Serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë t’i shfrytëzojnë rrugët alternative, të cilat e lidhin këtë pjesë të vendit me Republikën e Serbisë, pavarësisht se ato cilësohen si vendkalime ilegale, qoftë nga institucionet e Kosovës, qoftë nga mekanizmat ndërkombëtar në KosovëKëtë e pohojnë edhe politikanët serbë të Kosovës, ndonëse pikëpamjet e tyre lidhur me këtë çështje janë të ndryshme.Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi i rrugëve alternative dhe jo vendkalimet kufitare legale 1 dhe 31 nga serbët bëhet si reflektim i refuzimit të tyre për ta njohur shtetin e Kosovës. "Vendkalimet alternative ekzistojnë dhe ato shfrytëzohen në masë të plotë ose shumica e njerëzve, të cilët jetojnë në veri. Mendoj se nuk është me rëndësi për çfarëdo qoftë transporti i mallit. Këtu është një çështje tjetër e rëndësishme. Nëse serbët i shfrytëzojnë tash vendkalimet kufitare, ata në esencë e pranojnë edhe një shtet shqiptar në Ballkan”, thotë Jakshiq.
Por, ndryshe mendon Rangjell Nojkiq, politikan serb nga Kosova qendrore. Ai shpreh mendimin se rrugët alternative gjithnjë e më pak po shfrytëzohen nga qytetarët serbë në veri të vendit.
Ai thotë se në shumë raste, kur ka udhëtuar nga Kosova për në Serbi ose anasjelltas, përmes vendkalimeve legale kufitare në veri, ka vërejtur mjaft qytetarë serbë që i shfrytëzojnë pikat legale.
Gjithashtu, sipas tij, sjellja e zyrtarëve në vendkalime kufitare ka qenë korrekte. Shfrytëzimi i rrugëve alternative, siç thotë ai, është krejtësisht jolegal, sidomos pas marrëveshjes për qarkullim të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe sipas asaj që Beogradi ka tërhequr vërejtjen, çdo vendkalim jashtë vendkalimeve zyrtare konsiderohet jolegal. Prandaj, një gjë e tillë është vepër penale dhe është diçka që nuk do të duhej të shfrytëzohej. Njerëzit e thjeshtë i shmangen shfrytëzimit të atyre vendkalimeve. Mendoj se para së gjithash ato i shfrytëzojnë disa grupe ekstreme dhe disa liderë, të cilët po përpiqen të tregojnë se si serbët e veriut nuk dëshirojnë t’i shfrytëzojnë vendkalimet kufitare legale”, thekson Nojkiq.
Ndryshe, mundësia që rrugët alternative apo jolegale në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të shfrytëzohet për kontrabandë të mallrave, të dy këta politikanë serbë e shohin në mënyra të ndryshme.
Jakshiq, një gjë të tillë fare nuk e konsideron si kontrabandë.
"Kontrabanduesit, për serbët dhe Serbinë, nuk ekzistojnë, duke pasur parasysh se serbët ndaj shtetit të tyre i kryejnë të gjitha obligimet e mundshme ligjore që kërkohen prej tyre nga shteti serb. Sa i përket shtetit të Kosovës, kjo është një çështje tjetër. Serbët nuk kanë ndonjë obligim ndaj tij, sepse nuk e njohin”, shprehet Jakshiq.
Por, Nojkiq mendon ndryshe sa i përket shfrytëzimit të rrugëve alternative në veri për kontrabandë të mallrave.
"Mendoj se kjo ndodh gjithmonë e më pak. Ndoshta në sasi shumë të vogla. Përndryshe, sa u përket sasive të mëdha, jam krejtësisht i sigurt dhe këtë e kam parë me sytë e mi se xhandarmëria serbe nuk e lejon asnjë kamion që të kalojë nëpër ato vendkalime jolegale”, thotë Nojkiq.
Ai shton se nuk sheh asnjë arsye pse njerëzit të mos i shfrytëzojnë vendkalimet kufitare legale.
Ndryshe, zyrtarët e KFOR-it ditë më parë kanë paralajmëruar se do t’i mbyllin të gjitha rrugët alternative dhe jolegale në veri të Kosovës, në kufirin me Serbinë. I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, nuk deshi të japë sqarime se çfarë është duke punuar konkretisht KFOR-i për mbylljen e rrugëve dytësore, të cilat konsiderohen ilegale.
"Ne natyrisht se nuk flasim për qasjen tonë operacionale. Porta 1 dhe 31 si pika zyrtare kufitare janë të hapura dhe ne u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i përdorin këto dy pika për kalim”, u shpreh Novicki.
Që nga vera e vitit të kaluar, kur pas vënies nën kontroll të vendkalimevekufitare 1 dhe 31 nga ana e institucioneve të Kosovës , si dhe vendosjes së doganierëve dhe policisë kufitare në këto vendkalime, serbët në vazhdimësi i kanë shfrytëzuar rrugët alternative jolegale në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus