Gjatë mandatit si Rektor i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova ka ndërruar katër sekretarë të përgjithshëm. Ditë më parë, ai emëroi Milaim Mazrekun në postin e U. D të sekretarit në vend të Vaxhid Sadriut, që gjithashtu ishte ushtrues detyre. Vendimi për këtë zëvendësim është marrë nga Rektori Rugova pa dijeninë e Këshillit Drejtues të UP’së. Mujë Rugova assesi të rehatohet me sekretarë të Universitetit. Prej se ka marrë postin e Rektorit në vitin 2009, Rugova ka ndërruar gjithsej katër sekretarë. I katërti është emëruar tash së fundi.
Milaim Mazreku, sekretar i deritanishëm në Fakultetin e Edukimit, do të ushtrojë postin e sekretarit të përgjithshëm të UP-së deri në një vendim tjetër.
E ky vendim është marrë të enjten që shkoi(28 qershor) nga Rektori Rugova.
Mazreku do ta pasojë Vaxhid Sadriun, i cili thuhet se për shkaqe shëndetësore ka kërkuar që ta lirojnë nga pozita e ushtruesit të detyrës.
Por vetëm përkohësisht.
Ndërsa sekretari i mëhershëm Esat Kelmendi, sipas arsyetimit të rektorit, ende është në proces gjyqësor.
"Meqenëse rasti i Esat Kelmendit është në procedurë gjyqësore dhe po ashtu ushtruesi i detyrës së sekretarit, Vaxhid Sadriu, ka informuar me gojë dhe me shkrim(më 28 06.2012) se për shkaqe shëndetësore nuk është në gjendje ta ushtrojë detyrën e u.d. sekretarit të përgjithshëm, atëherë për zëvendësimin e tij angazhohet Milaim Mazreku”, thuhet në vendimin e Rektorit Mujë Rugova.
Rugova e arsyeton vendimin e tij për angazhimin e Mazrekut për nevojën, siç thuhet në vendim të siguruar nga Expressi, të përfundimit të procesit zgjedhor të studentëve, ruajtjes së kontinuitetit të zgjedhjeve të përgjithshëm në Universitet dhe për shkak të nevojës së domosdoshme që duhet të kryhen nga sekretari i UP-së.
E krejt kjo do të ishte në rregull sikur për këto vendime të jenë të informuar edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit.
Por as pas katër ditësh të marrjes së vendimit, askush në Këshill Drejtues nuk është i informuar për emërimin e personit që deri në një vendim tjetër do të ushtrojë postin e sekretarit.
Me statut të UP-së, sekretari emërohet nga Këshilli Drejtues me propozim të Rektorit bazuar në konkursin publik.
Megjithëse ende nuk ka ndonjë konkurs publik, Rugova vendimin e tij e ka marrë në bazë të nenit 28 të statutit të UP-së, pika 5 në të cilin thuhet se "rektori ka të drejtë të punësojë, delegojë, nivelizojë, promovojë, suspendojë, shkarkojë dhe të përcaktojë nivelin e pagave dhe kushteve të punës për personel në kuadër të kornizës së caktuar nga Këshilli drejtues”.
Me gjithë këtë, njëri nga anëtarët e Këshillit Drejtues u shpreh paksa i befasuar me këtë vendim të Rektorit Rugova.
Basri Qapriçi tha për Express se nuk është informuar asgjë në lidhje me këtë vendim.
"Jo ne nuk na ka informuar askush për këtë”, tha Qapriqi për Express, i cili ëhstë njeriu nga anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.
Ai tha se të hënën ndoshta dikush do ta informojë.
E jo fort i kënaqur në lidhje me emërimin e Mazrekut në postin e ushtruesit të detyrës së sekretarit nuk shprehet as Vaxhid Sadriu.
Ai pranon se ka kërkuar një zëvendësim të përkohshëm për arsye shëndetësore, por ka menduar më ndryshe.
"Kam menduar që të më zëvendësojë dikush nga brenda, por jo me e marrë dikë nga jashtë Rektoratit”, thotë Sadriu për Express.
Ai tha se ka kërkuar zëvendësim për një muaj e jo më shumë për shkak se i ishte dashur të pushojë sepse këtë s’e kishte bërë qe nëntë muaj.
Sadriu shpreson se shpejt do të kthehet në postin ku ka qenë.
Mirëpo në vendimin e Rugovës nuk përcaktohet periudha kohore se sa do të qëndrojë Mazreku në këtë detyrë.
Ai sipas vendimit do ta ushtrojë këtë detyrë deri në një vendim tjetër.
Por burime brenda Rektoratit bëjnë të ditur se arsyeja e Sadriut për të pushuar, nuk është e vërtetë.
Sipas këtij burimi, Rektori Rugova mezi nuk ka pritur që të largohet Sadriu dhe ta emërojë Mazrekun në postin e sekretarit, pasi dyshohet se është më i afërt me të.
"Nuk është hera e parë që bën kështu. Pas Esat Kelmendit, rektori e pat emëruar njeriun e vet, Naser Hysenin por ai është larguar për shkak të keq menaxhimit. Edhe Vaxhid Sadriu është larguar sepse nuk është njeri i Mujës”, thotë ky burim për Express.
Sipas tij, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka kthyer lëndën në favor të Esat Kelmendit, por rektori s’e ka përfillur atë vendim.
Statuti
Neni 40 i Statutit të UP-së
(1) Sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli Drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në konkursin publik.
Neni 28 i Statutit të UP-së
Rektori ka për detyrë :
5. Të punësojë, delegojë, nivelizojë, promovojë, suspendojë, shkarkojë dhe të përcaktojë nivelin e pagave dhe kushteve të punës për personel në kuadër të kornizës së caktuar nga Këshilli Drejtues
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus