Kryesore » 2011 » Tetor » 18 » Shteti drejt falimentimit
2:27 PM
Shteti drejt falimentimit
Përfundimisht Kosova do të ballafaqohet sivjet me deficit të lartë buxhetor, pasi që Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) nuk do të shitet sivjet, ashtu siç është planifikuar nga Qeveria e Kosovës.
Shitja e PTK-së është miratuar bashkë me buxhetin e Kosovës në mars të këtij viti, ku çmimi i saj është supozuar të jetë rreth 300 milionë euro, mjete këto të parapara për buxhetin e vitit 2011. Por, situata është rënduar edhe më shumë, pasi që në fillim të vitit Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ndërpreu aranzhimet financiare me Kosovën, ku kjo e fundit humbi më shumë se 100 milionë euro-t e premtuara.
Edhe Raporti i progresit i publikuar gjatë javës që lamë pas bën të ditur se Kosova do të ballafaqohet me deficit buxhetor, i cili do të mbulohet nga shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe huamarrjet prej institucioneve të huaja financiare, për shkak të keqmenaxhimin buxhetor.Ky raport bën të ditur se rritjet e mëdha në deficitin buxhetor gjatë dy vjetëve të fundit nuk kanë arritur të nxisin mjaftueshëm zhvillim ekonomik."Investimet qeveritare kanë vazhduar të jenë të bollshme, por ka pasiguri në lidhje me investimet private, teksa huazimet bankare dhe të hyrat nga kapitali i jashtëm janë kanalizuar kryesisht në aktivitete joinvestuese në sektorin e shërbimeve”, shkruan në raport.Muharrem Shahini, nga Zyra për media në Ministrinë e Financave, thotë se është e natyrshme që çdo buxhet vjetor të projektohet me nivel të caktuar të deficitit buxhetor, duke qenë që kërkesat buxhetore i tejkalojnë mundësitë e financimit.

Sipas tij, në këtë drejtim edhe buxheti për vitin 2011 fillimisht është projektuar me një nivel të deficitit primar buxhetor prej 170 milionë euro, që shprehur si përqindje në GDP është rreth 3.7% e GDP për vitin 2011. Ai tha se një nivel i tillë i deficitit është projektuar nën supozimin e shpenzimeve në nivel 100%.

"Duke qenë që praktika nga vitet e kaluara na dëshmon që buxheti zakonisht shpenzohet në masë prej rreth 93-95%, realisht ky nivel i projektuar i deficitit primar në fund të vitit mund të rezultojë të jetë më i vogël”, tha ai.

Shahini tha se gjatë këtij viti Qeveria ka inkasuar 15 milionë euro shtesë nga dividente e PTK (mbi projeksionet fillestare) si dhe në anën tjetër ka alokuar fondin prej 60 milionë euro si pjesë e marrëveshjes me FMN në kuadër të programit SMP.

"Të dhënat aktuale flasin për një nivel me të ulët të deficitit, që shprehur si përqindje e GDP-së pritet te jetë rreth 2.0% e GDP-së. Si burime kryesore të financimit të këtij deficiti do të jenë bilanci i akumuluar bankar, i cili deri në fund të shtatorit ka qenë rreth 300 milionë euro”, tha ai.

Por, në anën tjetër, njohës të ekonomisë në vend thonë se mosprivatizimi i PTK-së ka krijuar një zbrazëti të madhe buxhetore, e cila po e çon shtetin drejt falimentimit. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se nga fillimi i vitit është ditur se Kosova do të ketë deficit buxhetor.

Sipas tij, gjatë vitit 2011 ka qenë e pamundur shitja e PTK-së, andaj sipas tij, Qeveria është dashur të gjejë forma tjera për të mbuluar deficitin.

"Ne i kemi rekomanduar Qeverisë që të krijojë infrastrukturën ligjore për huamarrje, si dhe të shtojë kontrollin në pikat kufitare. Këto dy alternativa kanë qenë të vetme për të zbutur deficitin”, tha ai. Gërxhaliu thotë se nëse situata e tillë vazhdon edhe më tej, gjatë vitit 2012 Kosova do të futet në krizë buxhetore.

Por, në anën tjetër Avni Zogiani nga Organizata për Dinjitet dhe Antikorrupsion "Çohu” Kosovën në aspektin financiar e cilëson si shtet të bankrotuar. Ai madje thotë se në kuptimin financiar Kosova nuk është shtet.

"Aq janë parametra të këqij të Kosovës në fushën ekonomike, sa që nuk ka kuptim as të flitet për bankrot. Ne thjesht jemi një vend që mbijetojmë dhe termat që zbatohen për vendet tjera, për shembull, për vende si Greqia. Nuk kanë fare kuptim, thjesht asnjë shtet normal nuk mund të mbijetojë në parametrat makroekonomikë që i ka Kosova”, tha ai.

Njohës të fushës të ekonomisë në vend thonë se Ministria e Financave duhet të bëjë zgjidhje të menjëhershme për të plotësuar zbrazëtitë buxhetore për të mos ardhur deri te shpërthimi i ndonjë krize sociale në vend. Sipas tyre, për vitin 2012 kontrata e Qeverisë me "Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar do të jetë një barrë shumë e rëndë për arkën e shtetit.

Tali: Situata është shumë rëndë

Driton Tali, ish -deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njohës i mirë i rrethanave ekonomike në vend, thotë se situata financiare në vend është tejet e rëndë, pasi që buxhetit të shtetit po i mungon një shumë e madhe e parave.

Ai thotë se buxhetit po i mungojnë 300 milionë euro nga mosprivatizimi i PTK-së gjatë vitit 2011, si dhe më shumë se 100 milionë euro nga ndërprerja e aranzhimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar me Kosovën.

"Kosovës sivjet do t’i ndihmojë pak inflacioni i cili është rreth 10 për qind, por situata mbetet shumë e rëndë. Tash mbetet në dorë të ministrit të Financave që të bëjnë zgjidhje”, tha ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus