Kryesore » 2012 » Mars » 22 » U rrëfye për SHIK-un, bombë në shtëpi
3:16 PM
U rrëfye për SHIK-un, bombë në shtëpi
Një javë pasi ka rrëfyer në EULEX, Naim Miftari ka shpëtuar nga një bombë dore. Xhami i dritares së dhomës, ku po qëndronte me familjen e tij të martën mbrëma, ia ka shpëtuar jetën e familjes dhe të tijën, njeriut që pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut, dhe se i janë ofruar para për të bërë vrasje pas lufte. "E kam dëgjuar krismën në dritare. Xhami e ka kthyer bombën jashtë edhe ka ra në oborr pa shpërthye. Kur dola jashtë i pashë nja tre të rinj duke vrapu, por nuk u afrova me pa çfarë kanë gjuajt. Mendova që asht guri”, ka thënë Miftari për "Kohën Ditore”.Se gjësendi i hedhur kishte qenë bombë e jo guri, Miftari ka thënë ta ketë kuptuar tek të mërkurën në mëngjes. "Kur ka dalë nëna në mëngjes në oborr më ka thanë që është bombë. Kur e pashë i lajmërova Policinë e Kosovës. Kanë ardhur edhe EULEX-i, kanë bastisur për dy-tre orë”, ka thënë Miftari.Njoftimin dhe evakuimin e granatës së dorës e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci."Rreth orës 8:30 të mëngjesit kemi marrë njoftimin për një mjet të pashpërthyer. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ekipet e specializuara kanë evakuuar objektin, që ka qenë një granatë dore”, ka thënë Borovci.Të mërkurën e kaluar, Naim Miftari është përballur me pyetje të shumta nga dy hetues të EULEX-it. Pretenduesi se ka qenë hetues në Shërbimin Informativ të Kosovës, shërbim ky i afër me Partinë Demokratike, është intervistuar për katër orë rresht në kampin "Alfa Bravo” në Fushë-Kosovë. Burime nga EULEX-i thonë se biseda më shumë ka qenë njohëse, derisa ajo pritet të vazhdojë disa ditë. Kjo intervistë është konkretizuar me pyetje rreth Ibush Kllokoqit, vrasjen e të cilit e ka marrë përsipër Nazim Bllaca, një tjetër pretendues se ka qenë anëtar i SHIK-ut EULEX-i ka nisur hetimet për pohimet e Miftarit pas një interviste që kishte dhënë muajin e kaluar për "Kohën Ditore”. Ky mision madje ka caktuar edhe një prokuror që do të merret me pretendimet e tij.Ditën kur i është gjetur bomba në oborrin e shtëpisë, Miftari ka thënë se nuk dëshiron mbrojtje të afërt as nga Policia e Kosovës e as nga EULEX-i. Sipas tij, misioni i BE-së në Kosovë i ka ofruar këtë mundësi, por nuk ka pranuar."Jo, unë nuk kërkoj mbrojtje prej askujt. Ky ka qenë një mesazh që ma kanë dërguar, por deri në momentin që të më vritet ndonjë anëtar i familjes unë nuk reagoj. Kur jam marrë në pyetje në EULEX, ata kanë dashtë më i hy kësaj teme, por unë nuk kam pranuar. Unë jam këtu. Nëse dikush mendon me derdh gjak pse unë e kam thënë një të vërtetë kam me u mbrojt vetë. E zgjidhin ndryshe këtë punë”, ka thënë MiftariMiftari (1967) i lindur në fshatin Beçuk të Vushtrrisë pretendon se ka shumë informacione madje edhe për spiunimin që njerëz të afërt të UÇK-së i kishin bërë Adem Jasharit, Zahir Pajazitit e të tjerëve. Në një intervistë për "Kohën Ditore”, muajin e kaluar, ai ka thënë se i ka raportuar rregullisht ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, nga i cili bile kishte marrë edhe detyra konkrete. Ai ka thënë se gjatë viteve të pasluftës ka pasur oferta nga zyrtarë të lartë të PDK-së për të kryer vrasje me pagesë, por kishte refuzuar. Miftari ka deklaruar se gjatë punës së tij kishte parë kodin e Nazim Bllacës.

"Hetuesit janë interesuar për vrasjet gjatë dhe pas luftës. Ata janë interesuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Shumicën e kohës është diskutuar kjo çështje”, ka thënë burimi. "Miftari ka treguar për herë të parë edhe për rrahjen e Ibush Kllokoqi pak kohë para së të vritej”.

Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, ka thënë se Miftari nuk ka qenë asnjëherë pjesë e SHIK-ut.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus