Kryesore » 2012 » Janar » 22 » Të vendosur ta bllokojnë Serbinë
9:19 PM
Të vendosur ta bllokojnë Serbinë
Protestuesit që janë mbledhur në rrugët magjistrale që çojnë kah pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, vazhdojnë të qëndrojnë aty që nga ora 13, ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave."Do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në orët në vijim, edhe në ditët në vijim, deri atëherë kur Qeveria e Kosovës do të thotë ‘tash do ta bëj shtetin e dinjitetshëm, do ta mbroj republikën’. Kufiri me Serbinë është ndërkombëtar, Serbia është shtet armik dhe nuk do të lejohet ndërhyja dhe hyrja e saj”, ka thënë Kurti, që po qëndron me protestuesit në dalje të Podujevës.Ekzekutivi i vendit, ndërkaq, në një deklaratë për media e ka quajtur protestën e Vetëvendosjes si politike dhe të panevojshme.Qeveria ka theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, por "një gjë e tillë nuk mund të keqpërdoret nga askush dhe për asnjë qëllim”.

"Kjo protestë, që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

Por, Albin Kurti, ka bërë të ditur se reciprociteti të dielën e 22 janarit po zbatohet, meqë, sipas tij, nuk është lejuar që të hyjë nga Serbia asnjë kamion apo automjet i vogël me targa serbe."Prej se ka filluar kjo protestë paqësore po zbatohet reciprociteti i plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, për shkak se asnjë maune, asnjë makinë e Serbisë nuk po kalon. Pra, motoja jonë ‘Serbia nuk kalon’ po zbatohet dhe Policia e Kosovës është ajo që nuk po na i sjell maunet dhe veturat e Serbisë në brendi të territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti, subjekti parlamentar të cilin e drejton, ka bërë thirrje që të mbahen protestat që synojnë ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Policia e Kosovës, e cila nuk ka lejuar afrimin e protestuesve në vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, ka raportuar për situatë të qetë.

"Deri më tani nga ana e protestuesve është bllokuar njëra korsi e magjistrales dhe mund të themi se situata është e qetë duke mos u evidentuar asnjë incident”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai ka theksuar se varësisht nga ndryshimi i situatës, "Policia e Kosovës veprimet e veta do t’i ndërmarrë konform procedurave dhe autorizimeve ligjore”.

Që nga fillimi i protestës, në orën 13, e deri më tash nga pika kufitare në Merdare, sipas njoftimeve nga terreni, nuk ka hyrë asnjë automjet apo kamion me targa të Serbisë. Një kamion me tabela të Shkupit të Maqedonisë është lënë i lirë të kalojë nga ana e protestuesve.

Ndërkaq, nga rruga magjistrale që çon te Dheu i Bardhë, njoftohet se deri tash janë kthyer nga protestuesit disa automjete të vogla me tabela të shtetit serb.
Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në afërsi të vendkalimit Dheu i Bardhë, për shkak se ka tentuar t’i heqë tabelat serbe një makine në qarkullim.Po ashtu, Policia ka njoftuar përmes një komunikate për media se gjate ditës së diel në pikëkalimin kufitar Merdare kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre të tjerë kanë kaluar në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa përcaktuar se çfarë tabela kishin këto automjete.

Në protestën e zhvilluar në Podujevë, ka qëndruar dhe ish-ambasadori i misionit verifikues të OSBE-së, Uilliam Uoker, i cili ka thënë se ka ardhur që të shohë për së afërmi protestat për bllokimin e mallrave serbe në Kosovë, të cilat në javën e kaluar rezultuan me përplasje ndërmjet policisë dhe protestuesve."Kam ardhur sot për të parë protestat, për të parë reagimin e policisë ndaj protestuesve. I kam parë raportet për protestat e javës së kaluar ku Qeveria tha se policia ka vepruar në mënyrë proporcionale, por Amnisty International dhe disa OJQ-të të tjera kanë mendime të tjera se çfarë ka ndodhur. Kështu që kam dëshiruar të vij dhe ta shoh vetë se çka po ndodh.”, ka thënë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Uilliam Uoker.

Uoker nuk ka komentuar vendimin e Vetëvendosjes që të organizojë protesta në rrugë për bllokimin e mallrave serbe, por është shfaqur skeptik në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës karshi Kuvendit të Kosovës.

"Nuk i di detajet, e di që Qeveria ia ka dalë të kthejë një akt parlamentar, dhe kjo më ngjall pak dyshimet. Por, frikësohem se nuk kam përgjigje të plotë në lidhje me këtë”, ka theksuar Uoker, i cili është shprehur se përderisa protestat janë paqësore, nuk sheh arsye pse duhet të kundërshtohen ato.

"Kështu po ndodh në shumë pjesë të botës, bota po i mirëpret protestat publike në Siri, Libi, Egjipt, edhe këtu ka protesta, dhe nuk shoh pse duhet kundërshtuar këto protesta, përderisa ato janë paqësore”, ka shtuar Uoker.

Lëvizja Vetëvendosje nuk hoqi dorë nga protestat e 22 janarit në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën "jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes dhe thanë se protestat e së dielës të 22 janarit, synojnë mbrojtjen e republikës dhe prodhimit vendor.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus