Një ditë pas arritjes së marrëveshjeve të para mes Prishtinës dhe Beogradid, me ndërmjetësimin e BE-së, janë dhënë edhe disa detaje të reja rreth asaj se si do të zbatohen disa nga marrëveshjet e arritura. Te shtunën mbrëma, palët kishin rënë dakord për tri pika që përfshijnë lirinë e lëvizjes, regjistrin civil dhe njohjen e diplomave universitare dhe shkollore.Por, të dyja palët kishin dhënë edhe interpretime politike, diametralisht të kundërta të asaj që është arritur.Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, e kishte quajtur këtë si një hap të parë drejtë njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa shefi i delegacionit serb Borko Stefanoviq, tha se në këtë mënyrë është mbrojtur sovraniteti i Serbisë, mbi, siç tha ai, Kosovën dhe Metohinë.Ndërmjetësi i BE-së, Robert Kuper, nënvizoi se këto marrëveshje nuk kanë të bëjnë fare me statusin e Kosovës dhe qëndrimet e palëve rreth këtij statusi.BE-ja ka sqaruar se një komitet i përbashkët tashmë i krijuar dhe i kryesuar nga EULEX-i, do të vazhdojë të identifikojë zbrazëtirat në regjistrin e pagjetur civil. EULEX-i do të certifikojë kopjet e të gjitha origjinaleve e regjistrit civil, me qëllim të përpilimit të një regjistri gjithëpërfshirës në Kosovë. Robert Kuper, i cili ndërmjetëson në emër të BE-së dialogun, tha se qëllimi është që Kosova të ketë një regjistër civil të besueshëm, të cilin Kosova në këtë moment nuk e ka.
Ai shtoi se kjo do të ndihmojë edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër falsifikimit të dokumenteve.
Marrëveshja e dytë që është arritur të shtunën, është ajo për lirinë e lëvizjes. Edita Tahiri, shefe e delegacionit të Kosovës, ka thënë se këtu do të ketë reciprocitet të plotë, dhe se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët të udhëtojnë nga një shtet në tjetrin, me dokumentet e tyre të identifikimit.
Pala serbe ka bërë të qartë se fjala është vetëm për karta identiteti, e kurrsesi për pasaporta, të cilat janë simbol shtetësie.
Duke folur për këtë pjesë të marrëveshjes, për lirinë e lëvizjes, Robert Kuper ka thënë se lëvizja e lirë është një ndër themelet e BE-së, dhe liria e lëvizjes në Ballkan jo vetëm që ndihmon njerëzit, por e bën edhe Ballkanin një zonë më shumë evropiane dhe e sjellë më afër BE-së.
Në deklaratën për shtyp të Bashkimit Evropian, thuhet se marrëveshja për lëvizjen e lirë mbulon personat që do të kenë mundësi të udhëtojnë përtej kufirit, apo kufirit administrativ, varësisht se nga cila palë shikohet, në bazë të kartave të identitetit, përfshirë po ashtu edhe sigurimin e automjeteve dhe tabelat e regjistrimit.
Sa i përket njohjes së diplomave shkollore dhe universitare, për çka thuhet në deklaratë, palët janë pajtuar në parim, kjo do të bëhet përmes certifikimit nga një trup ndërkombëtar, për të cilin do të pajtoheshin të dyja palët, apo nga një institucion i tretë akademik.
Robert Kuper, si kryesues i dialogut, lidhur me afatet se kur do të mund të nisë zbatimi i marrëveshjeve, ka thënë se ato do të hynë në fuqi sapo të jenë të zbatueshme nga aspekti operativ, ndërsa implementimi, sipas tij, do të mbikëqyret edhe nga BE-ja.
Ka paralajmëruar se grupet punuese për lirinë e lëvizjes, do të mund të nisin punën menjëherë javën që vjen, ndërsa për disa pika tjera do të duhet pak më shumë kohë për t’u përgatitur zbatimi i tyre.
Zyrtarë të BE-së kanë pranuar se nuk do të ketë nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje, por këto pika për të cilat palët kanë rënë dakord, janë përfshirë në një dokument të quajtur "Konkluzat e Kryesuesit”, ndërsa palët do të marrin përgjegjësinë për ta zbatuar pa pasur nevojë të nënshkruhen ato.
Takimi i radhës, në kuadër të dialogut, pritet të zhvillohet para fundit të këtij muaji, dhe në BE, ka optimizëm që do të arrihen edhe marrëveshje të reja.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus