Kryesore » 2012»Prill»10 » Veriu, Kurti: Rrezik spastrimi etnik, Presidenti Topi të na ndihmojë në OKB
8:15 PM
Veriu, Kurti: Rrezik spastrimi etnik, Presidenti Topi të na ndihmojë në OKB
Sot, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti i dërgoi letër presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjagës, ku është paraqitur kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë. Kurti i dërgoi leter dhe kyetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, në të cilën i kërkohet mbështetja për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në lidhje me ngjarjet në Mitrovicë si dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi te cilit i kerkohet te nise diskutimin në NATO dhe OKB rreth ngjarjeve në Mitrovicë.
Kurti-Jahjages: Shpallni gjendjen e jashtezakonshme ne Veri
Po ju shkruaj nga shqetësimi i thellë për atë që po ndodh në Mitrovicë.
Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë intensifikuar. Pardje, me eksploziv të sofistikuar u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën e lënduan anëtarët e familjes së tij: gruaja dhe katër fëmijët. Dje, pika statike e policisë së Kosovës që u vendos atje nuk qëndroi as pesë minuta meqë u shkatërrua nga strukturat armiqërore e kriminale të Serbisë. Nën terrorin e përditshëm, duke qenë edhe të varfër e të papunë, shqiptarët në veri të Mitrovicës sot janë njerëzit më të rrezikuar në Evropë. Gjendja në Mitrovicë është e jashtëzakonshme. Karshi kësaj gjendjeje nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Pikërisht kjo sjellje është e jashtëzakonshme. Sjellja e zakonshme në një situatë që objektivisht është bërë e jashtëzakonshme, është e jashtëzakonshme. Kjo sjellje mund të tolerohet kur është e ndonjë qytetari, por kurrsesi nëse ashtu bëjnë institucionet e Republikës që kanë për obligim t’iu shërbejnë qytetarëve e t’i mbrojnë ata. Madje, vetë qytetarët janë të indinjuar e të frikësuar, por gjithnjë e më shumë edhe të dëshpëruar e të zhgënjyer, nga shpërfillja institucionale që po e përjetojnë teksa orvaten të mbijetojnë në këtë gjendje të jashtëzakonshme.
Duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju mund të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si deputet i Kuvendit, Ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë”.
Kurti kërkon seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për veriun
Letra e Albin Kurtit dërguar kryeparlamentarit të Kosovës ka këtë përmbajtje: "Sulmet terroriste dhe kriminale të strukturave ilegale të Serbisë në veri të qytetit të Mitrovicës janë shtuar. Të dielën u vra Selver Haradinaj si dhe u lënduan gruaja e fëmijët e tij, kurse një ditë më vonë u shkatërrua pika statike e policisë së Kosovës atje. Qytetarët në Mitrovicë jetojnë në ankth sepse janë të kërcënuar e të pambrojtur. Është e domosdoshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në Mitrovicë”.
Topi të iniciojë diskutimin në OKB dhe në NATO "spastrimin e ri etnik në veri”
Në letrën dërguar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, lideri i Vetëvendosjes kërkon të iniciojë për diskutim rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë, në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO:
"Tashmë është bërë e qartë situata e terrorit dhe rrezikut për spastrim të ri etnik në pjesën veriore të Mitrovicës. Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë...Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme.”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar Bamir Topit”.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus