Kryesore » 2012»Shtator»27 » Serbia ka nënshkruar protokollin për menaxhimin e integruar të kufijve
9:29 AM
Serbia ka nënshkruar protokollin për menaxhimin e integruar të kufijve
Bashkimi Evropian ka njoftuar zyrtarisht Qeverinë e Kosovës se Qeveria e Serbisë ka nënshkruar protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit. "Koha Ditore” njofton sot se Marrëveshja që do të vendosë në pikëkalimet kufitare me Serbinë prezenca të përbashkëta të autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës e që do të ndihmohen nga EULEX-i, qe vlerësuar si njëra nga konkluzat më të rëndësishme të arritura në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë.Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, pritet që brenda pak javësh të krijojnë grupin e përbashkët punues që do të merret me zbatimin e marrëveshjes. "Jemi njoftuar se Serbia e ka nënshkruar protokollin teknik. Ne e mirëpresim këtë veprim, por presim që marrëveshja të zbatohet”, ka thënë për "Kohën Ditore” zëvendëskryeministrja e Kosovës që pati përfaqësuar palën kosovare në dialogun teknik, Edita Tahiri. I emëruari i Qeverisë së re serbe për dialogun teknik, Dejan Paviçeviq, ka thënë në një intervistë për REL se Qeveria e Serbisë do të kërkojë rol ekzekutiv të EULEX-it në pikat e përbashkëta doganore me Kosovën, që, sipas tij, nuk do të jenë pika doganore. Deklarata e Paviçeviqit është interpretuar nga mediet në Beograd si përpjekje e Serbisë që të ndryshojë konkluzionin e arritur mes palëve. Zëdhënësja e përfaqësues së BE-së, Maja Kocijancic, ka përsëritur për "Kohën Ditore” se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen dhe se BE-ja nuk negocion përmbajtjen e tyre.
Sidoqoftë, pikëkalimet problematike në Bernjak e Jarninjë do të kenë status të veçantë, si rezultat i një marrëveshjeje të shtatorit të vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës me KFOR-in e EULEX-in. Qeveria e Kosovës ka marrë për obligim që të respektojë marrëveshjen e 9 shtatorit, që pati mundësuar vendosjen e doganierëve kosovarë nga KFOR-i dhe EULEX-i në pikëkalimet kufitare 1 dhe 31. Ajo parasheh që Kosova në të dy pikëkalimet të ketë vetëm nga tre zyrtarë: nga një përgjegjës për pikëkalimet, nga një zyrtar policor dhe një doganier.
Që të gjashtë zyrtarët kosovarë po qëndrojnë në Jarinjë dhe në Bërnjak, që nga 16 shtatori i vitit të kaluar transportohen atje nga KFOR-i dhe EULEX-i.
Sipas marrëveshjes, në pikëkalimet e përbashkëta me Serbinë do të vendosen vetëm simbolet e BE-së.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus