Reshat Maliqi kishte përkrahur blerjen e veturave Ford ose Opel, përmes një tenderi i cili është anuluar për shkak të parregullsive. Ish-Drejtori i Policisë dyshohet edhe për dëmtim të pronës së Policisë dhe keqmenaxhim të buxhetit. Për më tepër, ai ende banon në objektin banesor të kompanisë "Beni Dona”, e cila e furnizon me ushqime njësitë speciale.Planin për blerjen e veturave Opel Astra për Policinë e Kosovës e kishte përkrahur ish-drejtori Reshat Maliqi. Kjo ka nxitur dyshime për arsyet që e shtyn Maliqin që të lobojë që policia të përcaktohet për këtë markë të veturave. Siç dihet, kur ishin bërë specifikimet teknike në tenderin "Furnizim me vetura për Policinë e Kosovës”, është shkelur Ligji i Prokurimit Publik, pasi ishte favorizuar vetëm një operator ekonomik, duke eliminuar konkurrencën ndërmjet kompanive. Kështu vlerësoi në një vendim të vetin Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Por cili ka qenë roli i Reshat Maliqit në këtë çështje?
Në një takim të udhëheqësve të Policisë së Kosovës, Maliqi kishte insistuar që të blihen veturat e tipit Ford ose Opel.
"Jam i informuar lidhur me këtë çështje sa u përket veturave dhe unë do të dëshiroja që të përcaktohemi për tipin e veturave Ford apo Opel, sepse janë më ekonomike, pjesët mendoj i kanë më të lira dhe ne duhet të përcaktohemi për vetura evropiane”, citohet të ketë thënë Maliqi në atë mbledhje, procesverbalin e të cilës e ka siguruar Express.
Kjo, mohohet nga ish-drejtori.
Në një bisedë për Express, Maliqi ka treguar se në tenderin "Furnizim me vetura për Policinë e Kosovës” nuk kishte insistuar asnjëherë të blejë vetura të markës Opel Astra.
"Këtu s’jemi përcaktuar për çfarë lloji të veturave, por kemi biseduar për vetura që na kushtojnë më lirë, pasi që kemi probleme me vetura të dëmtuara, të cilat i përdorim dhe nëse do të kishim vazhduar me të njëjtat, çmimi do të ishte më i lartë”, thotë Maliqi, për Express.
Por, nuk është vetëm ky tender që hedh dyshime mbi figurën e ish-kryepolicit.
Burime të Express thonë se Reshat Maliqi sa ishte në pozitën e drejtorit të Policisë së Kosovës ka bërë shkelje, keqpërdorime, dëmtim të pronës së Policisë, keqmenaxhim të buxhetit të këtij institucioni, si dhe ishte futur në konflikt interesi me rastin kur kishte marrë një banesë me qira nga kompania e cila furnizonte me ushqim njësitë speciale të policisë.
"Këto shkelje mund të dokumentohen me çështjen e automjetit zyrtar të Policisë së Kosovës, me targat 001-001. Ky automjet është pjesë e automjeteve të reja, që kishin arritur kah fundi i vitit 2010 dhe ishte destinuar për Policinë, por drejtori i ri (Maliqi) vendos të ndërrojë destinimin e veturave dhe një nga to e ndan për vete, edhe pse kishte në dispozicion edhe tri automjete të tjera, po ashtu të reja, një apo dy vjet”, ka thënë burime të gazetës.
Përveç kësaj, dyshohet se Maliqi ka keqmenaxhuar buxhetin e Policisë në këtë rast, pasi ia ndërroi edhe ngjyrën automjetit që e kërkoi për vete.
"Me këtë veprim ai dëmton buxhetin diku rreth 700 euro, pasi që kaq apo edhe më shumë kushton ngjyrosja e një automjeti, pastaj ngjyra, mëditja e punëtorëve, rrymë e mjete të tjera”, ka thënë burimi i Express.
Përveç kësaj, dyshohet se ish-drejtori është futur në konflikt interesi dhe ka bërë shkelje të kodit të etikës, në momentin kur ai mori banesë me qira në objektin banesor të kompanisë "Beni Dona”, e cila i furnizon me ushqim njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
"Ish-drejtori kishte marrë banesë me qira për nevoja personale nga kompania ‘Beni Dona’ që nga fillimi i vitit 2011. Ky është konflikt interesi, pasi që kompania ‘Beni Dona’ është kontraktor i PK’së. Ai furnizon njësitë speciale me ushqim”, ka thënë burimi i gazetës.
Por të gjitha këto dyshime për keqpërdorime e shkelje, Maliqi i hedh poshtë. Ndërsa, për dyshimin e ngritur se ai kishte keqpërdorur buxhetin e këtij institucioni, kur kishte ndërruar ngjyrën e veturës së tij, ai thotë se me këtë çështje nuk është marrë vetë.
"Ajo është çështje e logjistikës, nuk ka qenë çështje imja të kërkoj ngjyrë të veturave. E unë nuk i di shërbimet mbështetëse çka kanë bërë”, ka thënë Maliqi.
"Edhe nëse duhet t’i ngjyrosim veturat nuk është dëmtim siç e quani ju, por prapë me atë çështje është marrë logjistika dhe nuk ka qenë kërkesë imja të përshtat ngjyrën”.
Ai pranon se është duke banuar me qira në objektin e kompanisë "Beni Dona”, e cila furnizon me ushqim njësitë speciale.
"Po, është e vërtetë që banoj aty dhe do të qëndroj për pak kohë, pasi që shtëpinë të cilën e kam pasur, e kam shitur dhe tash kam blerë banesë në një lokacion tjetër”, tregon Maliqi.
Tash, ai tregon se është rikthyer në Policinë e Kosovës.
Që nga 7 shtatori, Reshat Maliqi është emëruar drejtor i Drejtorisë për Analiza Politike e Zhvillimore të Policisë së Kosovës.
"Që nga e premtja kam filluar punën në këtë pozitë dhe vetë kam pranuar të sistemohen këtu”, thotë Maliqi.
Gjetjet e OSHP’së
Sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Policia e Kosovës në tenderin për "Furnizim me vetura” kishte favorizuar vetëm një operator ekonomik, duke i përshtatur specifikat teknike që përputheshin vetëm me veturën e tipit "Opel Astra”. Por, pasi OSHP konstatoi shkeljet, e çoi në ritenderim këtë aktivitet të prokurimit. Në një vendim të këtij organi thuhet se ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet dhe se autoriteti kontraktues duhet t’i bëjë ndryshimet e specifikimeve teknike dhe të veprojë në pajtim me nenet 7 dhe 28 të Ligjit të Prokurimit në tenderin "Furnizim me vetura për Policinë e Kosovës”.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus