Ka më shumë se një muaj që zyrtarët në objektin e vjetër të Qeverisë së Kosovës po piqen nga zhegu. Aty janë prishur ftohësit e mëdhenj që e ftohin tërë objektin, derisa pak fllad aty sjellin disa klima me kapacitet të vogël ftohës. Deri të martën kjo çështje pritet të rregullohet. MAP ka përzgjedhur kompaninë e cila do t’i flladitë qeveritarët tanë. Kjo i ka kushtuar Qeverisë 14 mijë e 315 euro. Disa zyre në objektin e vjetër të Qeverisë së Kosovës u ngjajnë saunave. Bash në kohën kur i nxehti të përvëlon e në vendin tonë dhe temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë celsius, shumica e zyrave të zyrtarëve të lartë të Qeverisë nuk kanë klima. Në fakt këto aparate ftohëse janë të vendosura nëpër muret e disa zyrave. Por flladi që ato lirojnë është i pamjaftueshëm, pasi janë të vogla dhe punojnë me një kapacitet tepër të vogël. E në disa të tjera këto aparate kanë mbetur vetëm për hijeshi, pasi janë dëmtuar tërësisht.
Ka më shumë se një muaj që disa zyrtarë të Qeverisë detyrohen të mbajnë takime dhe t’i presin mysafirët më ngrohtë se kurrë më parë. Madje edhe disa prej mysafirëve ndodh që kur dalin nga zyrat janë komplet të mbuluar në djersë. Krejt kjo sherri i mungesës së një ftohësi, i cili pos flladit, do t’u ofronte atyre edhe një rehati gjatë bisedës.
Diçka e tillë i ka ndodhur një zyrtari të lartë të Qeverisë para pak kohësh, gjatë një takimi me delegacionin austriak. Atë ditë ky zyrtar kishte të ftuar në zyrën e tij mbi dhjetë mysafirë. Thotë se as vetë nuk e di se si e ka duruar gjithë atë vapë, që në kohën sa ai u bënte muhabet mysafirëve, vetëm sa vinte e rritej. Por, thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi klima që ai e ka të ngjitur në mur tash e sa kohë i ka mbetur vetëm si objekt zbukurues.
"Nuk kryen asnjë funksion tjetër. Ka kohë që klima në zyrën time nuk punon”, thotë ky zyrtar për Express.
"Në mungesë të klimës i tërë delegacioni është djersitur bashkë me ta edhe ne si nikoqirë”, ka thënë ky zyrtar i lartë i qeverisë të enjten. "Jemi detyruar që takimin ta përfundojmë para kohës. Ishte e pamundur ta vazhdoje në atë vapë”, pohon ai derisa shpreson që nuk do të kalojë edhe shumë kohë e dikush t’ia bëjë qarën, pasi gjatë gjithë kohës është i detyruar që në atë zyrë, ashtu të ngrohtë e pa klimë, të presë secilin mysafir që i vjen, si vendor ashtu edhe të huaj.
Por, si duket atij dhe shumë zyrtarëve të tjerë që nuk e zhvillojnë dot punën e tyre për shkak të vapës nëpër zyrat e tyre do t’u gjendet qarja. Qeveria e Kosovës e ka marrë parasysh vapën që zyrtarët e saj po e përjetojnë dhe ka ndërmarrë masa.
Më së largu edhe një javë këto zyra do të pajisen me ftohëse të reja dhe që kanë kapacitet të flladisin hapësira të mëdha. Kjo pasi Ministria e Administratës Publike (MAP) tashmë e ka bërë porosinë e një ftohëse fringo të re dhe ka dërguar në riparim një më të vjetër, e cila ka pësuar betim disa defekte të vogla.
Për problemin që kanë zyrtarët qeveritarë është i informuar edhe vetë ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar. Ai thotë se e di që një pjesë e klimave në objektin e Qeverisë nuk punojnë.
"Me sa jam i informuar ky problem do të zgjidhet edhe pak ditë. Shpresoj që nuk vonon më shumë se deri më 5 gusht, sepse tashmë është kontraktuar kompania dhe besoj se kjo punë do të kryhet”, pohon Jagcilar për Express.
E ai që është më shumë në rrjedha me problemin e zyrtarëve qeveritarë është Fitim Sadiku, sekretari i MAP’it. Ai thotë se ankesave të zyrtarëve brenda pak ditësh do t’u vijë fundi. Thotë se Qeveria ka ndarë të hollat nga buxheti i saj për blerjen e një ftohësi gjigant, i cili do të ketë kapacitet ta ftohë krejt objektin, e jo vetëm zyrat e zyrtarëve që nuk u punojnë klimat. Madje është përzgjedhur edhe kompania e cila do t’i flladitë qeveritarët.
Sipas tij, deri të martën që po vjen zyrat e tyre do të freskohen sërish. "Për një javë kjo çështje do të rregullohet. Tashmë gjithçka ka përfunduar, vetëm po i presim ftohësit”, tregon Sadiku për Express.
Sadiku thotë se kontrata për furnizim me pajisje ftohëse në ndërtesën e Qeverisë së vjetër është nënshkruar në korrik të këtij viti dhe afati i lifterimit është 50 ditë.
"Kompania fituese është vonuar pak, por e rëndësishme është që brenda javës ftohësit do të jenë në Qeveri”, pohon ai.
Sipas Sadikut, kompania fituese e tenderit është Art-tech nga Prishtina dhe vlera e tenderit është 14 mijë e 315 euro.
Sidoqoftë, sekretari i MAP’së pohon se derisa kompania ta sjell mallin e porositur, zyrtarët e Qeverisë detyrohen që ta durojnë flladin e pakët që ua ofrojnë klimat e vogla që ndodhen nëpër zyat e tyre.
"Sepse aktualisht ato klima janë duke punuar, por me një kapacitet me te vogël për shkak te temperaturave te larta”, thotë Sadiku.
"E kur të montohen dy ftohësit e mëdhenj që vetëm njëri peshon afër 300 kilogramë, i gjithë objekti i Qeverisë do të ftohet me kapacitet të plotë e jo me klima të vogla siç është ftohur këtë periudhë”, vlerëson ai.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus