Kryesore » 2012»Nëntor»16 » Vëllezërit Geci dyshohet se kanë vrarë vëllezërit Berisha
10:28 AM
Vëllezërit Geci dyshohet se kanë vrarë vëllezërit Berisha
Trupat franceze të NATO-s kishin zbarkuar më 18 qershor 1999 në Skenderaj. Forcat serbe po tërhiqeshin nga Drenica. Pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin zbritur nga malet. Kishte të shtëna armësh. Para spitalit ndodheshin dy vëllezërit Vehbi dhe Gani Berisha. Kishte qëlluar që vendi dhe koha e ndodhjes së tyre ishte e gabuar. Të dy ishin qëlluar me armë zjarri për vdekje. 13 vjet pas, Policia speciale e EULEX-it me urdhër të prokurorit special, Maorizio Salustro, ka arrestuar të dyshuarit për ekzekutimin e tyre vëllezërit Hetem (1964) dhe Rrustem Geci (1961), si dhe kushëririn e tyre Sabit Gecin (1971) nga Llausha. Ata janë arrestuar të enjten herët në mëngjes në shtëpitë e tyre në Skenderaj, Llaushë dhe Prishtinë. Ata dyshohen se në cilësi të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile duke vrarë këta dy civilë.
Dy prej të arrestuarve, Rrustem dhe Hetem Geci, janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndërsa Sabit Geci punëtor në PTK.
Sulmi i armatosur kundër dy vëllezërve kishte ndodhur para spitalit të Skenderajt. Vehbi Berisha kishte vdekur në vend si pasojë e të shtënave me armë, ndërsa vëllai i tij ishte plagosur. Ai ishte dërguar në spital. Njerëz të armatosur kishin hyrë brenda dhe e kishin vrarë brenda ambientit ku pritej t’i jepej ndihmë mjekësore.
Vëllezërit Berisha kanë jetuar në Skenderaj dhe janë me prejardhje nga fshati Turiqefc. Ata kanë qenë anëtarë të lagjes së Lutanëve, lagje kjo e njohur në Drenicë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus