Qytetarët e Kosovës nuk mund t’iu nënshtrohen procedurave të aplikimit për marrjen e pasaportave biometrike, derisa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të marrë një vendim për datën e lëshimit të tyre. Ndonëse ministri i rendit Rexhepi ishte zotuar se fundi i këtij muaji do të shënojë lëshimin e pasaportave të para biometrike, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë të paktën edhe disa ditë. Kryeshefi i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, ka thënë se pritet marrja e një vendimi për caktimin e datës së lëshimit të pasaportave biometrike, si një nga parakushtet për liberalizim të vizave, sepse në të kundërtën ka thënë ai, janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për lëshimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për Kosovën. "Nuk mund të paragjykoj, por besoj se gjatë këtij muaji do të merret vendimi për datën e lëshimit të këtyre pasaportave dhe qytetarët më pastaj të aplikojnë për marrjen e këtij dokumenti”, ka thënë Camaj, sipas të cilit, qytetarët duhet të presin 15 ditë që nga koha e aplikimit e deri të marrja e pasaportës. Sipas një përllogaritjeje, edhe nëse qytetarëve të Kosovës iu mundësohet qysh sot të aplikojnë për pasaportë, atëherë ata nuk mund ta marrin atë deri kah mesi i nëntorit, dhe jo ashtu sikurse kanë qenë pritjet e tyre në bazë të premtimeve të ministrit Rexhepi. Sipas kryeshefit Camaj, tashmë është bërë dizajni i pasaportës, i cili do të ketë ngjyrë të kuqe, ashtu sikurse e kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Ai tha se Kosova do t’i prodhojë pasaportat më të mirë në rajon dhe në këtë drejtim ky dokument do të ketë siguri të lartë. Camaj ka deklaruar se synohet se vetëm brenda një dite të lëshohen nga 3 mijë deri në 6 mijë pasaporta. Prodhimi i pasaportave, ka thënë Camaj, do të bëhet në Austri, ndërsa personalizimi i tyre bëhet në departamentin për prodhimin e dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Partitë opozitare, ndërkaq akuzojnë ministrin Rexhepi për deklarata të "forta” e kontroverse, të cilat në asnjë rrethanë nuk iu është përmbajtur. Opozita madje, rikujton zotimet e kreut të MPB-së, i cili kishte premtuar se qysh në fillim të gushtit do të nisë procesi i lëshimit të pasaportave të para biometrike si një nga parakushtet për liberalizim, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani.
Burim Ramadani, sekretar i AAK-së, ka pohuar se "ministri Rexhepi është tepër i njohur për fjalë shumë, e pak punë”. Madje, ai ka vlerësuar se zvarritja e këtij procesi më shumë ndërlidhet me neglizhencën që ka treguar MPB-ja karshi kësaj çështjeje, sesa që ka të bëjë me pamundësitë e prodhimit të tyre. Ramadani, ndërkaq ka deklaruar se partia e tij, do ta ngrejë këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar sqarime nga ministri i brendshëm për prolongimin e këtij procesi.
Edhe deputetja e Lëvizjes "Vetëvendosje”, Alma Lama, konsideron se nuk është hera e parë që ministri Bajram Rexhepi jep deklarata kontroverse, madje, sipas saj, ai e ka zakon këtë punë. "Nëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike zvarritet për shkak të ndonjë parregullsie në këtë proces, atëherë ai duhet t’ia vërë gishtin kokës për atë që flet. Por, nëse bëhet fjalë vetëm për deklarata të forta sa për të dalë në TV, atëherë në këtë drejtim nuk me vjen aspak çudi, edhe pse kjo është mënyra më e gabueshme që ka zgjedhur për ta mbajtur publikun me shpresa të kota”, ka deklaruar Lama.
Edhe njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Avni Mazreku, konsideron se ka vonesa në drejtim të lëshimit të pasaportave biometrike, sikurse ka vonës në gjithë procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizëm të vizave. Pavarësisht kësaj, ministri Bajram Rexhepi është dukur shumë i vendosur në zotimin e tij se fundi i këtij muaji do të shënojë lëshimin e pasaportave biometrike. OESD nga Austria është përzgjedhur kompania fituese për prodhimin e pasaportave biometrike për qytetarët e Kosovës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus