Kryesore » 2012»Maj»25 » UNMIK-u mbyll zyrën në Mitrovicë brenda dy javësh
2:33 PM
UNMIK-u mbyll zyrën në Mitrovicë brenda dy javësh
Administrata e vendosur nga UNMIK-u, që ka menaxhuar veriun e Mitrovicës nga vitit 2002, pritet që të mbyllet brenda dy javësh. Qeveria e Kosovës e ka njoftuar shefin e UNMIK-ut, Farid Zaarif, se Zyra Administrative e veriut të Mitrovicës do të funksionalizohet brenda dy javësh, dhe se deri atëherë shtetet mbështetëse të pavarësisë dhe Qeveria e Kosovës presin që UNMIK-u t`i transferojë të gjitha dokumentet, të dhënat dhe materialet tjera te Zyra e krijuar nga Qeveria.Ministria e Administratës dhe e Pushtetit Lokal, merr vesh "Koha Ditore”, ka hapur konkursin nga i cili do të pranohen 55 të punësuarit në administratën e vendosur të Qeverisë së Kosovës, që do të funksionojë si komunë e re për veriun e Mitrovicës, por do të mbajë emrin Zyrë Administrative.Veprimi i hapjes së Zyrës, sipas burimeve të gazetës, është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja, në koordinim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe ambasadat tjera.Sipas burimeve të gazetës, në proces kanë marrë pjesë edhe KFOR-i dhe EULEX-i, të cilët pos tjerash do të bëjnë sigurimin e transferimit të materialeve nga UAM te ZAMV. UNMIK-u nuk ka dashur që t`i komentojë këto zhvillime."Është shumë herët që të përgjigjemi në këto pyetje. UNMIK-u pret diskutime të mëtutjeshme me autoritetet e Kosovës dhe faktorët e tjerë”, ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado, i pyetur nëse UNMIK-u do të mbyllë UAM-in dhe do të transferojë dokumentet te Zyra e krijuar nga Qeveria.Të gjitha zyrtarët vendës që punojnë në administratën e UNMIK në veri të Mitrovicës (UAM) do të kenë të drejtë të konkurrojnë në pozitat relevante, përveç atyre që Qeveria e Kosovës ka informacion se punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës."Koha Ditore” ka raportuar javë më parë se të paktën 8 zyrtarë të UNMIK-ut që operojnë në veri të Mitrovicës punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë. Dragan Spasojeviq, drejtor i Urbanizmit në Administratën e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës (UAM), ka të njëjtën pozitë edhe në komunën ilegale të Serbisë. Edhe Borivoje Djuric, merr dy rroga dhe ka dy pozita të ngjashme të në dy mekanizmat. Në të dyja ai është drejtor për financa dhe ekonomi. Njëjtë vepron edhe drejtori tjetër, Momcilo Barovic.Pesë drejtorët tjerë të UAM-it, Katas Scekic, Zoran Bratic, Bilana Petrovic, Zoran Smikic, janë drejtorë në UAM, por kanë funksione edhe në kuadër të komunës paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës.Të dhënat për zyrtarët që paguhen edhe nga buxheti i Kosovës nëpërmjet UAM-it, edhe nga buxheti i Serbisë nëpërmjet komunës paralele, i di Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja. Zyra Civile, Quinti dhe Qeveria, disa herë e kanë ngritur këtë çështje me zyrtarët e UNMIK-ut, por shefi i misionit të OKB-së të mbetur në Kosovë, dhe zyrtarët e tjerë nuk kanë vepruar.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus