Kryesore » 2012»Qershor»26 » Shkelje dhe parregullsi me kontrata në ministrinë e Yagcilar-it
12:16 PM
Shkelje dhe parregullsi me kontrata në ministrinë e Yagcilar-it
Parregullsi në kontrata, shkelje të procedurave, vonesa në vlerësimin e ofertave e shumë shkelje të tjera i ka gjetur zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës (ZAGJK), gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2011, në Ministrinë e Administratës Publike, e cila drejtohet nga Mahir Yagcilar.Në kontratën "Mirëmbajtje dhe Servisim të Automjeteve’” të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK) në vlerë 23.760 euro, shkruan "Zëri”, vlerësimi i ofertave është kryer pas 107 ditësh ose 62 ditë më vonë se afati i paraparë. Sipas auditorit, procesi i hapjes së ofertave është përfunduar më 8.12.2010, ndërsa vlerësimi i tyre është kryer më 25.03.2011. Po ashtu, edhe te lënda "Ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë” Loti 2, në vlerë 4.876.971 euro, MAP-i ka nënshkruar kontratën para se të bëhej zotimi i mjeteve. Kontrata është nënshkruar më 12.05.2011, ndërsa zotimi i mjeteve është bërë më 3.06.2011.Gjatë auditimit të pasqyrave financiare auditori ka hasur edhe në evidencimin e gabueshëm të shpenzimeve për shërbime në kategorinë e investimeve kapitale. Shpenzimet për shërbime në kontratën "Hartimi i metodologjisë për hulumtimin dhe analizimin e nevojave për trajnim dhe strategjisë për trajnim në Shërbimin Civil të Kosovës’’ në vlerë prej 133.000 euro, shpenzimet për shërbime janë evidencuar në kategorinë e investimeve kapitale.
Edhe te lënda "Zgjerimi i rrjetit qeveritar” në MAP, me vlerë prej 159.120€, nga data e njoftimit për dhënie të kontratës (fituesit) më 1.06.2011, kontrata nuk është lidhur deri më 2.09.2011. Kjo vonesë ka ndodhur për shkak se MAP-i ka zhvilluar procedura dhe ka përcaktuar fituesin pa pasur mjete në dispozicion. Sipas auditorit, kjo ka ndikuar në vonesa për fillimin e realizimit të punimeve dhe shpenzimin e buxhetit në fundvit.
Po ashtu, auditori gjeneral ka gjetur edhe vonesa në ekzekutimin e pagesave.
"Nga auditimet e disa lëndëve kemi vërejtur se ka pasur vonesa në ekzekutimin e pagesave. Për shembull: Te lënda "Arkivimi Elektronik i Dokumenteve” në vlerë 396.502 euro, fatura është pranuar më 20.07.2011, mirëpo nuk është paguar deri më 07.09.2011. Kjo kishte ndodhur për arsye të mungesës së fondeve”, thuhet në raport.
Edhe të lënda "Avancimi i e-portalit Shtetëror” në vlerë 78.080 euro auditori ka gjetur parregullsi, pasi që fatura është pranuar më 17.12.2010, ndërsa është paguar më 5.09.2011.
Po ashtu sipas auditorit, obligimi ndaj Operatorit Ekonomik në vlerë 78.080 euro nuk është prezantuar në PVF të vitit 2010, si obligim për vitin 2011.
Parregullsi janë gjetur edhe te lënda "Avancimi dhe Mirëmbajtja e Gjendjes Civile” kontrata e nënshkruar me vlerë 89.450 euro.
"Afati për përfundimin e punimeve është 30 ditë pas nënshkrimit të saj. Më 21.12.2011, 70% e punimeve janë përfunduar si dhe është kryer pagesa ndaj OE-ve për vlerën e punimeve të realizuara. Ndërsa 30% e punimeve nuk janë realizuar derisa ne ishim në auditim”, thuhet në raport.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus