Kryesore » 2011 » Tetor » 15 » Thaçi i hëngri fjalët
12:35 PM
Thaçi i hëngri fjalët
Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetëm pas 10 muajsh i ka rënë në mend se ai gjatë fushatës elektorale ka dhënë një premtim, të cilin nuk e ka mbajtur - liberalizimin e vizave për Kosovën brenda 15 muajsh nga marrja e mandatit të ri qeverisës. Dhe duke u munduar që ta manipulojë opinionin publik, Thaçi të premten ka bërë një "lëvizje” taktike. Ai duke u munduar që t’i ndërrojë vetëm "pak” dhe "taktikisht” deklaratat nga ato që i ka dhënë gjatë fushatës elektorale, dje ka thënë se "fjalën e ka pasur për fillimin e dialogut për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, e jo për liberalizimin e vizave”."Për pesëmbëdhjetë muaj, nga janari i vitit të ardhshëm (2011), do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne do ta meritojmë liberalizimin e vizave. Brukseli nuk do të vonohet si deri më tash për perspektivën evropiane të Kosovës", pati deklaruar Thaçim më 9 dhjetor të vitit 2010, gjatë një tubimi elektoral. Por dhjetë muaj më vonë, kur Komisioni Evropian ka konfirmuar se në fund të vitit do ta nisë dialogun me Kosovën për liberalizim, i pari i qeverisë ka ndërruar deklaratën. Ai ka thënë se hapja e dialogut është pikërisht ajo që ka premtuar gjatë fushatës. 
"Unë ndihem tepër mirë që në angazhimet e mia edhe më herët në procesin e hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave e kam menduar një kohë më të gjatë, por jam i impresionuar me suksesin që kemi arritur për nëntë muaj që të fitojmë këtë të drejtë. Kemi thënë pesëmbëdhjetë muaj, kemi arritur për nëntë muaj”, është shprehur ai. Por, për anëtarët e partive opozitare deklaratat e Thaçit, janë joserioze, por edhe "fyerje të inteligjencës” së qytetarëve. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se deklarata e kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore ka kontribuuar shumë që Kosovës t’i shtyhet edhe më shumë liberalizimi i vizave, meqenëse, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron që dikush t’i fitojë zgjedhjet duke u thirrur në këtë proces.

"Rekomandimi në vitin 2009 ka qenë pozitiv, që Kosova të përfshihet (në liberalizimin e vizave). Për shkak të deklaratës që është bërë në fushatë (2010), komisionari e ka tërhequr rekomandimin pozitiv për Kosovën, duke dashur që t’ia largojë atributin për rezultatin zgjedhor në Kosovë dhe duke dashur që të mos ndikojë në rezultatin zgjedhor. Kështu Kosova ka mbetur për pesëmbëdhjetë muaj pa rekomandim pozitiv”, shprehet deputeti i LDK-së, Haziri.

Ndërsa, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, thotë se nuk është hera e parë që shefi i qeverisë manipulon opinionin duke dhënë deklarata kundërthënëse dhe të parealizueshme.

"Edhe kjo deklaratë për afatet e liberalizimit të vizave jo vetëm që është një manipulim i opinionit, por tregon papjekuri totale të Thaçit, i cili si kryeministër i vendit jep premtime reale në njërën anë, dhe në anën tjetër nuk bën asnjë veprim konkret në punën e tij, në kryerjen e detyrave të shtëpisë, të cilat do të në dërgonin në liberalizimin e vizave”, shprehet ajo.

Deputetja Kadaj-Bujupi ironizon me deklaratat e kryeministrit për liberalizim, duke e kujtuar se edhe para shpalljes së pavarësisë, Thaçi ka bërë shumë gafe sa i përket datës.

"Kjo tregon një papjekuri të tij dhe një entuziazëm që me çdo kusht të thotë atë që u pëlqen qytetarëve dhe jo të jetë i përgjegjshëm në raport me zhvillimet politike. Në çdo moment, të gjithë kohën e tij ai e fokuson te propagandimi dhe manipulimi i opinionit për t’ua marrë votat”, thekson ajo.

Edhe deputetja e Lëvizjes "Vetëvendosje”, Alma Lama, shprehet e sigurit se kryeministri Hashim Thaçi është duke i manipuluar qytetarët e Kosovës.

"Absolutisht ky është manipulim me opinionin publik, por kjo nuk është hera e parë për kryeministrin. Realisht, manipulime të tilla, sidomos për mospremtime të mbajtura ai bën çdo ditë”, thotë Lama.

Ajo thekson se edhe pse Kosova në fund të vitit do ta marrë udhërrëfyesin, qytetarët e vendit nuk do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm deri në vitin 2013, gjë që pesëmbëdhjetëmuajshin e kryeministrit e zgjat së paku në tridhjetegjashtë muaj.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus