Bora e madhe që këtë fillimjavë e mbuloi tërë rajonin e Prizrenit, në dy ditët e fundit telashe më të mëdha u ka shkaktuar ngasësve të automjeteve dhe atyre që për çdo ditë udhëtojnë për në vendet e punës. Nga shumica e rrugëve, përfshirë edhe ato kryesoret në vet qytetin e Prizrenit, të martën dhe të mërkurën nuk është arritur që të menjanohet bora, e zyrtarët komunalë dhe ata të policisë kanë bërë fajtore ndërmarrjet që kanë fituar tenderët për pastrimin e borës edhe gjatë këtij dimri. Hasan Hasani, drejtor për Shërbime Publike, ka thënë se Komuna me kohë i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, me qëllim që gjatë stinës së dimrit mos të ketë asnjë problem. "Nga buxheti komunal ne kemi siguruar mjete të nevojshme për këtë qëllim, ndërkaq që përmes tenderimit, kemi kontraktuar tri kompani që do të merren me pastrimin e rrugëve dhe terrenit, si në qytet, ashtu edhe në vendbanimet rurale”, ka thënë Hasani.
Për mosefikasitetin e këtyre tri kompanive në rastin e borës së parë, ka dhënë vërejtje edhe drejtori i policisë rajonale për komunikacion, Lulëzim Shala, i cili ka propozuar që në rast se këto kompani nuk do ta kryejnë punën si duhet, policia do të bëjë edhe fletëparaqitje tek gjykata kompetente.
Më të zëshmit në reagime ishin dy partitë në këtë qytet, LDK-ja dhe BD-ja, të cilat përmes komunikatave për medie, tërë fajin për këtë gjendje e bartin tek pushtetarët komunalë.
" Në rrugët e Prizrenit pa fije kripe po trashet bora, ndonëse qeveria Muja thotë se ka kontraktuar kompani për mirëmbajtjen e rrugëve, ato nuk shihen rrugëve”, ka thënë Nderim Gashi nga departamenti për informim pranë LDK-së, duke shtuar se informacionet nga terreni flasin për bllokim të tërësishëm të rrugëve të fshatrave, dhe banorët e pjesëve rurale janë të detyruar që vet të intervenojnë, ngase qeveria lokale "është mbuluar nga paaftësia, korrupsioni dhe bora”.
Bllokimi i të gjitha fshatrave të komunës dhe shumë lagjeve të qytetit, për Bashkimin Demokratik – sipas zëdhënësit Maxhun Krasniqi - tregon paaftësinë e qeverisë Muja për t’i ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë e veta për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus