Kryesore » 2012 » Maj » 7 » Vjedhësit e hekurudhës rrezikuan jetën e 40 pasagjerëve
11:29 AM
Vjedhësit e hekurudhës rrezikuan jetën e 40 pasagjerëve
Vjedhja e një sigurese të hekurudhës, që ndodhi para tri ditësh në linjën Fushë Kosovë – Han i Elezit, dy kilometra larg terminalit në fshatin Miradi, ka rrezikuar seriozisht jetën e mbi 40 pasagjerëve që po udhëtonin në këtë linjë. Policia e Kosovës (PK), ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy persona të dyshimtë, shqiptar, Z.P dhe F.B, të cilët janë kapur nga policia të premten, një ditë pasi që ata kishin demoluar siguresën. Edhe pse kjo vjedhje i shkaktoi dëme materiale Hekurudhave të Kosovës, mbi 40 mijë euro, pasagjerët shpëtuan. "Si shkak i vjedhjes se siguresës së binarëve, treni me udhëtarë që qarkullonte për Elez Han ka dalë nga binarët. Dëmi është rreth 40 mijë euro, është dëmtuar lokomotiva. Në konsultim me PPQ-në te dyshuarit dërgohen në mbajtje, për hetime të mëtejme. Dy të dyshuarit kanë pranuar rastin në tërësi”, thuhet në raportin e PK-së.

E drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Agron Thaçi, ka vlerësuar se nuk mbahet mend një vjedhje e tillë, që ka rrezikuar shumë rëndë transportin hekurudhor në Kosovë.

"Vjedhje vazhdimisht ka pasur edhe në linjat funksionale që i kemi, por kjo vjedhje e tre majit, ka cenuar rëndë komunikacionin. Pra, për nga rreziku që e ka shkaktuar, ka qenë vjedhje e rëndë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka shpjeguar se elementet të cilat janë vjedhur, janë kyç, ngase bëjnë ndarjen e binarëve. "E kemi një ndërruese ndarëse, që e ndan binarin industrialë që të çon për Graçanicë e për Kishnicë. Nga demolimi i ndërrueses është ndërruar edhe drejtimi i binarit, dhe treni është vu në pozitë neutrale”, ka shtuar ai.

Drejtimi i trenit në një hapësirë pa binarë, ka bërë që ai ta humb drejtimin. E tërë kjo kishte mundësi të përfundonte tragjikisht, në qoftë se do të mungonte vigjilenca e makinistëve të trenit. Thaçi tregon se makinistët e kishin vënë re 30 metra para se të afroheshin te siguresa, se diçka nuk ishte në rregull. "Ata sapo e kanë vërejtur kanë frenuar vrullshëm duke e zbritur shpejtësinë e trenit në 40 në orë”, ka shtuar Thaçi.

Treni pas 70 metrash që kishte përshkuar kishte arritur të ndalej plotësisht.

"Fatmirësisht asnjë udhëtar nuk është lënduar. Mirëpo lokomotiva është zhvendosur mjaft shumë nga binarët. Po të ishte shpejtësia më e madhe, realisht kjo ka mundur të përfundonte në mënyrë fatale”, ka thënë ai.

Fakti që siguresa e vjedhur, nuk ka mundur t’u sjellë dy "vjedhësve” që dyshohet të jenë nga fshati Dobrevë, shumë përfitime, "diku rreth 10 euro”, e bën Thaçin të dyshojë përse është kryer ky akt.

"Prej atij momenti, ne kemi kërkuar nga krerët më të lartë të PK-së, që të merren masat dhe të gjenden autorët. Tash kemi informacion që ata janë zënë dhe gjenden në burg, ndërsa rasti i tyre ka shkuar në gjykatë”, ka thënë ai.

Thaçi ka vlerësuar se bashkëpunimi mes hekurudhave dhe policisë duhet të forcohet dhe personat të cilët vjedhin pjesë nga hekurudhat "duhet të dënohen ashpër”, ngase ata mund të shkaktojnë dëme të mëdha të cilat mund të përfundojnë edhe tragjikisht.

Ai po ashtu ka potencuar se transporti hekurudhor mbetet ndër transportet më të sigurta në Kosovë. Mirëpo rasti i fundit, sipas Thaçit, është kryer në një periudhë të shkurtër kohore. "Dy orë para se të kalonte treni i cili ka dalë nga binarët, ka kaluar një tren tjetër dhe binarët kanë qenë në rregull. Kjo do të thotë se demolimi është kryer brenda dy orëve”, ka shpjeguar ai. Linjat e hekurudhave, kontrollohen vazhdimisht nga ekipet e hekurudhave dhe mirëmbahen, andaj Thaçi potencon se nuk ka nevojë që udhëtarët të ndiejnë pasiguri. Mirëpo, ai ripërsërit që bashkëpunimi i ngushtë me institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë do të ndikonte që të ulej numri i personave që vjedhin pjesë nga hekurudhat.

Ai tregon se më shumë janë dëmtuar hekurudhat pas luftës nga vjedhjet, sesa nga bombardimet gjatë luftës. "Pas luftës kemi pasur dëmtime të mëdha nga vjedhjet, duke e pasur parasysh që institucionet nuk kanë funksionuar si duhet dhe të gjitha pjesët e saj shiteshin për hekur. Vjedhjen më të madhe e kemi pësuar në linjën Bardhosh - Podujevë”, ka bërë të ditur ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus