Kryeministri Hashim Thaçi ka marr "dush të ftohtë” gjatë një takimi që ka zhvilluar me grupin parlamentar të PDK-së, të enjten. Burime të gazetës brenda kësaj partie, kanë konfirmuar për "Kohën Ditore” se një numër i deputetëve e kanë akuzuar shefin e partisë për veprime të nxituara që e dëmtojnë interesin e shtetit. "Disa prej deputetëve që njihen si më radikalë në parti, i kanë thënë haptas Thaçit se nuk është dashur të pranonte që shteti të përfaqësohet me fusnotë, e aq më pak kur në të figuron Rezoluta 1244”, ka thënë një nga deputetët e PDK-së, që ka marrë pjesë në atë takim. Ai nuk ka pranuar t’i specifikojë emrat e atyre që e kanë "kundërshtuar” Thaçin, por ka siguruar se ata janë të njëjtët që dalin në të shumtën e rasteve me qëndrime të pavarura nga ato të partisë. Se takimi i Thaçit me deputetët e PDK-së është përcjellë me tensione, e ka pranuar edhe një nga anëtarët e Kryesisë së kësaj partie."Thaçi është akuzuar nga disa deputetë për anashkalim të organeve të partisë gjatë marrjes së vendimeve. I është thënë se nëse nuk mundet t’u përballojë presioneve të jashtme, së paku të konsultohet me organet e partisë para se të dalë me ndonjë vendim madhor”, ka thënë deputeti tjetër. Po i njëjti deputet ka shtuar se disa aktivistë të vjetër të partisë nuk kanë mundur ta përpijnë faktin që për shumë zhvillime në parti e në Qeveri shumë më shpejt informohen "të rekrutuarit e rinj”, sesa ata.(INA)
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus