Kryesore » 2012 » Maj » 20 » Vret bashkëshorten dhe fle një natë me kufomën
5:49 AM
Vret bashkëshorten dhe fle një natë me kufomën
Histori horrori në fshatin Zhur të komunës Ndroq të rrethit të Tiranës, ku Ylli Mansaku, pasi vrau bashkëshorten me të cilën kishte tre fëmijë, fjeti në shtëpi me trupin që dergjej e gjakosur dhe pas 33 orëve nga momenti i krimit, njoftoi të afërmit për ngjarjen. Kjo e ndodhur më 19 dhjetor 2011, ku i pandehuri pas 35 viteve martesë me shtetasen Shpresa Mansaku, e vret këtë të fundit me 6 plumba "Kallashnikovi”. Ai ka pretenduar gjatë hetimit se vrasjen e kishte kryer pa dashje.Por, prokurori i çështjes Ervin Karanxha, pas hetimeve të kryera ka arritur në konkluzionin, se 54-vjeçari e ka vrarë me dashje bashkëshorten e tij. Kjo erdhi pas shumë grindjeve dhe kontradiktave mes tyre. Këtë konkluzion mbështesin edhe fëmijët e të pandehurit dhe njëri nga vëllezërit e këtij të fundit, duke treguar se 54-vjeçari, jo vetëm që ushtronte dhunë ndaj saj, por edhe e tradhtonte me një grua tjetër brenda ambienteve të shtëpisë ku jetonin prej vitesh vetëm. Dosja ndaj të pandehurit Mansaku, tashmë ka mbërritur pranë Gjykatës e Tiranës, ku 54-vjeçari do të gjykohet për akuzat e "vrasjes me dashje” dhe "armëmbajtjes pa leje”.

Sipas dosjes që "Shekulli” ka siguruar një kopje, mësohet se i Ylli Mansaku këtu e 35 vite më parë ishte martuar me shtetasen Shpresa Mansaku, me të cilën kishte tre fëmijë. Prej vitit 2007 çifti Mansaku, jetonte vetëm në shtëpinë private në fshatin Zhur të komunës Ndroq, pasi dy djemtë kishin emigruar dhe vajza ishte martuar. Por, ajo që është provuar nga hetimi, është fakti se i pandehuri 54-vjeçar prej vitit 1994 kishte krijuar një lidhje intime me një grua tjetër, me të cilën kryente edhe marrëdhënie seksuale në prani të 54-vjeçares tashmë të vrarë dhe fëmijëve, kur këta ishin të vegjël. Kjo lidhje ishte bërë shkak që mes çiftit të kishte probleme, çka viktima 54-vjeçare ishte bërë edhe objekt i kërcënimeve dhe keqtrajtimit fizik.
Në vitin 2002, sipas dosjes, i pandehuri së bashku me të dashurën e tij, e kishin qëlluar me gurë në kokë viktimën që ndodhej në bahçen e shtëpisë, e cila ishte detyruar të mjekohej nga dëmtimet. Kulmi ka arritur pasditen e 19 dhjetorit 2012, konkretisht aty rreth orës 16:30 minuta, kur i pandehuri ishte kthyer në shtëpi. Pas një debati mes tyre, 54-vjeçari ka nxjerr armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës me breshëri, duke e lënë të vdekur me 6 plumba në trup. Në momentin e goditjes, viktima ndodhej në verandën e shtëpisë. Pasi ka konstatuar vrasjen, Mansaku e ka mbuluar trupin e bashkëshortes me batanije dhe është larguar rreth 300 metra nga shtëpia. 40 minuta më vonë, i pandehuri është kthyer në shtëpi, ka marr në krah bashkëshorten dhe e ka vendosur në krevat. Në zgavrat e shkaktuara nga plumbat, i pandehuri ka vendosur pambuk dhe e ka mbuluar trupin. Më pas, ka larë gjakun që ndodhej në verandë dhe ka mbledhur gëzhojat e armës. Pasi ka bërë të gjitha këto veprime, ka rënë për të fjetur. Në mëngjes herët është ngritur dhe ka dal në fshat për kafe, duke u kthyer në banesë rreth orës 17:00. Dy orë më pas, ka njoftuar vëllezërit për krimin. Këta të fundit, kanë njoftuar fëmijët e çiftit dhe aty rreth orës 20:30 është lajmëruar policia, e cila e ka arrestuar autorin.


Mansaku: E qëllova pa dashje, po pastroja armën

Ylli Mansaku, para hetuesve të çështjes ka mohuar se vrasjen e ka kryer me dashje, duke pretenduar se shkrepja është bërë, duke menduar se arma kishte të vendosur siguresën. "Kur jam kthyer në shtëpi, kam marr automatikun për ta pastruar dhe ia kam drejtuar gruas, duke i thënë "të vrava” për shaka, pasi e dija që armës ia kisha vendosur siguresën. Por, fatkeqësisht arma nuk ishte në siguresë dhe kam tërhequr këmbëzën, duke qëlluar pa dashje gruan. Në momentin që është rrëzuar gruaja, më ka thënë "Yllo më vrave” dhe ndërroi jetë. Kisha frikë dhe ika nga shtëpia pasi e mbulova me batanije. Pas 30 minutave jam kthyer se po binte shi, e kam ngritur në krah gruan e kam vendosur në shtrat dhe më pas kam fshirë verandën pasi kishte gjak dhe kam hedhur gëzhojat pas gardhit rrethues. Të nesërmen kam njoftuar vëllezërit, fëmijët dhe policinë ku jam dorëzuar”, – mësohet se ka thënë i pandehuri para hetuesve. Në dëshminë e saj, vajza ka treguar edhe bisedën me babanë, në momentin që kjo e ka pyetur pse e vrave nënën. Sipas deklarimit, i pandehuri është shprehu "e vrava se kështu më donte …”.

Vajza dhe djemtë akuzojnë babanë

Vajza dhe djemtë e të pandehurit, gjatë deklarimeve të tyre, kanë akuzuar direkt babanë për vrasje, duke denoncuar njëherazi edhe tradhtinë bashkëshortore dhe dhunën sistematike që 54-vjeçari ushtronte ndaj nënës së tyre. Po të njëjtin qëndrim, mësohet se para prokurorisë ka mbajtur edhe njëri nga vëllezërit e të pandehurit, i cili ka treguar "rrëfimin” e viktimës pak muaj para se bashkëshorti ta vriste.


"Kallashnikovin” Mansaku e kishte blerë 30 mijë lekë

Në momentin e arrestimit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën e krimit, një automatik e llojit "Kallashnikovë” të cilën i pandehuri ka pretenduar se e kishte blerë 30 mijë lekë të reja në Shijak, vetëm 8 muaj para krimit. Në oborrin e shtëpisë dhe për rreth gardhit rrethues, policia ka gjetur edhe 6 gëzhojat që i pandehuri i kishte hedhur dhe gjurmët e gjakut të viktimës, në verandë të cilën e kishte pastruar 54-vjeçari.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus