Kryesore » 2011 » Tetor » 21 » Shërbimet informative s’janë shuar
12:39 PM
Shërbimet informative s’janë shuar
Partitë politike në Kosovë nuk i kanë shuar shërbimet e tyre informative, por përkundrazi, këto shërbime vazhdojnë të jenë aktive edhe në ditët e sotme dhe, si të tilla, ato funksionojnë si një trup i përbashkët me subjektet politike. Së paku kështu vlerëson Raporti i progresit, i publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian. 
"Për më tepër, partitë kryesore politike në Kosovë vazhdojnë të operojnë me rrjetet e tyre të sigurisë”, thuhet shkurt në faqen e dhjetë të këtij dokumenti të BE-së. Për dy partitë më të mëdha në vend, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) kaherë është thënë se posedojnë shërbime informative. Megjithatë, pothuajse çdoherë theksi ka rënë tek PDK-ja, drejtuesit e së cilës e kanë pranuar ekzistencën e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), por ata kanë pohuar se kjo organizatë është shuar pas shpalljes së pavarësisë. Ndërkaq, nga zyrtarët e LDK-së vazhdimisht është mohuar ekzistenca e shërbimit informativ të kësaj partie, përkatësisht Sigurimit të Atdheut, organizatë kjo për të cilën është thënë se drejtohet nga Ramë Maraj. E vetmja gjë që drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë thënë rregullisht është fakti se kjo parti nuk ka asnjë shërbim informativ. 

Por, pavarësisht nga vlerësimi i Raportit të progresit për çështjen në fjalë, drejtuesit e partive e mohojnë ekzistencën e shërbimeve informative në kuadër të subjekteve të tyre politike. "Unë nuk di që ka shërbime, por është Agjencia Kosovare e Intelegjencës. Çdo gjë tjetër është ilegale”, thotë shkurt nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lut? Haziri, ndërkaq shprehet i bindur se Shërbimi Informativ i Kosovës është aktiv dhe nuk është shuar pas shpalljes së pavarësisë, ndërkaq ai mohon se e njëjta gjë është duke ndodhur edhe me Sigurimin e Atdheut. "LDK-ja nuk

ka kurrfarë strukture tjetër jashtë strukturave që i njeh statuti dhe programi i LDK-së.

Te partitë tjera, siç po shihet, ato ekzistojnë dhe se ato vetëm e kanë ndërruar formën”, thotë Haziri, duke shtuar se SHIK-u tashmë është akomoduar në institucionet e vendit.

Edhe deputeti i lëvizjes "Vetëvendosje”, Florin Krasniqi, pajtohet se disa parti në vend asnjëherë s’i kanë shuar strukturat e tyre "nëntokësore”, ndërsa është i bindur se Shërbimi Informativ i Kosovës po punon pareshtuar, madje këtë po e bën brendapërbrenda institucioneve të Kosovës.

"Me siguri që janë aktive, në tjetër formë dhe përmbajtje. Sidomos SHIK-u është shumë aktiv. Mendojë se PDK-ja nuk do të arrijë t’i vjedhë votat pa SHIK-un. Në të njëjtën kohë edhe Sigurimi i Atdheut i LDK-së është aktiv, por në mënyra të ndryshme”, thotë Krasniqi.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, thotë se kjo parti nuk ka asnjë shërbim informativ, por sipas tij, organizata të tilla kanë dy partitë e mëdha, PDKja dhe LDK-ja.

"Sa i përket Aleancës, ajo nuk ka shërbim të vetin dhe kjo është de?nitivisht e lehtë të vërtetohet. Ndërsa sa u përket shërbimeve tjera, SHIK-u është aktiv dhe i fuqishëm”, thotë Ramdani.

Sipas tij, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka aktiv shërbimin e saj informativ. "Mendoj se edhe shërbimi i Ramë Marajt është në funksion. Nuk ia di emrin e saktë, ngase ky shërbim po i ndërron shpesh emrat, sa herë që po ka nevojë, por është po aq i dëmshëm sa SHIK-u”, shprehet ai.

Shërbimet falë ndihmës së BE-së

Analisti Avni Zogiani thotë se është e çuditshme se si Bashkimi Evropian ka qasje kontradiktore në raport me shërbimet informative të partive politike, të cilat sipas tij veprojnë paralelisht edhe falë ndihmës së BE-së.

"Në vazhdimësi kemi folur për ekzistimin e shërbimeve partiake të sigurisë. Kur të njëjtat struktura futen në zgjedhje dhe madje i manipulojnë ato, përfaqësuesit e BE-së heshtin dhe ndonjëherë edhe i përkrahin ata. Një pjesë e konsiderueshme e SHIK-ut ka hyrë në zgjedhjet e fundit dhe ka manipuluar zgjedhjet”, shprehet ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus