Shkolla e doktoratës, ashtu siç kanë qejf ta quajnë krerët e arsimit në vend, nuk u hap këtë vit, ndonëse për këtë pati shumë premtime. Kandidatët për doktoratë për çdo muaj që nga shtatori kanë qenë në pritje të publikimit të konkursit për studimet e doktoratës. Një nga datat më të sigurta ishte paraparë 22 nëntori, pasi Senati i Universitetit të Prishtinës (UP), tre ditë më parë pati miratuar programet e njësive akademike që kanë aplikuar për doktoratë. Mirëpo, as në këtë datë nuk u shpall konkursi. Kandidatët për doktoratë mund të shpresojnë vetëm për vitin e ardhshëm dhe atë për të konkurruar në gjashtë fakultete, pasi pjesa tjetër e fakulteteve që iu lejohet hapja e studimeve të doktoratës nuk janë shprehur të gatshëm të organizojnë këto studime. Marrëveshjet e lidhura ndërmjet UP-së me institucione dhe universitete perëndimore është një nga pikat që Rektorati i është referuar vazhdimisht se do të ketë përkrahje për të hapur këto studime.
Pavarësisht kësaj, ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka deklaruar se është i gatshëm të kontribuojë për përshpejtimin e hapjes së këtyre studimeve. Madje, ai ka thënë se do të angazhohej për të sjellë profesorë nga jashtë vendit, nga universitete me renome, pa hezituar të përmendë universitete me renome si Oksford e Kembrixh.
Por, sipas tij, kjo nuk i është kërkuar ndonjëherë. Buja ka shprehur këtë qëndrim të tij gjatë një takimi që ka mbajtur me Sindikatën e Arsimit, ku nga disa mësimdhënës të interesuar për doktoratë i është kërkuar informacion se kur do të hapet kjo shkollë. Ndërkaq, ministri ndër të tjera ka thënë se e duan shumë këtë shkollë të doktoratës dhe e sheh të çmueshme hapjen e saj.
Buja për të arsyetuar veten se është angazhuar për këtë çështje ka bërë të ditur bashkëbisedimin që ka pasur me një profesor nga stafi i UP-së, e që i ka deklaruar ministrit se "nuk ka mjaft staf akademik për të organizuar studimet e doktoratës”. Por, ministri duke dashur të arsyetojë se UP ka kushte dhe kuadër për këto studime ka bërë të ditur se kishte pyetur këtë profesor se ku i kishte kryer ai studimet e doktoratës, që kishte rezultuar se në UP.
Përderisa UP ka pasur kushte dikur të organizojë këto studime, Buja ka lënë të në kuptohet se ka dhe tash...E nga ana e tyre zyrtarë të UP-së, nuk e kanë parë me vend propozimin e Bujës për të sjellë kuadër nga jashtë.
Përkundrazi, prorektori për çështje akademike në UP, Bajram Berisha ka thënë se nuk e sheh si të mundur realizimin e propozimit të ministrit, sidomos për sjelljen e profesorëve nga jashtë vendit. "Nuk e di sa është i mundur ky propozim i ministrit që të vijnë profesorë nga jashtë”.
Ndërsa, në anën tjetër, ka thënë se UP-ja ka dy programe të Tempus-it për studime të doktoratës që përmes tyre ka mundësi bashkëpunimi me universitete evropiane dhe sjelljen e profesorëve nga këto universitete si profesorë dhe si mentorë bashkëpunëtorë, pasi dhe pagesa bëhet përmes këtyre programeve.
Berisha ka deklaruar se UP ka edhe staf tjetër që do ta angazhojë në studimet e doktoratës dhe se stafi nuk është arsye pse këto studime nuk hapen dhe në njësitë tjera akademike të UP-së, e të cilave krerët e Rektoratit kanë konfirmuar se iu kanë bërë mjaft presion.
Një nga arsyet, sipas tij që fakultetet tjera nuk kanë konkurruar me programe, Berisha ka thënë se disa fakultete kanë mjaft studentë me sistem të vjetër në doktoratë dhe disave iu duhet kohë për t’u përgatitur për hapjen e këtyre studimeve, pasi ka sqaruar se me sistemin e Bolonjës për t’u shpallur konkurs për doktoratë duhet të formohen programe.
Megjithëkëtë, Berisha ka thënë se UP-ja do të hapë konkursin për doktoratë në fillim të janarit. Ndonëse Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) pati deklaruar një javë më parë se konkursi për studime të doktoratës nuk mund të hapet pa kaluar këto programe në procesin e akreditimit, duke sqaruar se ligji e obligon Rektoratin se pa marrë akreditim këto programe nuk mund të ofrohen për studim, sipas Berishës, UP-ja ka marrë letër nga AAK-ja ku i lejohet të hapë konkursin në 25 programe në gjashtë fakultetet që kanë dorëzuar programet për hapje të doktoratës.
Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN), Fakulteti i Filologjisë, Ekonomik, Mjekësisë, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) dhe Fakulteti i Shkencave Sportive janë fakultetet që do të hapin këto programe. Berisha ka bërë të ditur se në letrën e AAK-së i bëhet me dije UP-së se mund të fillojë me doktoratën, por njëkohësisht të vazhdohet vlerësimi i programeve nga AAK-ja.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus