Kryesore » 2012 » Maj » 6 » Vllasi:Luftë psikologjike kundër shqiptarëve
2:49 PM
Vllasi:Luftë psikologjike kundër shqiptarëve
Serbia dhe Maqedonia po veprojnë si aleatë duke bërë luftë psikologjike ndaj shqiptarëve. Analisti Azem Vllasi vlerëson se situata e krijuar ditëve të fundit nuk ka potencial për një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, ndërkombëtarët kanë një prani të fuqishme në rajon për të parandaluar një gjë të tillë.
hvillimet e fundit në Serbi dhe Maqedoni, e që ndërlidhen edhe me Kosovën, nuk kanë potencial për të ndezur ndonjë konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor pasi asnjëra nga palët nuk është gatshme për një gjë të tillë.Kështu ka vlerësuar të dielën analisti politik, Azem Vllasi duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare, e cila është e pranishme në këtë pjesë, nuk do të lejojë këtë.

"Tensione mund të krijohen, por konflikt i ri jo, ngase për konflikt të ri para së gjithash askush nuk është i gatshëm, as Kosova, as Serbia, as Maqedonia. Dhe konflikt të ri të armatosur s’do të lejojë as komuniteti ndërkombëtar, i cili këtu është fuqishëm i pranishëm”.

Por, Vllasi është i bindur se me arrestimet e fundit të shqiptarëve, autoritetet e Beogradit dhe të Shkupit po zhvillojnë një luftë psikologjike kundër shqiptarëve.

"Maqedonia dhe Serbia kanë një aleancë të mirë që të zhvillojnë luftë psikologjike, e shqiptarët t’i shënjojnë si element turbullues”, ka thënë Vllasi.

Duke folur për arrestimet e fundit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Vllasi thotë se aksione të tilla nuk ndërlidhen shumë me zgjedhjet në Serbi.

Sipas tij, Beogradi me këtë po i tregon opinionit të vet se është në gjendje të qërojë akoma hesapet me shqiptarët. Vllasi edhe këtë e ndërlidh me zhvillimet në Maqedoni.

"Këto arrestimet në Luginën e Preshevës ishin krejtësisht të motivuara politikisht, ngase, nëse bëhet fjalë për njerëz që kanë kryer ndonjë krim, ai konflikt në Luginën e Preshevës ka nisur që njëmbëdhjetë vjet dhe ai konflikt ka marrë fund me një marrëveshjesh politike. Nëse dikush e ka kryer ndonjë krim, autoritetet serbe kanë pasur mundësi që t’i hetojnë, por tashti atë aksion spektakular duan ta lidhin me aksionin në Maqedoni për t’i treguar opinionit botëror se shqiptarët janë ai element trazues, element që shkakton probleme sigurie në këtë rajon, domethënë në Maqedoni, Serbi, Kosovë”, ka vlerësuar Vllasi.

E, përgjigja e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, thotë se ka qenë pozitive.

"Në reagimet e shqiptarëve i pashë dy elemente pozitive, ato protestat dje në Shkup, ku shqiptarët thane që ne nuk jemi terroristë, ne jemi shqiptarë dhe me fe jemi myslimanë, që dikush na identifikoi me vepra terroriste. Ishte ngjarje e mirë edhe protesta në Luginën e Preshevës, pasi nuk është e vërtetë që edhe njëmbëdhjetë vjet pas konfliktit atje, organet e hetuesisë paskan gjetur tetë njerëz që kanë bërë kinse krime”, ka shtuar Vllasi.

Sipas tij, liderët shqiptarë në Maqedoni duhet të angazhohen që vrasja e pesëfishtë e maqedonasve të mos u mëvishet shqiptarëve.

"Krimi që është kryer në Maqedoni, ku janë vrarë pesë njerëz, në secilin variant është krim i rëndë, ku kryesit e asaj vepre makabre duhet të zihen dhe të ballafaqohen me drejtësi. Faktori politik shqiptar duhet të angazhohet që veprat e tilla kriminele të mos identifikohen me shqiptarët në tërësi dhe të mos nënkuptohet që shqiptarët janë ata fajtorë që nga gjiri i vet po prodhuakan kriminelë terroristë dhe njerëz që duhet të përgjigjen para ligjit”.

Pavarësisht të gjitha këtyre zhvillimeve dhe tensioneve, Vllasi thekson se bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë se në rajon nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

" Faktorët ndërkombëtarë kanë thënë që nuk ka korrigjim apo rishikim të kufijve dhe pallavra të ngjashme. Por kjo mund të jetë edhe një mashtrim i palës serbe që tentojnë ndërrim territoresh, por ajo temë edhe po të vinte në rend të ditës, serbët do ta kërkojnë territorin deri në Ibër 18 për qind, ndërsa, neve do të na ofronin katundin Konçul dhe Dobrosin”, thotë ai.

E duke komentuar rreth thirrjeve të NATO’s për qetësi gjatë zgjedhjeve serbe, të cilat zhvillohen sot, Vllasi thekson se Aleanca Veriatlantike e ka bërë një gjë të tillë pasi ka përgjegjësi sidomos për pjesën veriore.

"Siç e dini, autoritetet tona janë deklaruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Por, e vetmja strukturë është NATO’ja që ka përgjegjësi në atë pjesë të Kosovës dhe kjo është arsyeja kryesore që ka bërë thirrje për qetësi”, ka vlerësuar Vllasi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus