Kryesore » 2011 » Tetor » 10 » Treni godet veturën, lëndohet familja nga Nabërgjani
4:42 PM
Treni godet veturën, lëndohet familja nga Nabërgjani
Katër anëtarë të familjes Iberdemaj, nga fshati Nabergjan i Pejës, kanë marrë lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjes nga treni të veturës së tyre, derisa po kalonte hekurudhën në fshatin Budisalc të Klinës. Ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 9:30 të mëngjesit. Sipas policisë lëndime trupore kanë marrë të gjithë familjarët Iberdemaj, që në momentin e aksidentit ndodheshin në veturë - ngasësi i veturës Idriz Iberdemaj (39), bashkëshortja e tij Ardita (27) dhe dy fëmijët e tyre Donita 3 vjeç dhe Trajana 3 muajsh. Zëdhënësi i Policisë, Xhevat Ibraj, ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Raportohet se Ardita dhe vajza e saj Trajana janë në rrezik për jetë, pasi kanë marrë lëndime të rënda trupore. Ato ndodheshin në anën ku treni e ka goditur veturën.
Sipas të dhënave të para të policisë, përplasja ka ndodhur deri sa vetura e tipit "Jetta” ka qenë duke kaluar mbi binarë të trenit dhe në kalim e sipër është goditur nga treni, që barte udhëtare në relacionin Prishtinë-Pejë. " Në bazë të dhënave mund të vlerësojmë se aksidenti është shkaktuar si pasojë e pakujdesisë së ngasësit të automjetit”, ka thënë Xhevat Ibraj, zëdhënës rajonal i Policisë së Kosovës në Pejë.
 Treni i kësaj linje e kishte tërhequr zvarrë mbi 55 metra veturën, në të cilën ndodheshin katër anëtarët e kësaj familjeje. Dy orë pas aksidentit në vendin e ngjarjes kanë mbërri edhe përfaqësuesit e Agjencisë së Hekurudhave të Kosovës, të cilët nuk kanë pranuar të flasin për media. Por, një punëtor, që ndodhej në ketë tren, ka treguar se shpejtësia e trenit kur e ka goditur veturën ka qenë rreth 45 km në ora, ani pse lejohet 60 km. Shoferi i trenit është ndaluar nga policia. Vetura është tërhequr nga hekurudha pas tre orësh nga aksidenti. 
Vendi ku ka ndodhur ky aksident, nuk ka farë laure, që do të pengonte lëvizjen e automjeteve kur kalon treni. Por, shenjat paralajmëruese ekzistojnë, ndonëse të vjetra.
Sipas ligjit në fuqi përgjegjës për shenjat paralajmëruese është komuna, ndërsa për laurat Agjencia Hekurudhore e Kosovës. Një punëtor i Agjencisë së Hekurudhave të Kosovës, ka thënë se nga Klina deri në Pejë ekzistojnë 48 vendkalime, në të cilat mungojnë laurat.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus