Numri i punëtorëve të krahut që çdo ditë presin për punë në kryeqytet po rritet. Ndërkaq, mundësitë për të gjetur ndonjë punë janë fare të vogla. Të zhgënjyer, ata fajësojnë institucionet e vendit që nuk po bëjnë asgjë për hapje të më shumë vendeve të punës. Ata që edhe prisnin që dikush t’u ofronte ndonjë punë dje në mesditë në "lamën” e krahut afër tregut të gjelbër ishin të shumtë. Ndodh të kenë fat dhe të gjejnë ndonjë punë por ndodh që edhe me ditë të presin nga mëngjesi e deri në mbrëmje dhe të kthehen në familje duarthatë. Brahim Muji nga Prishtina, kishte tre ditë që më kot priste t’i afrohej dikush edhe t’i ofrontë punë, qoftë edhe për dy euro. " Nuk ka vëlla, punë. Ka ra shumë. Rrallë ndodh të na afrohet dikush. Por edhe kur na marrin na trajtojnë si me qenë skllëver. Është shumë e vështirë. I kam 6 anëtarë të familjes, e me një social prej 75 eurosh nuk mundem me mbijetu, prandaj edhe dy euro janë të mëdha”, thotë Muji. Ata që presin punë këtu nuk janë vetëm nga Prishtina. Madje më së paku janë kryeqytetas. Vijnë nga vende të ndryshme, sepse në Prishtinë mbase ka më shumë punë. Fejzullah Podrimçarku, edhe pse i shtyrë në moshë, kishte ardhur nga Drenasi.
" Për ne është shumë vështirë. Ky shtet paska qenë veç për qeta qeveritarët. Veç nëse ke ma shumë se 10 anëtarë të familjës e ju siguron shumë vota ndodh me ta gjet ndonjë punë. Përndryshe jo. Të lënë me vdek më mes të udhës”, thotë Podrimçaku. Në radhën e gjatë të atyrë që prisnin ishte edhe Blerim Lahi.
Ai thotë se ka ditë që askush s’i ka afruar ndonjë punë. "Kam shkuar në Entin për Punësim, na kanë premtu po kurrë s’na kanë thirrë”, thotë ai duke u ankuar se ka shumë punëtorë, jo vetëm prej qyteteve tjera por edhe nga Shqipëria.
Sipas Entit të Statistikës, numri i të papunëve të evidencuar në Kosovë shkon në 382 mijë. Prej tyre, Prishtina prin me 65.000 të papunë. Megjithatë, kjo mund të mos jetë reale sepse shumica e të papunëve as që paraqiten në Entin e Punësimit.
Madje, njohësit e problematikës thonë se realisht 60 për qind e kosovarëve janë të papapunë. Mosha mesatare e të papunëve në Kosovë, është 18 - 35 vjeç, shumica prej të cilëve konsiderohet të jenë të pakualifikuar, gjë që sipas hulumtimeve të bëra, e vështirëson edhe më shumë mundësinë e punësimit të tyre në të ardhmen.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, mbi një e treta e popullsisë në Kosovë jetojnë nën vijën e varfërisë absolute, do të thotë me 1.5 euro në ditë. Sipas këtyre statistikave, mbi 12 për qind jetojnë madje nën vijën e varfërisë së skajshme, me më pak se 1.02 euro në ditë.
Sipas statistikave varfëria ka bërë që në fund të marsit mbi 35 mijë familje jetojnë me asistencë sociale, nga të cilat Prishtina sërish prin me rreth 9.500 familje me rreth 21 mijë pjesëtarë.
Protagonistët e këtij shkrimi, Brahimi, Fejzullahu, Brahimi...janë vetëm pjesë e këtyre shifrave që pasqyrojnë realitetin e dhembshëm të atyre që çdo ditë dalin për t’u shitur në tregun e krahut të punës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus