Kryesore » 2012 » Maj » 6 » Votimet në Kosovë - pa probleme
12:20 PM
Votimet në Kosovë - pa probleme
Votimi për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë po zhvillohet pa probleme. Të 90 vendvotimet në 28 lokacione janë hapur në orën 8:15 të mëngjesit.Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, Nikolla Goan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qytetarët kanë nisur të vijnë në vendvotime."Sipas informacioneve që marrim nga terreni, numri i votuesve, në varësi të lokacionit, është më i madh ose më i vogël, por njerëzit vijnë dhe votojnë”, ka thënë Gaon.Votimi mësohet se po rrjedh normalisht edhe në veri të Kosovës, përkatësisht në 13 lokacione atje.Deri më tash, nuk është shënuar asnjë incident dhe në çdo lokacion është e pranishme edhe Policia e Kosovës.

Kjo e fundit, megjithatë, ka plan të detajuar për parandalimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë, të cilat është thënë se do të mbahen në Zubin Potok dhe Zveçan, me gjithë kundërshtimet e institucioneve të Kosovës, atyre ndërkombëtare por edhe vërejtjet e Beogradit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se policia i ka dy opsione lidhur me faktin se si do t’i qaset çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës.

"Sa u përket zgjedhjeve lokale, mund të them se ato edhe ashtu njihen si jolegjitime për procesin legjitim. Ne kemi dy mundësi, në këtë rast për të reaguar dhe t’i ndalojmë ato si të tilla, në rast të cenimit të sigurisë, apo thjeshtë t’i injorojmë si ngjarje, të cilat konsiderohen si ngjarje pa ndodhi. Thjeshtë, të injorohen”, ka theksuar Hoti.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që në vendvotimet t e ligjshme, ku është OSBE-ja – nëse aty ka përpjekje për të mbajtur zgjedhjet lokale, atëherë ato vendvotime do të mbyllen dhe procesi do të shpallet i mbyllur.

Në anën tjetër, Kërstimir Pantiq, kryetari paralel i Mitrovicës ka thënë se pret që zgjedhjet serbe të sotme, të kalojnë pa probleme sa i përket situatës së sigurisë, por megjithatë, ai ka theksuar se tashmë janë vërejtur disa probleme me listat zgjedhore, dhe ka kritikuar OSBE-në për, siç ka thënë organizim jo të mirë të zgjedhjeve.

"Është fakt se një numër i madh i qytetarëve nuk janë përfshirë në listat e votuesve dhe se ka mjaft probleme. Përfaqësuesit e OSBE-së vështirë gjinden në vendvotime dhe kjo me siguri do të çojë deri te ajo që dalja në votime do të jetë shumë më e vogël se sa që është interesimi i qytetarëve për këto zgjedhje, dhe kjo në njëfarë mënyre e vë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Pantiq.

Ndërkaq, kryetari paralel i Zveçanit, Dragisha Milloviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se votimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në këtë komunë kanë nisur pa probleme, ndërkohë që sipas tij, kanë nisur votimet edhe për zgjedhjet lokale.

"Sipas informatave që kam unë, zgjedhjet kanë nisur me kohë dhe pa probleme të mëdha. Probleme nuk ka pasur deri më tash dhe po shpresojmë që kështu do të vazhdojë deri në fund të ditës”.

"Pa probleme kanë nisur edhe votimet për zgjedhjet lokale. Do të thotë, në këto votime nuk ka vëzhgues të OSBE-së. Unë nuk pres probleme as për zgjedhjet lokale, sidomos duke pasur parasysh që sot është festa e Shën Gjergjit dhe pres që gjithçka të përfundojë në atmosferë të qetë, tolerante dhe demokratike”, ka thënë Milloviq.

Ndryshe, për mbikëqyrjen e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare, në Kosovë janë të angazhuar rreth 500 shërbyes të OSBE-së, të cilët do të përcjellin votimet e rreth 109,000 qytetarëve serbë me të drejtë vote.


Serbia voton në zgjedhjet e përgjithshme


Serbia, në orën 7 të mëngjesit, ka hapur vendvotimet, në të cilat 6,770,013 qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhje të përgjithshme.

Ata do të zgjedhin 250 deputetë të Parlamentit të ri Republikan, 120 deputetë të Kuvendit të Vojvodinës, përfaqësues dhe këshilltarë komunalë, si dhe presidentin e vendit.

Në mesin e 12 kandidatëve presidencialë janë Boris Tadiq dhe Tomisllav Nikolliq ata që thuhet se kanë më shumë gjasa për t’u përballur në balotazh.

Megjithatë, analistët thonë se kampi pro-evropian i Tadiqit ka më shumë shanse se blloku nacionalist i Nikolliqit të formojë koalicionin e ri qeverisës.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet finale të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në afat prej 96 orësh nga mbyllja e kutive të votimit, por deri atëherë do të dalë me rezultate preliminare.

Në bazë të marrëveshjes me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, qytetarët serbë të Kosovës do të votojnë për presidentin dhe parlamentin e Serbisë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus