Kryesore » 2012 » Prill » 17 » Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit në qeverinë kroate
3:09 PM
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u prit në qeverinë kroate
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Edita Tahiri është pritur në Qeverinë kroate, në takime të ndara, nga z. Neven Mimica, Zëvendëskryeministër për Çështje të Brendshme, të Jashtme dhe Evropiane si dhe me znj. Vesna Pusić, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë. Në takimin e gjatë dhe miqësor mes Zëvendëskryeministres së Kosovës, znj. Tahiri dhe Ministres së jashtme të Kroacisë, znj. Pusic është biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, për agjendën euro-atlantike të të dyja vendeve dhe bashkëpunimet rajonale. Duke u falënderuar për pritjen miqësore dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për shtetin e Kosovës, Zëvendëskryeministrja shprehu angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët si dhe në bashkëpunimet multilaterale. Zonja Tahiri tha se të dy vendet dhe dy popujt tona ndajnë një histori të përbashkët të luftës për vetëvendosje dhe krijim të shteteve të pavarura dhe në këtë kohë na bashkon vizioni euro-atlantik dhe prosperiteti të rajonit. Ajo po ashtu tha se fokusi i bashkëpunimit në mes të dy vendeve do të jenë diplomacia, ekonomia, energjia, infrastruktura dhe reforma e administratës publike. 

Zëvendëskryeministrja Tahiri në veçanti foli për vizionin euro-atlantik të Kosovës duke theksuar përmes shtetndërtimit demokratik të vendit tonë synojmë dy qëllime të menjëhershme, që Kosova të bëhet një shteti i suksesshëm dhe që sa më shpejtë të marrë vendin e merituar në NATO, BE, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare. Ajo vuri në pah përparimet Kosovës në integrimet evropiane duke thënë se Kosova hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me BE-në përmes procesit të Stabilizim Asocimit që filloi me studimin e fizibilitetit, si dhe theksoi rëndësinë e një angazhimi më të madh të BE-së për Kosovën veçmas për liberalizimin e vizave.

Në vazhdim, znj. Tahiri uroi qeverinë kroate për nënshkrimin e Traktatit për pranim të Kroacisë në BE duke thënë se Kroacia mund të shërbej si një shembull i mirë për të gjitha vendet e rajonit të cilat synojnë integrimin në BE. Ajo tha se beson se kjo dekadë do të jetë dekada e integrimit të gjithë vendeve të rajonit në BE dhe NATO.

Duke folur për aspektin e sigurisë, znj. Tahiri tha se Kosova po e zhvillon arkitekturën e sajë të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe synon që sa më parë të bëhet vend anëtar i NATO-s dhe poashtu kërkoi mbështetjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në "Kartën e Adriatikut”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Republika e Kosovës është dëshmuar se është një faktor stabiliteti në rajon, ajo shtoi se përshpejtimi i integrimit të gjithë shteteve të rajonit në BE do të kontribuojë për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e saj Ministrja e jashtme znj. Pusić, shprehu kënaqësi dhe konsiderata të larta që e takon Zëvendëskryeministren Tahiri, ajo tha se është një nder i veçantë për të që ta pres një personalitet historik që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për vendin e saj dhe për rajonin.

Ministrja e Jashtme Znj. Pusić tha se përgëzon Qeverinë e Kosovës për reformat e suksesshme të ndërmarra dhe poashtu për përparimet që i ka bërë Kosovë në rrugën e saj drejtë BE-së dhe NATO-s.

Poashtu Ministrja Pusić u angazhua për thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Kroacisë si dhe ofroi mbështetjen e vendit të saj për ardhmërinë evropiane të Kosovës.

Znj. Pusić tha se Kroacia e mbështetë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe se Kosova e ka vendin në BE dhe NATO duke shtuar se integrimi i rajonit në strukturat euroatlantike do ti ndihmojë stabilitetit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.

Gjatë këtij takimi po ashtu u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit për të mirën e mbarë rajonit dhe se Kroacia ka mirëpritur pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në mekanizmat rajonal. Rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim dhe stabilitet dhe se dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë i kontribuon këtij qëllimi, u tha në takim.

Gjithashtu u tha sa minoritetet janë vlerë e rëndësishme në marrëdhëniet mes vendeve dhe se pakica kroate që jeton në Kosovë dhe ajo shqiptare në Kroaci janë ura të rëndësishme në mes të dy vendeve, si dhe u shpreh zotimi për përmirësimin e pozitës dhe mirëqenjës së komunitetit kroat në Kosovë.

Pas takimit, të dy zyrtaret kanë mbajtur një konferencë për media si dhe Ministrja Pusic ka shtruar një drekë zyrtare për nderë të zëvendëskryeministres Tahiri.

Gjatë ditës, zëvendëskryeministrja Tahiri zhvilloi takim me Zëvendëskryeministrin Neven Mimica, ku të dy palët u zotuan për avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes të Kosovës dhe Kroacisë si në kuadrin bilateral poashtu në atë multilateral. Z. Mimica tha se Kroacia e mbështetë fuqishëm perspektiven euroatlantike të Kosovës dhe se këtë mbështetje do ta bëjë edhe përmes shkëmbimit të eksperiencave për agjendën evropiane.

Në vazhdim të takimeve Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është pritur edhe në Parlamentin e Kroacisë nga anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Republikës së Kroacisë, ku është takuar me z. Milorad Pupovac, kryetari i këtij komisioni dhe anëtarët z. Tonino Picula dhe z. Davor Božinović.

Në takime ishin prezent edhe Ambasadorët e Kosovës dhe Kroacisë, z.Valdet Sadiku e z. Zoran Vodopija.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus