Kryesore » 2011 » Dhjetor » 15 » Studentëve u erdhi dita!
2:41 PM
Studentëve u erdhi dita!
Studentët e Universitetit të Prishtinës i janë përgjigjur, të mërkurën, rreth 1500 pyetësorëve, duke dhënë opinionin e tyre rreth kushteve dhe studimeve në këtë universitet. Njëzet pyetje që janë parashtruar në pyetësorët e ndarë për studentët e Fakultetit Ekonomik dhe atij Filozofik, kanë përfshirë gjithë problemet dhe vështirësitë në të cilat mund të hasin studentët. Duke filluar me pyetje të përgjithshme nëse janë të kënaqur apo jo me procesin mësimor gjatë vitit akademik 2010-2011, ka zbatim të reformave në fakultet sipas sistemit të Bolonjës, rreth punës praktike, mënyrës së ligjërimit, mbajtjes së konsultimeve, nëse vlerësimi që iu bëhet nga ana e profesorëve është korrekt, sesa janë funksionale dekanatet, nëse ka keqmenaxhim në fakultete, cili është niveli i shërbimeve të administratës, korrupsionit dhe politikës në fakultet...për studentët janë parashtruar gjithashtu dhe pyetje specifike që është kërkuar të jepen emrat e profesorëve (asistentëve) tek të cilët studentët kanë vërejtje për mosrespektim të orarit të ligjëratave dhe të drejtave të tyre (studentëve). Studentët janë përgjigjur edhe rreth (mos)përmbushjeve të premtimeve të dhëna për kushte më të mira në UP nga Ministria e Arsimit dhe Rektorati. Ky monitorim i cilësisë së studimeve në UP, i nisur nga Parlamenti Studentor (PS) ka gjetur mbështetje te studentët. 

"Na erdh dita edhe neve”, ka qenë brohoritja e studentëve në një nga grupet e drejtimit të shkencave politike në Fakultetin Filozofik, në rundin e dytë të shpërndarjes së pyetësorëve në këtë fakultet që është bërë rreth orës 13:00, përderisa grupi i parë i pyetësorëve është shpërndarë para orës 12:00.

Studentët e Filozofikut kanë kërkuar më shumë angazhim nga ana e PS-së që të kenë besim se do të realizohen denoncimet e tyre në pyetësor. Të mërkurën, pyetësorët janë shpërndarë dhe në Fakultetin Ekonomik ku shpërndarja dhe plotësimi i pyetësorëve nga studentët është bërë që nga ora 08:00 e mëngjesit për vitet e para dhe të dyta.

Studentët kanë mirëpritur pyetësorët dhe kanë plotësuar pa hezitim, përderisa nuk është dukur ndonjë hezitim as te profesorët, të cilët janë njohur me pyetësorët me fillimin e shpërndarjes së tyre gjatë mbajtjes së ligjëratave në prezencë të profesorëve që kanë qenë edhe të etiketuarit në pyetësorë për të cilët është kërkuar mendim specifik nga studentët. Ndërsa për vitet e treta të këtyre fakulteteve shpërndarja e pyetësorëve do të bëhet të hënën.

Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Mentor Hasani iu ka bërë thirrje studentëve të denoncojnë keqpërdorimet, padrejtësitë që iu bëhen atyre dhe të ankohen për problemet që iu dalin në fakultet dhe i pengojnë gjatë studimeve, duke i siguruar kështu të mos kenë frikën e hakmarrjes, pasi në pyetësor nuk kërkohet emri i tyre, por vetëm fakulteti apo dhe drejtimi i studimeve.

Hasani ka deklaruar se njerëzit që keqpërdorin detyrën e tyre zyrtare duhet të largohen prej UP-së. Ai ka apeluar te studentët që të mos presin më shumë se 15 minuta një profesor që vonohet në ligjërata dhe këtë menjëherë ta denoncojnë te zyrat e PS-së.

Hulumtimi rreth gjendjes në Universitet do të vazhdojë dhe ditët e ardhshme në njësitë tjera akademike të UP-së, me qëllim që të identifikohen të gjitha problemet që përballen studentët. Gjithsej është paralajmëruar të deklarohen 5000 studentë si mostër e paraparë për të nxjerrë konkludimet dhe kërkuar ndëshkimin e shkelësve të ligjit në UP nga ana e PS-së.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus