dhe për Prizrenin. Ndërkohë kuvendet zgjedhore dje janë mbajtur në Gjakovë dhe në Ferizaj. Zgjedhjet në Degën e PDK-së në Prishtinë nuk janë mbajtur sipas datës së paraparë, më 15 dhjetor, dita kur kjo degë do ta zgjidhte Këshillin Drejtues, Kryesinë dhe kryetarin e saj.Shtyrja e zgjedhjeve sipas burimeve të gazetës "Tribuna Shqiptare”, është bërë për shkak të dallimeve brenda Degës, në lidhje me atë se kush duhet të jetë kandidat për kryetar.Burime të gazetës bëjnë të ditur se Dega e Prishtinës dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi janë ‘ndarë’ për emrin i cili do t’i prijë kësaj Dege në kryeqytet. Përderisa drejtuesit e Degës së Prishtinës këmbëngulin që kryetar i kësaj Dege të zgjedhet Lirak Çelaj, në anën tjetër, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi mbështetë Memli Krasniqin, i cili ushtron funksionin e Ministrit të Kulturës dhe Sportit.
Shpalljen e kandidaturës për kryetar të Degës në Prishtinë nga Lirak Çelaj dhe Memil Krasniqi e ka konfirmuar kryetari në largim i kësaj Dege, Ramadan Avdiu.
"Lirak Çelaj, Memli Krasniqi dhe Shemsi Veseli deri tani po pretendojnë të jenë kandidatë për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë. Ndërsa një gjë është e sigurt, se unë nuk do të hyjë në garën për kryetar”, ka thënë Ramadani. Ai ka mohuar të këtë favorizime nga ana e kryetarit të PDK-së apo anëtarëve të Kryesisë për kandidatët e mundshëm.
Kuvendi Zgjedhor i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, i caktuar për t'u mbajtur të dielën, më 16 dhjetor, është shtyrë për një afat të pacaktuar me kërkesën e kryetarit të këtij subjekti politik, Hashim Thaçi.
Burime brenda Degës së PDK-së në Prizren janë shprehur se Kuvendi nuk është mbajtur për të evituar përçarjet e mundshme për shkak të ambicies së shumë kandidatëve për të marrë udhëheqjen e Degës, zyrtarët e Degës theksojnë se prolongimi lidhet vetëm me pamundësinë e Thaçit për të qenë i pranishëm në këtë datë në Kuvendin e Degës.
Zëdhënësi i Degës së PDK-së, Samir Hoxha, ka thënë se pretendimi i disa kandidatëve për të marrë udhëheqjen e Degës nuk ka qenë shkas për prolongimin e procesit zgjedhor brendapartiak.
Afrimi i Kuvendit Zgjedhor të PDK-së në Prizren pati nxehur garën për kryetarin e Degës.
Por, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka marrë pjesë në Kuvendin IV zgjedhor të Degës së PDK-së në Gjakovë, ka thënë se zgjedhjet në PDK po demantojnë zërat se nga këto zgjedhje PDK-ja do të dalë e përçarë. Sipas tij, PDK-ja me këto zgjedhje i ka bërë një test vetes. Ai ka thënë se testi për çdo subjekt politik është atëherë kur merr guximin dhe organizon zgjedhjet partiake. Sipas tij, PDK-ja po dëshmon se është shumë unike dhe më e kompletuar dhe e përgatitur për sfida dhe përgjegjësi.
Në Ferizaj, pas një procesi të gjatë të zgjedhjeve nëpër nëndegë, i cili shpesh është përcjellë me një garë në mes të dy grupeve, të tubuara rreth kandidaturave, të pashpallura zyrtarisht, për kryetar të Degës së PDK-së, Agim Aliut dhe Xhabir Morinës, të dielën, është mbajt Kuvendi i katërt zgjedhor i kësaj Dege.
"Do të ishte më mirë të kishte debat jo vetëm sot në kuvend, por edhe nëpër kuvendet e nëndegëve, sikurse mendoj dhe e kam thënë edhe në Kryesi se do të ishte më mirë që kandidaturat për kryetarë të Degës të ishin bërë publike dhe zyrtare dhe sikur të kishim edhe programet e tyre të punës”, u shpreh për gazetën Besim Zymberi, anëtar i Kryesisë së deritashme të Degës dhe nënkryetar i Komunës së Ferizajt. Kurse gjatë procesit të zgjedhjeve Xhabir Morina pati ngritur akuza se "procesi po shantazhohej nga pala rivale dhe se po përdoreshin metoda të përfitimit të njerëzve qoftë me joshje apo me kërcënime”. Agim Aliu pati thënë se këto zgjedhje po mbahen në frymën "alla amerikançe” dhe se "po ndeshen fryma e të vjetërve me atë të të rinjve në parti”.
Deri në orët e vona të pasdites vazhdoi procesi i votimit, kurse mbeti e hapur kureshtja se kush do të fitonte për anëtarë të KD-së, sepse të dy grupet kishin "delegatët” e tyre të preferuar.
Sipas zyrtarëve të Degës së PDK-së, nuk dihet ende saktësisht se kur do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues e cila do ta nxjerrë, sipas Statutit, Kryesinë e re e pastaj ajo, edhe kryetarin.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus