Kryesore » 2012»Maj»18 » Shitja e PTK-së Promovohet në Londër e Stamboll
4:28 PM
Shitja e PTK-së Promovohet në Londër e Stamboll
Kompanitë që janë angazhuar si Këshilltarë të Transaksionit në procesin e shitjes së Postë-Telekomit të Kosovës nuk kanë kallëzuar se përse kanë zgjedhur të mbajnë Konferencat e Investitorëve në Londër e Stamboll. Ministria e Zhvillimit Ekonomik pohon se përzgjedhja është bërë duke u bazuar në rekomandimet e Këshilltarëve të Transaksionit. Shkëlqesia e tij Besim Beqaj do të mbajë gjatë këtij muaji fjalime në Londër e Stamboll. Duke iu referuar kështu ministrit të Zhvillimit Ekonomik, kompanitë e angazhuara si këshilltarë të transaksionit në privatizimin e PTK-së, kanë njoftuar mbajtjen e dy konferencave të investitorëve për të nxitur kompani të huaja që të jenë pjesë e këtij procesi.
Në njoftimin e Këshilltarëve të Transaksionit, kompanive Lazard Freres e Raiffeisen Investment, thuhet se konferenca e parë e investitorëve për shitjen e PTK-së do të mbahet më 22 maj në Londër, përkatësisht në "The Chesterfield Mayfair”, ndërsa konferenca e dytë do të mbahet më 29 maj në Stamboll përkatësisht në "Point Hotel Barbaros”.
Micha Katz, zyrtar kontaktues në Lazard Freres, nuk ka pranuar të japë një përgjigje për arsyet se
pse Londra e Stambolli janë zgjedhur për mbajtjen e Konferencave të Investitorëve. Për këtë, sipas tij, duhet të pyetet Qeveria e Kosovës.
Edhe kompania tjetër "Raiffesin Investment”, që këshillon Qeverinë e Kosovës bashkë me kompaninë franceze Lazard Freres, nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës JnK.
Ndërkohë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se Londra e Stambolli janë rekomanduar nga këshilltarët e transaksionit.
"Këto dy kryeqendra botërore janë përzgjedhur me rekomandim të këshilltarit të transaksionit, si dy qendra të biznesit në të cilat gravitojnë shumica e kompanive më të mëdha botërore”, ka thënë Naim Zeqiri, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në MZHE.
Në tenderin e parë të privatizimit të PTK-së kishte pasur konkurrentë edhe nga Turqia e Britania e Madhe. "Albtelecom”, ku shumicën e aksioneve e posedojnë "Çalik Group” dhe "Turk Telekom”, ishte parakulaifikuar në procesin e privatizimit të vitit të kaluar ndërsa Cable & Wireles nga Anglia kishte qenë pjesëmarrëse në Konferencën e Investitorëve të mbajtur në Prishtinë para dy vitesh.
Në vitin 2010 në Konferencën e Investitorëve të mbajtur në Prishtinë kishin marrë pjesë edhe dhjetë kompani tjera botërore.
Përkundër kësaj pjesëmarrje tenderi i parë për privatizimin e PTK-së kishte dështuar. Telecom Austria e Deutche Telecom kishin pasur gjasat më të mëdha që të blinin 75 për qind të aksioneve. Tenderi ishte anuluar nga Qeveria e Kosovës pasi që Deutche Telecom ishte tërhequr dhe në garë kishte mbetur vetëm një kompani.
"Kësaj radhe, me rekomandim të këshilltarit të transaksionit është vendosur që konferenca të mbahet në vendet ku investitorët e kanë më të lehtë prezencën dhe përfaqësimi është më i pranueshëm”, ka deklaruar Zeqiri.
MZHE-ja, sipas tij, nuk do të shpenzojë mjete financiare shtesë për organizmin e këtyre konferencave ndërkombëtare.
"Organizimi i konferencave është paraparë edhe me kushtet e kontratës me këshilltarin e transaksionit dhe si rrjedhoje MZHE nuk ka asnjë shpenzim shtesë lidhur me këto dy konferenca”, ka deklaruar Zeqiri.
Konzorciumi i përbërë nga këto dy kompani ka lidhur kontratë me Qeverinë e Kosovës e cila peshon 2 milionë e 495 mijë euro.
Vitin e kaluar kontrata qeveritare për këshilla në privatizimin e PTK-së peshonte 1 milionë e 150 mijë euro e cila ishte lidhur me konzorciumin e kompanive "Telco AG & Wolf Theis”.
Po ashtu, Qeveria vitin e shkuar kishte angazhuar edhe një kompani tjetër e cila do të operonte si Këshilltar Strategjik në Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës. Rreth gjysmë milionë euro peshonte kontrata e Qeverisë me kompaninë "Hunton & Williams” e cila ishte angazhuar si këshilltar strategjik.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus