Kryesore » 2012 » Qershor » 6 » Serbia nuk dëshiron t’i hapë dosjet për Kosovën
10:49 PM
Serbia nuk dëshiron t’i hapë dosjet për Kosovën
Për të përmbushur kërkesat për hapin e ardhshëm të anëtarësimit në BE, Qeveria serbe duhet të zbatojë reformën e shërbimeve të sigurisë. Parlamenti Evropian (PE) ka rekomanduar në mars që Serbia të forcojë mbikëqyrjen dhe kontrollin parlamentar të shërbimeve të sigurisë, ndërsa kërkoi që arkivat kombëtare të bëhen publike - sidomos dosjet sekrete nga epoka e ish-Jugosllavisë.Përkundër sugjerimeve të Brukselit, gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, reforma e shërbimeve të sigurisë nuk u përmend në mesin e prioriteteve të qeverisë së ardhshme."Ka rezistencë për hapjen e arkivave sekrete në Serbi dhe shtete tjera të ish-Jugosllavisë, sepse kështu që ka gjasa të zbulohet roli i shërbimeve të sigurisë shtetërore në konfliktet e armatosur të viteve 1990", ka thënë për SETimes Jelena Milic, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euro-Atlantike (CEAS).

Ajo shtoi se çështja e hapjes së dosjeve është e lidhur me vrasjet politike, krimet në Kosovë dhe vrasjet e civilëve gjatë sulmeve ajrore të aleancës të NATO-s, të cilat deri tani Qeveria nuk ka dashur t’i trajtojë.

"Për shkak se nuk janë shpërndarë në atë kohë, shërbimet sekrete të vendeve të ish-Jugosllavisë, si dhe individë në shërbimet sekrete, kanë qenë dhe ende janë fajtorët kryesorë të krimit të organizuar në Ballkan", ka thënë Zoran Dragisic, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Beograd.

Një tjetër arsye pse qeveria serbe shmangë hapjen e dosjeve është se ato mund të zbulojnë njerëzit të cilët morën pjesë në veprime të paligjshme gjatë konflikteve të viteve 1990 në ish-Jugosllavi e të cilët janë ende duke punuar në sektorët e mbrojtjes dhe të policisë, kanë thënë nga Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe (SPO).

"Hapja e dosjeve është gjëja më e vogël që ua kemi borxh qytetarëve serbë. Ishte ky premtimi i madh i opozitës demokratike të Serbisë, që ka përmbysur regjimin e Slobodan Milosevicit", tha deputeti i SPO-së, Aleksandar Jugovic.

Presidenti i SPO-së, Vuk Draskovic, ka qenë viktimë e dy atentateve, të organizuara nga shërbimet sekrete serbe. Në vitin 2004 dhe në vitin 2010, SPO propozoi ligjin për të hapur dosjet e shërbimit të sigurisë, por propozimi nuk arriti në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

"Mendoj se dosjet nuk do të hapen, sidomos jo ato që lidhen me ngjarjet në Kosovë", ka thënë Sonja Biserko, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

CEAS ka kërkuar që qeveria e ardhshme e Serbisë menjëherë të propozojë një ligj për hapjen e arkivave, ndërsa u bënë thirrje të gjithë politikanëve në Serbi që publikisht t’i paraqesin argumentet e tyre për dhe kundër këtij veprimi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus