Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë, ka shprehur interesimin që ta shndërrojë në "Muze të Arsimit", shtëpinë e Mehmet Aliu-Hertica nga Prishtina.Figurativisht kjo shtëpi simbolizon të gjitha shtëpitë shkolla të dhuruara me qëllim të shkëputjes së tërësishme të sistemit të arsimit , nga një shtet represiv me qëllime asimiluese. Janë mijëra familjarë anë e kënd Kosovës, të cilët gjatë viteve 1992- 1999 lejuan shtëpitë e tyre për zhvillimin e mësimit shqip. Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, ka vizituar kryefamiljarin Mehmet Aliu në Lagjen Kodra e Trimave, në shtëpinë e të cilit atë kohë zhvilloi procesin mësimor gjimnazi "Sami Frashëri" i Prishtinës. Ai, me këtë rast, e njoftoi pronarin se Ministria e Arsimit, ka shprehur interesim që shtëpia e Mehmet Aliu-Hertica të shndërrohet në "Muze të Arsimit" të Arsimit të Republikës së Kosovës ."Kjo shtëpi dhe mijëra shtëpi e familje anë e kënd Kosovës bënë që arsimi të frymojë shqip në kohët më të vështira të regjimit serb. Këta familjarë , arsimtarët dhe kontribuues të tjerë, janë heronj të një kohe shumë të vështirë të rrugëtimit të pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje të përhershme për të gjithë ata që krijuan mundësi që të vihen themelet e institucioneve të pavarura arsimore dhe të institucioneve tjera shtetërore të Kosovës", tha Mustafa. Nga ana e tij, Mehmet Aliu u shpreh i kënaqur me interesimin e Ministrisë së Arsimit që shtëpia e tij të shndërrohet në "Shtëpi Muze". Ai gjithashtu shtoi se kontributi i tij dhe i mijëra të tjerëve si ai në Kosovë s`është veçse një borxh ndaj atdheut, ndaj gjeneratave të reja ndaj ardhmërisë sonë . Jam i lumtur që kam pasur mundësi të jem pjesë e këtij procesi të shtetëformimit të Kosovës dhe besoj që këtë ndjenjë e kanë të gjithë ata që liruan shtëpitë e tyre për këtë çështje", tha Aliu. Ndryshe, Ministria e Arsimit , të premten 20 janar 2012, do të mbajë akademi solemne me rastin e 20 vjetorit të pavarësimit të shkollës shqipe, fillimit të mbajtjes së mësimit në shtëpitë shkolla
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus