Kryesore » 2011 » Tetor » 20 » Trustit i “avullohen” 5.3 milionë euro
2:37 PM
Trustit i “avullohen” 5.3 milionë euro
Prej fillimit të këtij viti e deri më tani humbjet në investimet e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) kapin shumën prej 5.3 milionë euro. Edhe përkundër këtyre rënieve të aksioneve të Trustit, kreu i Bordit të Trusti, Ymer Havolli, në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së mërkurë, nuk i ka quajtur këto si humbje, ngase, sipas tij, Trusti ka bërë investime afatgjata.
"Bordi i Trustit vlerëson se deri në fund të muajit shtator investimet pësuan rënie, mirëpo gjatë gjysmës së tetorit tregjet kanë njohur rritje të fortë. Kjo ka bërë që prej fillimit të vitit 2011 e deri më 15 tetor, Trusti të ketë kthim nga investimet prej vetëm minus 5.3 milionë euro dhe çmimi i aksionit të jetë rreth 1.02 euro, nga rreth 1.03 euro që ishte në fillim të vitit”, ka thënë ai Havolli.
Ai ka thënë se Trusti ka përdorur një strategji konservative të investime, e cila ka objektiva afatgjata dhe se lëvizjet mujore, ose tremujore nuk duhet të ndikojnë radikalisht politikën investuese.

"Trusti ka bërë investime afatgjata, 20-25 vjeçare dhe lëvizjet njëmujore, ose tremujore nuk duhet të konsiderohen humbje”, ka thënë Havolli.

Sipas tij, nga 1 tetori deri më 15 tetor, Trusti ka arritur t’i kthejë 11.2 milionë euro që konsiderohet si rritje e fortë.

Ai ka thënë se megjithëse performanca e investimeve në këtë periudhë nuk ishte e kënaqshme, mjetet që Trusti i ka nën menaxhim për këtë periudhë nëntëmujore vazhduan të rriten. "Mjetet në menaxhim u rritën për rreth 62 milionë euro për vitin 2011. Nga rreth 495 milionë euro që ishin në fillim të janarit të këtij viti, kjo vlerë arriti në rreth 557 milionë euro në mes të këtij muaji”, ka theksuar ai.

Havolli ka thënë se pavarësisht krizës së borxheve dhe frika e investitorëve se Greqia nuk do të mundë të shlyejë borxhet, por edhe pamundësia e institucioneve ndërkombëtare që ta ndihmojnë me borxhe shtesë, bëri që tregjet të kenë tremujorin më të keq qysh prej krizës së vitit 2008.

"Tremujori i tretë ishte tremujori më i keq që nga kriza financiare që e goditi tërë botën, ku u shënua rënie për minus 31 milionë euro”, ka treguar ai, duke shtuar se ka vetëm rënie të vlerës së aksioneve, e jo humbje.

Po ashtu, Havolli ka thënë se tani nuk mund të investojnë më shumë se 5 për qind në një aset, ngase kjo nuk i lejohet me ligjin ekzistues. Ndërkaq, Bordi Udhëheqës i Trustit përsërit kërkesën që t’i bëhet i mundur nga institucionet e vendit që më shumë mjete të kontribuuesve t’i investojë në Kosovë dhe se për këtë duhet përgatitur baza ligjore dhe të krijohen instrumentet financiare.

Ai nuk ka hezituar që t’u drejtohet edhe bankave komerciale në vend që të marrin para në Trust, e që kjo t’u shërbejë qytetarëve që të kenë kamata më të lira gjatë marrjes së kredive.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus