Kryesore » 2011 » Maj » 24 » Rrugë shqiptare n’Beograd
2:11 AM
Rrugë shqiptare n’Beograd
Shumë rrugë në Beograd mbajnë emra të qyteteve shqiptare si Shkodra, Prizreni, Peja apo Deçani. Një prej tyre madje quhet Skënderbeu. Këta emra në kryeqytetin serb sikur pasqyrojnë realitetet e ndryshme në këtë rajon. Atje dikur kanë jetuar shumë shqiptarë të cilët duket se kanë lënë gjurmë.Shkodra shtrihet në një kilometër rrugë. Këtu nuk bëhet fjalë për qytetin shqiptar. Me këtë emër është pagëzuar një rrugë në Beograd. Kjo rrugë ende mban në vete objektet më të vjetra në kryeqytetin serb. Rruga, e tëra është e shtruar me kalldrëm, lokalet e rregulluara mirë, por pa e prishur autenticitetin. "Shkodra” është zemra turistike e Beogradit. Në këtë vend, shumë njerëz që vijnë në Beograd duan të shëtisin dhe të pinë kafe tradicionale. Në të kaluarën, në këtë vend kanë jetuar aktorë dhe shkrimtarë si Gjuro Jakshiq, Gustav Kërklec, Antun Gustav Matosh, etj. Ivan Shtutiq tregon se lokalet që gjenden në këtë rrugë janë më të shtrenjtat në Beograd. "Çdo vizitor që vjen nuk mund të shkojë pa shkelur edhe në këtë vend”, thotë Shtutiq për Express. 
Por jo vetëm një pjesë të Shkodrës mund ta gjesh në Beograd. Edhe Skënderbeu e ka "pushtuar” kryeqytetin serb. Beogradasit e kanë të emërtuar një rrugë me emrin e heroit kombëtar shqiptar. Kjo rrugë ndodhet në pjesën e Beogradit të Vjetër. Në këtë rrugë, të gjitha ndërtesat janë qindravjeçare, ashtu siç është e vjetër edhe historia e Skënderbeut. Në rrugën "Skënderbeu” ndodhet edhe gjimnazi më i vjetër në Beograd. Në këtë gjimnaz e ka kryer shkollën edhe Presidenti aktual serb, Boris Tadiq, e më vonë edhe ka qenë ligjërues në të. 

Ivan Shtutiq tregon hapur se serbët nuk e duan Skënderbeun, heroin kombëtar të shqiptarëve, por megjithatë, emrin e rrugës nuk e kanë ndërruar. Ivani ironizon me bashkëkombësit e tij kur është fjala për Skënderbeun.

"Ata s’e duan Skënderbeun, ama kur është puna për konjakun, e pinë me gjithë dëshirë. Kjo është pafytyrësia e tyre”, thotë ky serb, që veten e quan me bindje liberale. Madje ai tregon se pikërisht në rrugën "Skënderbeu”, është xhiruar edhe filmi "Coriolanus” i regjisorit Ralf Feinnes.
Por në Beograd nuk ndodhet vetëm rruga me emrin Skënderbeu. Në kryeqytetin serb ndodhen edhe emrat e disa qyteteve të Kosovës si Peja, Prizreni apo Deçani. Jo vetëm kaq. Një rrugë tjetër në kryeqytetin serb quhet Kosova. Në të gjendet ndërtesa e Kuvendit të Serbisë. Kjo rrugë e ka një karakteristikë të veten. Pranë saj jeton edhe elektricisti më i vjetër në Beograd. Ky është Milorad Todoroviq. As ai nuk e di se prej kur kjo rrugë quhet Kosova.

"Moti e kam dyqanin këtu dhe prej atëherë kjo rrugë quhet kështu", tregon elektricisti për Express. Në pjesën e Beogradit të Vjetër, ndodhet edhe rruga me emrin "Deçani”. Madje ajo ndodhet në zemër të kësaj pjese të këtij qyteti.

Kjo rrugë e lidh sheshin "Nikola Pashiq" dhe atë që quhet "Sheshi i Republikës”. Banorët që jetojnë në këtë rrugë, sidomos të rinjtë, nuk dinë edhe aq shumë për kuptimin e këtij emri. Ata nuk kanë fare ide se në Kosovë, një qytezë quhet Deçan. Por të moshuarit e dinë këtë fakt. Ata e konsiderojnë Kosovën si vend të tyre. Duke u nisur nga kjo, nuk e shohin fort tragjike pse një rrugë e Beogradit mban emrin e një qyteti të Kosovës, ku nga viti 1999 nuk jeton asnjë bashkëkombës i tyre.

"Nuk më prish punë. Kjo rrugë quhet kështu prej se unë e mbaj mend dhe ne jemi rritur këtu", thotë Ivan Boshkoviq për Express.

Ky qytetar që i ka mbushur gati të gjashtëdhjetat, e di se në Deçan gjendet edhe një manastir ortodoks, e që sipas tij, ka bazë të besohet se Kosova është tokë serbe.

"Mjafton kjo", thotë Boshkoviq.

Jo fort larg rrugës "Deçani” gjendet edhe një rrugë tjetër që mban emrin e një qyteti të Kosovës. Por kësaj radhe ajo quhet "Prizreni", e cila është më pak e njohur krahasuar me rrugën "Deçani”. Kjo rrugë që mban emrin e qytetit historik të Kosovës, ndodhet në sheshin "Terazija” në Beograd, afër hotelit "Moska”.

Në kryeqytetin serb, ka edhe shumë emra të rrugëve që kanë motive shqiptare. Një rrugë tjetër quhet madje edhe "Esat Pashë Toptani”. Është çudi se si këta emra rrugësh vazhdojnë të mbesin. Në fakt, nuk është se Beogradi nuk ka dashur t’i ndryshojë, por ka qenë kundërshtimi i qytetarëve që emrat e rrugëve të vjetra të mbesin ashtu siç kanë qenë.

"Disa janë kthyer ashtu siç ka qenë e disa i kanë nga dy emra paralelë", thotë gazetari Sllobodan Vidiq nga Beogradi.

Ka të tjerë që këtë mosndryshim emrash e ndërlidhin me çështje politike. Ata e shpjegojnë me arsyetimin se për ta, Kosova ende është pjesë e Serbisë dhe është shumë normale që këta emra të ekzistojnë. Por nuk janë vetëm emrat e qyteteve të Kosovës që ndodhen rrugëve të Beogradit. Ka edhe rrugë të tjera që janë pagëzuar me emra të qyteteve të botës perëndimore, që deri para disa vitesh, serbët i urrenin për shkak të bombardimeve të NATO’s në vitin 1999.

Në Beograd ndodhet edhe rruga "Uashington”, pastaj një tjetër me emrin e kryeqytetit francez, Parisit, por edhe të vetë Francës. Po ashtu, janë emërtuar rrugë të ndryshme edhe me emra të personaliteteve botërore, si rruga "Ruzvelti” apo "George Uashington”. Por jo vetëm kaq. Beogradi ka emra të rrugëve që nga koha e mbretërisë dhe e komunizmit. Një rrugë në Beograd quhet "Rruga e Partizanit", ndërsa një tjetër "Ramiz Sadiku”. Të gjitha këto rrugë dhe shumë të tjera, duke përfshirë edhe "Pallatin Albania” në zemër të kryeqytetit serb, sikur pasqyrojnë kohët e ndryshme dhe realitetet e hidhura në këtë pjesë të Ballkanit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus