Zbulohen raste të reja të produkteve me deklarime mashtruese, të cilave kur hyjnë në Kosovë, u fshihen përbërësit. Një prej tyre, të cilin e ka konfirmuar edhe Inspektorati, është produkti italian, Tortellini di Bologna "Mangiami", i cili përmban 12 për qind mish derri, ndërkaq kur hyn në Kosovë, kjo fshihet ose nuk përkthehet, shkruan Express. Produkti italian, Tortellini di Bologna ′Mangiami′ përmban 12 për qind mish derri. Por, kur hynë në Kosovë kjo i fshihet. Në ambalazhin e saj ky përbërës nuk shihet fare, ose nuk përkthehet në gjuhën shqipe. Në fakt, ky produkt është vetëm njëri nga rastet se si importuesit bien në Kosovë produkte me deklaracione mashtruese. Këtë rast dhe disa të tjera e ka zbuluar organizata ′Konsumatori′, në bazë të ankesave të qytetarëve. Përveç dëshmive të qytetarëve, kjo organizatë ka ofruar edhe fotografi që dëshmojnë se ky lloj produkti po hyn në Kosovë me deklaracion mashtrues. Importuesi i Tortellini di Bologna ′Mangiami′ pjesën nga teksti origjinal ku thuhet ′12% mish derri i zier′, e ka përkthyer si ′Mbushje brumi′. Por, nuk është ky rasti vetëm. Sipas ′Konsumatorit′, edhe tekstin origjinal ′Vaj palme′, importuesi e ka kamufluar si ′Vaj vegjetal′.
"Kjo firmë pjesën e tekstit ′Mish derri, kripë, preservative, E250′ nuk e ka përkthyer fare, siç nuk e ka cekur as praninë e Glutenit", ka shpjeguar për Express, kreu i OJQ ′Konsumatori′, Selatin Kaçaniku.
Rastin e konfirmon edhe Inspektorati i Kosovës, të cilët me të marrë lajmin kanë dalë në terren dhe po hulumtojnë.
Kryeinspektori Ibrahim Tershnjaku thotë se kanë gjetur importuesin e këtij produkti për Kosovë, dhe nga ajo që iu është thënë nga importuesi, del se produkte të tilla kanë hyrën para dy muajsh në treg.
Sipas Tershnjakut, nga ajo që kanë parë tek importuesi nuk kanë gjetur raste tjera të këtij lloji.
"Për këto produkte me deklaracione të rrejshme kemi kërkuar largimin e tyre nga tregu. Në depot e importuesit nuk kemi gjetur raste tjera dhe gjithçka ka qenë në rregull", ka thënë Tershnjaku.
Ndryshe, kanë qenë fillimisht konsumatorët që janë ankuar se produkti i importuar Tortellini di Bologna ′Mangiami′, ka përbërës mish derri në sasi prej 12 për qind, ndërkaq kur ka hyrë në Kosovë, kjo përqindje nuk është përfshirë fare në përkthimin në gjuhën shqipe dhe as në gjuhet tjera. Kjo më pas është vërtetuar edhe nga organizata ′Konsumatori′, për t′u konfirmuar më pas edhe nga Inspektorati.
"Deklaracioni i rrejshëm është dokument që mashtron konsumatorin. Është edhe shtrembërim i informatave nga deklaracioni i mallit, për ta detyruar konsumatorin të konsumojë diçka që nuk është reale dhe kjo është e dënueshme", thotë Kaçaniku.
Veç kësaj, këto ′marifetllëqe′, siç thotë Kaçaniku, kanë për qëllim edhe monopolizimin e tregut dhe të zhbërjes së konkurrencës lokale.
Sipas tij, zbulimi i këtij produkti nuk duhet të lidhet me aspektin fetar, por me atë se si importuesit fshehin përbërësit real të produkteve, duke ua pamundësuar qytetarëve të dinë se çka po hanë.
Rast pak a shumë i njëjtë kohë më parë, sipas Kaçanikut, ka qenë edhe buka italiane për tost dhe disa produkte tjera. Edhe këtu produkti nuk është penguar, pavarësisht faktit se kanë qenë të njoftuara Doganat dhe institucionet tjera.
E për rastin e parë, kreu i kësaj organizate thotë se i kanë njoftuar të gjitha institucionet, duke filluar nga Doganat, AVUK-u e deri tek inspektorati.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se në rastet e përbërëseve se produkteve nuk është përgjegjës Dogana. Sipas tij, kur malli vjen për zhdoganim, importuesve u kërkohet certifikata fito-sanitare, të cilën e lëshon Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit. Me ketë certifikatë vërtetohet se produkti i caktuar është në rregull sa i përket përbërësve dhe gjerave tjera.
"Dogana merret vetëm me atë se sa ka vlerë dhe sa kilogramë produkti", ka thënë Stavileci.
Express, ka kontaktuar edhe zyrtaret e AVUK-ut, të cilët nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se me rastin në fjalë më mirë ka qenë i njoftuar inspektorati.
Nëse ketë punë nuk e zgjidhin institucionet përkatëse, Kaçaniku thotë se marketet dhe shitoret nuk duhet t′i ofrojnë konsumatorit produkte të tilla, dhe i lut ato që produktet të pajisen me certifikatën ′Hallall′. Si dhe t′i njoftojnë konsumatorët për përbërësit e produkteve të caktuara, duke i njohur specifikat e tyre dhe karakteret specifike të konsumatorëve.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus