Kryesore » 2011 » Tetor » 8 » Shtohen azilantët shqiptarë (+VIDEO)
3:37 PM
Shtohen azilantët shqiptarë (+VIDEO)
Pas alarmit të Komisionit Europian për rritjen e përqindjes së azilkërkueseve nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, të dhënat publike të Komisariatit të Përgjithshëm belg për Refugjatet dhe Apatridët konfirmojnë këtë rritje. Ndërsa në 6 muajt e parë të vitit 2011 janë shënuar mesatarisht rreth 25 aplikime në muaj, dy muajt e fundit kanë shënuar një rritje të befasishme të numrit të aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë. Në gusht numërohen 50 kërkesa dhe në shtator shënohen 84 të tilla. Nëse vazhdon me këto ritme, një rritje e tillë rrezikon lëvizjen e lirë, sipas mekanizmit monitorues, i cili përmban edhe masa ndëshkuese në rast abuzimi.Zyra e komisioneres Malmstrom ka rikujtuar së fundmi për ndryshimet që i janë bërë rregullores së vizave: "Në 24 Maj 2011, Komisioni propozoi një klauzolë sigurie që do të lejojë, në kushte të posacme të jashtëzakonshme, rivendosjen e përkohshme të vizave për qytetarët e vendeve të treta që përfitojnë nga heqja e vizave me BE-në. Një mekanizëm i tillë i jep BE-së një mjet, për t'u përdorur vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, për mënjanimin e çdo pasoje të mundshme serioze negative nga liberalizimi i vizave, dhe në veçanti mbërritjes në Bashkimin Europian të një numri të madh të emigrantëve të parregullt ose azil-kërkuesish, pretendimet e të cilëve nuk janë të bazuara”, ka thënë Zyra e KE. 

Nga dita e ngritjes së alarmit deri në marrjen e një vendimi për rikthimin e përkohshëm të vizave, ka një mori raportesh, analizash e procedurash të komplikuara që do të kërkonin disa muaj.

Problemi që lind është mungesa e mjeteve për ta parandaluar një fenomen të tillë, sic ka ndodhur dhe në rastin e Serbisë e Maqedonisë.

Por, ndërsa shifrat e këtyre dy vendeve janë më të larta në numër kërkesash se ato të shtetasve shqiptarë, përqindja e tyre rezulton në rënie, ndërsa për Shqipërinë në rritje që prej gushtit.

Kjo reflektohet në listën e 10 vendeve me më shumë kërkesa për azil në Belgjikë, gjatë muajit shtator, ku nuk figuron më Maqedonia por Shqipëria, e renditur pas Kosovës, Serbisë dhe Bosnjes.

Praktika e vendeve të tjera të rajonit me ndëshkime si heqja e pasaportave, gjoba e deri në masa më të rrepta, nuk ka rezultuar shumë efikase përderisa numri i azilkërkueseve nga Serbia dhe Maqedonia vazhdon të mbetet i lartë, edhe pse përqindja shënon rënie.

Pjesa dërrmuese e tyre kërkojnë azil për arsye ekonomike. Një e drejtë kjo që nuk garantohet Konventa e Gjenevës.

Sipas shifrave publike të Komisariatit të Përgjithshëm Belg, vetëm 1% e aplikimeve nga personat që vijnë nga vendet e rajonit fitojnë të drejtën për azil. 99% e tyre marrin një përgjigje negative e më pas riatdhesohen sipas marrëveshjeve në fuqi.

Regjimi pa viza rrezikohet me pezullim të përkohshëm nëse tendenca e numrit të kërkesave për azil do të jetë në rritje, sic e theksoi dhe Malmstrom në letrën e 20 shtatorit dërguar ministrave të Brendshëm të rajonit.

"Duhet të jetë e qartë se nëse disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përmbushin angazhimet e marra dhe nuk adresojnë shpejt e sic duhet shqetësimet e shteteve anëtare të BE-së për sa i përket numrit në rritje të kërkesave për azil të pabazuara, arritjet e liberalizimit të vizave mund të vihen në rrezik”, ka deklaruar Zyra e KE-së.

Pas informacioneve të kërkuara nga TCH, Zyra e të Huajve në Bruksel tregon se vetëm në javën e parë të muajit tetor janë regjistruar 40 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus