KFOR-i ka identifikuar protestuesit serbë që në fund të muajit të kaluar qëlluan me armë ushtarët ndërkombëtare në Jarinjë. Lajmin e ka bërë të ditur komandanti i KFOR, Erhard Drews, i cili në një konferencë për shtyp ka akuzuar si organizator të sulmit biznesmenin serb Zvonko Veselinovic dhe vëllain e tij. Sipas raportimeve të RTK, Veselinovic njihet si një ndër eksponentët kryesorë të krimit të organizuar serb në veri të Kosovës. Drews i është referuar pamjeve të xhiruara që zotëron KFOR-i, gjatë një takimi me një grup gazetarësh nga Serbia që Veriu i Kosovës."Ne kemi pamjet e këtij sulmi, si dhe të sulmit tjetër në Jagnjenicë, i cili është organizuar nga vëllai i Veselinovic. Ushtarët tanë kishin autorizim për të përdorur armët, por nuk e bënë këtë pasi nuk arritën të dallonin serbët që gjuanin me bomba molotov nga serbët e carmatosur”, ka deklaruar Drews. Dhjetra ushtarë të KFOR-it mbetën të plagosur në dy sulmet e regjistruara në fund të nëntorit në veri të Kosovës, teksa përpiqeshin të hiqnin barrikadat e vendosura nga serbët. Sulmet në fjalë bënë që misioni i NATO-s të reagonte duke njoftuar "mbushjen e armëve” dhe madje që vetë sekretari i përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen të deklaronte se, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR janë të papranueshme. Gjithashtu ngjarjet bënë që liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian t’i refuzonin Serbisë statusin e vendit kandidat, veprim të cilët serbët nuk e pritën mirë, pasi dogjën flamurin e BE-së.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus