Kryesore » 2012 » Qershor » 24 » Veturat e Qeverisë ikin nga GPS-i
0:30 AM
Veturat e Qeverisë ikin nga GPS-i
Veturat qeveritare po i ikin GPS-it. Edhe pse tenderi për projektin "Sistemi i menaxhimit të shpenzimeve të automjeteve Lot1”, për monitorim përmes GPS, ka filluar të zbatohet në vitin 2010, deri më tani kjo pajisje është instaluar në vetëm 212 vetura zyrtare, edhe pse projekti parasheh instalimin e GPS-ve në 1800 automjete të ministrive dhe agjencive. Si duket, zyrtarëve tanë nuk u pëlqen që veturat e tyre të jenë nën monitorim dhe se kjo dëshmohet me vetë faktin që edhe pse ky projekt ka filluar të implementohet dy vite më parë, interesimi i institucioneve tona për t’i pajisur veturat e tyre me GPS ka qenë tejet i vogël.Me gjithë numrin e vogël të veturave që kanë instaluar GPS, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, që është dhe implementuese e këtij projekti, mohojnë që ky projekt të jetë stopuar. Sipas tyre, projekti është në realizim e sipër dhe se ka kërkesa të vazhdueshme nga të gjitha ministritë që veturat e tyre të pajisen me GPS. Por premtimet e qeverisë për ulje të shpenzimeve në karburante me vendosjen e GPS-ve për t’i monitoruar veturat e tyre, për shoqërinë civile mbeten vetëm premtime të parealizuara të kësaj qeverie. Ata pohojnë se tashmë shihet se mungon vullneti politik për një gjë të tillë dhe se edhe vendosja e GPS-ve nëpër vetura zyrtare, është thjesht një tender për të marrë dikush edhe një fond nga Qeveria. Ata madje theksojnë se edhe ky tender si shumë të tjerë, shpallet vetëm për nevoja të bizneseve që janë të lidhura me politikën, e jo për t’i monitoruar veturat e tyre, apo për t’i ulur shpenzimet.

Megjithatë, Birsen Shufta, këshilltare e lartë dhe zëdhënëse në kabinetin e ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar, tha për Kosovapress se, ky projekt po përkrahet nga gjitha institucionet e Republikës së Kosovës si dhe është vlerësuar si mundësi e mirë për lehtësimin e menaxhimit të shpenzimeve të automjeteve, e në veçanti projekti lehtëson në masë të madhe zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Menaxhimin e Automjeteve Zyrtare nr. 03/2008. Ajo tha se vazhdimisht ka kërkesa nga institucionet për shtrirje të projektit, ngase ky sistem lehtëson menaxhimin e automjeteve.

Sipas Shuftes, projekti po zbatohet në të gjitha institucionet, duke filluar nga ministritë dhe agjencitë e ndryshme dhe se deri tani janë finalizuar 212 automjete të cilat janë nga Ministria Administratës Publike, Ministria e Drejtësisë, Administrata Tatimore, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencione në kuadër të ZKM-së, Doganat e Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe institucione të tjera.

Ajo tha se janë rreth 600 automjete të cilat janë në proces të finalizimit sipas kontratës. Shufra tha se sipas kontratës, çmimi është për njësi dhe pagesa bëhet sipas numrit të instalimeve dhe se vlera e një GPS-i, sipas saj është 375 euro për 1 automjet, bashkë me 1 vit abonim dhe se pajisjet GPS mbeten në pronësi të MAP-it.

Por, projektin në fjalë ku ishte paraparë kontroll ndaj veturave të Qeverisë, gjë që do të ndikonte në reduktimet e shpenzimeve në karburante, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin si një hap tjetër të kësaj Qeverie për t’i dhënë tender bizneseve që janë të lidhura me politikën dhe jo për të kontrolluar shpenzimet enorme, të cilat kjo Qeveri edhe më tej vazhdon t’i bëjë.

Avni Zogiani nga Organizata "Çohu” tha se nuk mund që asnjë projekt dhe as ai për vendosjen e GPS-ve për kontrolle të realizohet pa vullnet politik. Zogiani tha se edhe ky tender, ashtu si shumë të tjerë, është thjesht një tender për të marrë dikush edhe një fond nga Qeveria. Ky tender, sipas tij, në mënyrë tipike, shpallet vetëm për nevoja të bizneseve që janë të lidhura me politikën. Sipas tij, nuk ka asnjë zgjidhje teknike kur mungon vullneti politik.

"Projekti i GPS-it pa vullnetin politik për me respektu rolin e Kuvendit, si mbajtës të ekzekutivit në llogaridhënie, është thjeshtë një tender për të marrë dikush edhe një fond nga Qeveria. Një tender që në mënyrë tipike shpallet vetëm për nevoja të bizneseve që janë të lidhura me politikën. Ne kemi parë që 100 milion euro i janë shpërndarë pikërisht kompanive që kanë ndihmuar nëpër fushata, partitë që kanë hyp në pushtet. Mendoj që themelore është nëse dikush do ta mbajë në llogari qeverinë”, tha Zogiani.

Sipas Zogianit, problem themelor në rritjen enorme të shpenzimeve të Qeverisë, është dështimi i parlamentit për ta kontrolluar Qeverinë dhe për ta mbajtur atë në llogaridhënie. Kjo qeveri, sipas tij, me shpenzimet që bën në proporcion me buxhetin, i kushton Kosovës më shumë se çdo vend në rajon dhe Evropë, në ndërkohë që Kosova ka gjysmën e popullsisë në varfëri. Ai tha se fatkeqësisht Kosova ka një politikë tërësisht të shkëputur nga nevojat e vendit dhe se politikanët kanë humbur kontaktin me realitetin.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus