Kryesore » 2012 » Qershor » 25 » Vazhdon ndërtimi i shtëpive në veri në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”
4:36 PM
Vazhdon ndërtimi i shtëpive në veri në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”
Ka filluar ndërtimi edhe i dy shtëpive tjera në veri të Mitrovicës nga kompanitë që kanë premtuar mbështetje në aksionin "Ndihmo edhe ti”.Sot kanë nisur dy shtëpi në Lagjen e Boshnjakëve që do të ndërtohen nga kompania "Haxhacom” dhe kompania "Patroni”.Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, i cili mori pjesë në vënin e gurthemelit të këtyre shtëpive, falënderoi të gjithë ata që janë duke mbështetur këtë aksion. Ai e ka vlerësuar këtë si një projekt kombëtar, që do të mundësoj kthimin e të gjithë atyre që janë dëbuar nga veriu, por edhe qëndrimin e atyre që janë duke jetuar në rrethana të vështira.Nënkryetari Haziri, tha se tashmë kanë filluar të ndërtohen rreth 10 shtëpi nga kompani të ndryshme nga të gjitha pjesët e Kosovës. "Numri më i madh i shtëpive që kanë nisur të ndërtohen në veri janë të përqendruara në Lagjen e Boshnjakëve, meqë aty nevoja është shumë e madhe”.

Megjithatë, ai theksoi se në kuadër të këtij aksioni kanë nisur të ndërtohen shtëpi edhe në lagjet tjera, si në zonën e "Tre rrokaqiejve”, në Kroin e Vitakut etj.

"Është duke u bërë një punë e mirë që është mirëpritur shumë nga shqiptarët që jetojnë në veri”, tha ai.

Ai ka apeluar te ata që kanë premtuar të ndihmojnë me mjete financiare rindërtimin në veri që sa më parë t’i realizojnë zotimet e tyre.

"Lusim ata që kanë premtuar të ndihmojnë që sa më parë t’i transferojnë mjetet e tyre në xhirollogarinë "Ndihmo edhe ti”, mënyrë që sa më parë të fillohet me procedurat ligjore për përzgjedhjen e përfituesve për rindërtim”, theksoi ai.

Ndërsa, Albert Peci, të cilit do t’i ndërtohet shtëpia e re në Lagjen e Boshnjakëve, u shpreh shumë i lumtur që po i krijohen mundësi të mira për jetë në lagjen e tij. Tha se bashkë me gruan dhe fëmijët ka jetuar me qira afër vendit ku e ka pasur shtëpinë e rrënuar.

Përfituesi tjetër, Luan Miftari, falënderoi kompanitë që po ndihmojnë. Ai tha se ka shumë raste në veri që kanë nevojë për mbështetje.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus