Kryesore » 2012»Maj»17 » Shabi, Lluka e Pajaziti dyshohen për vrasjen e Kastratit
3:50 PM
Shabi, Lluka e Pajaziti dyshohen për vrasjen e Kastratit
Fidan Shabi, Arian Lluka e Memli Pajaziti dyshohen se qëndrojnë prapa sulmit me bombë që la të vdekur tregtarin e metaleve të çmueshme Salih Kastratin nga Peja. Fidan Shabi, tashmë i vdekur, dhe Arian Lluka e Memli Pajaziti, të cilët ndodhen në paraburgim, janë zbuluar nga hetuesia se kanë kryer këtë shpërthim. "Dyshimet janë të forta se i ndjeri Fidan Shabi, Arian Lluka dhe Memli Pajaziti nga rajoni i Gjakovës janë të përfshirë në shpërthimin që ka vrarë Sali Kastratin”, kanë thënë burime nga hetuesia në Pejë. Ky burim ka deklaruar se janë duke u ekzaminuar telefonat e të dyshuarve dhe pritet që rreth ngjarjeve të nxirren bisedat telefonike në mes të të dyshuarve. "Jemi të sigurt se Fidan Shabi me Arian Llukën dhe Memli Pajazitin e kanë vrarë Salih Kastratin”, ka thënë burimi, për të shtuar se posa të ekzaminohen provat pritet të sqarohet motivi. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që hedhja e bombës të jetë porositur nga vetë Salih Kastrati, për shkak të borxheve të mëdha dhe problemeve të tjera që ka pasur me ligjin.
"Nuk përjashtohet as kjo pistë”, ka thënë ai.
Ndërkohë trupit të Fidan Shabit, që është gjetur pa jetë të shtunën, i është bërë autopsia mjekoligjore. Sipas autopsisë që ka parë gazeta, ai është rrahur para se të vritej. Ekspertët kanë konstatuar se 20-vjeçari është vrarë me armë zjarri, porse para vrasjes është rrahur. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.
"Autopsia është kryer dhe është konstatuar se është vrarë me armë zjarri. Ka qenë i rrahur para vrasjes, i maltretuar në forma të ndryshme. Ka mavijosje të mëdha në trup të konstatuara nga ekspertët e mjekësisë ligjore”, ka thënë Ibra.
Vrasjen e tij e ka marrë përsipër Besarta Kastrati, e bija e Salih Kastratit. Motivi, sipas saj, që nuk po i beson askush ka qenë " hakmarrje”, për shkak se i ndjeri Fidan Shabi e kishte dhunuar një vit më parë.
Besarta, 28 vjeçe, ka thënë se e ka kryer vrasjen e të riut, i cili prej 1 deri më 12 maj dihej i zhdukur. Pas 12 ditësh ai është gjetur në një banesë të familjes së Besartës. Si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Fidanit është edhe Arian Lluka nga Peja. Ai besohet se ka qenë pjesë e planit për vrasje. Besarta nuk ka ndryshuar rrëfimin e saj për këtë ngjarje. Ajo po insiston se këtë e ka bërë për hakmarrje. Mirëpo burimet thonë se vrasja e Fidan Shabit është bërë për të mos u zbuluar hedhja e bombës kundër Salih Kastratit. Për këtë arsye, sipas hetuesisë, është kryer vrasja.
Fakti që Fidan Shabi është rrahur para se të vritej e përjashton mundësinë që krimin ta ketë kryer e vetme Besarta Kastrati. Burimi e ka përshkruar atë si shëndetlige, derisa viktimën si të madh dhe të fuqishëm.
Zëdhënësi i Policisë, Xhevat Ibra, ka thënë se rasti është ende nën hetime. Ai ka thënë se tashmë të dyshuarit për vrasjen e Fidan Shabit janë zbuluar dhe vetëm pritet të zbardhet motivi i kryerjes së saj.
"Gjatë intervistimeve pritet të nxirret motivi. Pritet të dihet mënyra e vrasjes. Është e mundur që ai të jetë vrarë diku tjetër dhe trupi i tij të jetë dërguar në banesën ku është gjetur”, ka thënë Ibra. Sipas tij, gjithçka lidhet me Salih Kastratin dhe hetimet po zhvillohen në shumë drejtime.
"Vetë Salih Kastrati është i përfshirë në katër raste, është i dyshuar për armëmbajtje pa leje, për uzurpime pronash në dy raste dhe një rast tjetër. Për atë është duke u hetuar në shumë drejtime, si dhe është viktimë në disa raste”, ka thënë ai.
Ndërkaq një burim në prokurori ka thënë se Salih Kastrati dhe të dyshuarit, përfshirë të ndjerin Fidan Shabi, kanë qenë pjesë e lojërave të ndryshme për borxhe. Ka pasur konflikte me Tahir Dacin dhe të tjerë.
"Gjatë hetimeve do të zbardhen të gjitha këto. Është fazë e hetimeve dhe janë gjëra shumë të ndjeshme. Kur të sigurohen përgjimet do të dihet”, ka thënë burimi.
Më 23 mars Gjykata e Pejës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Memli Pajazitit, i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes në shtëpinë e argjendarit pejan Sali Kastrati. Një ditë me herët ai ishte arrestuar në Gjakovë.
Më 1 maj ndërkaq është zhdukur Fidan Shabi. Për këtë ishte arrestuar Besarta Kastrati-Harxhi, e cila kishte ftuar hetuesit për intervistë. Ajo u ka thënë hetuesve se e ka vrarë Fidan Shabin me revolen e tij dhe se në atë vrasje nuk ka marrë pjesë kurrkush përpos saj. Ajo u ka thënë hetuesve se është përpjekur t’i fshijë gjurmët duke e hedhur revolen me shurdhues në Bistricë, posa i kishte fshirë gjurmët e gishtave. Ndërkaq më 3 maj, dy ditë pas zhdukjes së Fidan Shabit, është arrestuar Arian Lluka, nën dyshimin se ka shkaktuar rrezikim të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje. Arian Lluka dyshohej në fillim se ka hedhur granatë në lokalin e Tahir Dacit në Pejë, në rrugën ‘Eliot Engel’. Këtë lokal Daci e kishte blerë para disa vjetësh nga biznesmeni Salih Kastrati”. Më vonë është zbuluar se edhe ai mund të jetë pjesë e vrasjes së Fidan Shabit.
Por e ëma e Fidanit, Florije Shabi, deklarimin e të dyshuarës se Fidani e ka dhunuar e quan gënjeshtër. Ajo ka thënë se i biri i saj ka pasur një ofertë nga Besarta dhe Arian Lluka që ta hidhte një bombë në një dyqan për të cilën do të paguhej 10 mijë euro.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus