Pavarësisht daljes publike të disa personave të armatosur në veri të vendit, se kinse janë të armatosur dhe janë të gatshëm që të mbrojnë "pragun e shtëpisë” në rast të ndonjë sulmi, organet e sigurisë në vend nuk kanë parë ndonjë person të armatosur, ndërsa bëjnë thirrje që qytetarët t’u shmangen veprimeve të tilla. Zyrtarisht, forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, nuk duan të komentojnë lidhur me publikimet në medie, ngase, siç thonë me kusht anonimiteti, deri më tani nuk ka pasur diçka të besueshme në këtë drejtim. "Ushtarët e KFOR-it nuk kanë parë ndonjë person të armatosur dhe aktualisht kemi informacione aq sa janë paraqitur në medie që për neve janë të besueshme me shumë rezerva”, thotë një zyrtar i lartë i këtij misioni ushtarak në Kosovë.
"Është e pakuptimtë të thuhet se janë të armatosur e të gatshëm për mbrojtje, kur tash e nëntë muaj në veri ka barrikada dhe asnjë incident nuk ndodhi dhe asnjë kundërvënie nuk ndodhi në kundërshtim të këtyre barrikadave”, shton më tej ky zyrtar.
Shqiptarë të armatosur janë paraqitur ditëve të fundit në disa televizione. Ata janë paraqitur me armë në duar dhe duke folur se "janë të gatshëm të luftojnë për çlirimin e veriut”.
"Nuk dua të spekuloj dhe të komentoj lidhur me këto paraqitje”, thotë shkurt zëdhënësi i trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë, Uve Nowicki.
Mësohet se KFOR-i, pavarësisht këtyre publikimeve, nuk ka marrë ndonjë aksion e madje nuk e ka as në plan të nisë ndonjë kontroll rutinor nëpër shtëpi, edhe pse mbajtjen e armëve të paautorizuara nga banorët e vlerëson si veprim ilegal.
"Në veri janë serbët dhe shqiptarët ata që kanë armë në duar dhe nëse nis kontrollimi te njëra palë duhet të kontrollohet edhe pala tjetër dhe rrezikohet situata aktuale, e cila vlerësohet të jetë e qetë por në tension. Për strukturat e sigurisë, pavarësisht a janë lokale apo ndërkombëtare, është e rëndësishme që të mos ketë konflikte ndëretnike dhe këto struktura gjenden në atë pjesë të Kosovës për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve”, deklaron një zyrtar tjetër i sigurisë në Kosovë. Por, edhe Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, nuk ka ndërmarrë ndonjë kontroll deri më tani.
"Policia e Kosovës nuk ka ndërmarrë ndonjë kontroll, edhe pse ato bëhen me ndihmën e KFOR-it e EULEX-it. E tëra çfarë kemi thënë dhe e përsërisim është që ju bëjmë thirrje qytetarëve që t’i shmangen veprimeve të tilla”, thotë zëdhënësi Hoti.
Por, edhe misioni EULEX, sikurse edhe deri më tani, në veri të vendit më shumë vazhdon të jetë vëzhgues i situatës e sidomos kur flitet për armët.
"Është KFOR-i që përkujdeset për siguri, ndërsa EULEX ndihmon në shtrirjen dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në atë pjesë”, thotë një zyrtar i këtij misioni.
"Policia e Kosovës është duke u marrë me këtë rast”, thuhet në një përgjigje të dhënë nga Zyra për informim e EULEX-it. Por, nga Policia e Kosovës nuk jepen të dhëna nëse janë duke hetuar "armatosjen” e shqiptarëve në këtë anë.
Sido që të jetë, vetë pamjet e paraqitura në medie shihen si shqetësuese për situatën e sigurisë në vend.
"Është evidente se të gjitha strukturat ndërkombëtare të sigurisë i kanë toleruar prej kohësh serbët që të jenë të armatosur, dhe atje nuk ka ndodhur asnjë përpjekje më e vogël për çarmatosjen e serbëve të atjeshëm. Ndërkohë, fotografitë e fundit, ku shihen edhe shqiptarët duke u armatosur, janë shqetësuese. Mendoj se qytetarët shqiptarë duhet t’u besojnë institucioneve të shtetit dhe duhet të kenë besim në shtet”, vlerëson drejtori i dikurshëm i Policisë së Kosovës, tash deputet nga radhët e PDK-së, Behar Selimi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus