Kryesore » 2012 » Korrik » 27 » S’ka letërnjoftime biometrike deri në pranverë
1:13 PM
S’ka letërnjoftime biometrike deri në pranverë
Qytetarët e Kosovës nuk do të mund të pajisen me letërnjoftime biometrike të paktën deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Ligji për letërnjoftime biometrike, që gjendet në sirtarët e Kuvendit të Kosovës dhe i cili nuk është miratuar ende në Kuvend, ka pamundësuar fillimin e procedurave për hapjen e tenderit për përgatitjen e letërnjoftimeve. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të cilët kanë sponsorizuar ligjin dhe të cilët janë përgjegjës për fillimin e procedurave për shtypjen e letërnjoftimeve, thonë se letërnjoftimet nuk mund të bëhen para pranverës. Zëvendësministri i Brendshëm, Izmi Zeka, thotë se ka qenë i bindur se në dhjetor të këtij viti do të shpërndahen letërnjoftimet e reja, por sipas tij, pranimi i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, i cili parasheh qartë se di duhet të jetë letërnjoftimi biometrik, si njëri prej kritereve për liberalizim, ka ndikuar që ligji të vonohet, meqenëse është dashur që t’i përshtatet kërkesës së Bashkimit Evropian. 

"MPB-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet që kaherë, por janë disa aspekte teknike dhe procedurale të cilat s’po them se e kanë penguar, por e kanë zvarritur procesin. Hapi i parë që duhet të bëhet është që në shator të aprovohet në Kuvendin e Kosovës për letërnjoftimet biometrike”, thotë ai.

Ai e pranon se dikasteri i brendshëm nuk ka arritur ta fusë çështjen e letërnjoftimeve biometrike në agjendën prioritare të ekzekutivit, por, sipas tij, kjo nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, meqenëse qytetarët tashmë janë të pajisur me pasaporta biometrike.

Por, opozita fajëson partinë më të madhe në vend, se duke i bojkotuar seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës kanë kontribuar që ligji të mos miratohet dhe rrjedhimisht procesi i fillimit të dhënies së letërnjoftimeve biometrike të shtyhet.

"Në fakt Ligji për letërnjoftimet biometrike është në leximin e dytë në Kuvend, i cili pritet të votohet në seancën e parë në shtator. Ka qenë në rend të punës për korrik, por për shkak të bojkotit të seancës nga PDK-ja është shtyrë”, thotë kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lufti Haziri.

Ai thekson se pajisja e qytetarëve me letërnjoftime është shumë me rëndësi, meqenëse në këtë formë, përveç se përmbushet një kërkesë e parashtruar në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, gjithashtu mundësohet lëvizje e plotë e qytetarëve kosovarë në tërë Ballkanin vetëm me letërnjoftime.

"Nëse vonohet edhe në shtator (me miratimin e Ligjit për letërnjoftime biometrike), atëherë pasqyrim i kësaj do të bëhet në Raportin e Progresit”, thotë ai.

Edhe eksperti i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se pajisja e qytetarëve me letërnjoftime biometrike është shumë e rëndësishme, por ai thekson se në raport me liberalizimin e vizave Prishtina zyrtare duhet të përqendrohet më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sesa në bërjen e letërnjoftimeve biometrike.

"Unë nuk pres vonesa në bërjen e letërnjoftimeve. Vonesat i pres në luftën kundër korrupsionit, në riintegrim të qëndrueshëm, edhe me zhvillim ekonomik të vendit. Sa u përket dokumenteve të udhëtimit ata janë treguar të shkathët, për shembull, pasaportat biometrike janë lëshuar ende pa e marrë udhërrëfyesin zyrtar. Kjo punë kryhet përmes kontratave dhe unë nuk jam i shqetësuar për këtë”, thotë ai.

Liberalizimi kërkon punë në terren

Eksperti i Integrimeve Evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se Prishtina zyrtare ka arritur marrëveshje me Shkupin për lëvizje vetëm me letërnjoftime, por sipas tij, ndryshe nga Shqipëria dhe Mali i Zi, Maqedonia pret që t’i largojë pasaportat pasi kosovarët t’i kenë letërnjoftimet e reja.

"Letërnjoftimet biometrike janë të rëndësishme për shkak se e rrisin sigurinë e dokumenteve, por edhe sigurinë ndërshterore. Të mos harrojmë që Kosova e ka një marrëveshje me Maqedoninë, edhe në atë moment kur ne i aplikojmë letërnjoftimet biometrik do të mund të shkojmë pa pasaporta edhe në Maqedoni”, thotë Muharremi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus