Kryesore » 2012»Gusht»26 » Skënderaj: Gjatë këtij viti, tre abuzime seksuale me të mitura
1:40 PM
Skënderaj: Gjatë këtij viti, tre abuzime seksuale me të mitura
Abuzimet seksuale me të mitura është një tjetër dukuri e re negative e cila po i brengosë qytetarët e Komunës se Skënderajt, por jo aq edhe institucionet kompetente. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti në komunën e Skënderajt janë abuzuar seksualisht 3 vajza të mitura, njëra prej tyre fëmijë 11 vjeçe. Lidhur me këtë dukuri të shëmtuar, përmes një komunikate ka reaguar Qendra e Gruas "Prehja” në Skënderaj, e cila ka dënuar këto akte dhe ka kërkuar nga institucionet të jenë në nivelin e përgjegjësive që kanë. "QG "Prehja” i ka përcjellë nga afër këto ngjarje si dhe reagimin e institucioneve kompetente, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, Njësia për të Drejtat e Fëmijëve e Komunës, Policia dhe organet e drejtësisë, dhe me përjashtim të angazhimeve të QPS-së, me punën e organeve të tjera nuk jemi të kënaqur”, thuhet në komunikatën për media të nënshkruar nga Ajnishahe Halimi, drejtoreshë ekzekutive e QG-së..Në komunikatë potencohet angazhimi i duhur i policisë në Skënderaj por, thuhet se informimi i opinionit në rastet e tilla ka vonesa gjë qe po përjetohet si tentim i minimizimit apo fshehjes nga opinioni i rasteve të tilla. "Prehja” në veçanti ka kritikuar prokurorët të cilët po i lirojnë të dyshuarit, kurse rastet po i dërgojnë në procedurë të rregullt, e cila në gjendjen që është gjyqësori në rajonin e Mitrovicës, zgjatë pafundësisht. "Kjo i ka irrituar qytetarët e sidomos në rastin e fundit, ku subjekt i ngacmimit seksual ka qenë një 11 vjeçare, kurse i dyshuari zyrtar i një kompanie publike i cili madje as nuk është suspenduar nga puna”, ka deklaruar Halimi.
Veprimi i tillë i prokurorit dhe eprorëve të kompanisë ka irrituar familjarët e viktimës, të cilët kanë reaguar duke marrë drejtësinë në duar dhe duke shkaktuar incident me përmasa të veprës penale qe ka mund të përfundojë me fatalitet.
QG "Prehja” ka kritikuar për mosveprim edhe autoritetet dhe organet komunale në Skenderaj, të cilat me mburrje deklarohen se Skenderaj është ndër komunat më të qeta në Kosovë. Me këtë rast për mosreagim është kritikuar Njësia për të Drejtat e Fëmijëve, që vepron në kuadër të Drejtorisë komunale për Administratë. "Për ironi të fatit, reagim nuk ka pasur as nga Asambleja Komunale, veçanërisht gratë asambleiste, të cilave si duket fakti se fëmijët abuzohen seksualisht, nuk u bën përshtypje, ka deklaruar Halimi, e cila atyre ua ka përkujtuar rastin kur vitin e kaluar kishin votuar për përjashtimin nga shkolla të një nxënëseje 16 vjeçare.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus