Sindikalistët kosovarë akuzojnë drejtuesit e konsorciumit amerikano-turk "Bechtel & Enka”, të cilët po e ndërtojnë autostradën "Ibrahim Rugova”, për shkelje të të drejtave të punëtorëve të angazhuar në këtë projekt. Sipas tyre, 4 punëtorë kanë humbur jetën duke punuar në këtë projekt vetëm në dy muajt e fundit, punëtorët punojnë më shumë se 8 orë në ditë, ndërsa orët shtesë nuk iu paguhen dhe nuk lejohet organizimi sindikal. Avni Ajdini, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), thotë për "Zërin” se në projektin e autostradës "Ibrahim Rugova”, të cilin është duke e realizuar konsorciumi amerikano-turk "Bechtel & Enka”, punëtorët janë shtresa më e diskriminuar, pasi që marrin paga minimale dhe nuk respektohet Ligji i punës."Punëtorët punojnë më shumë se 8 orë në ditë, ndërsa orët shtesë nuk iu paguhen. Ata punojnë në autostradë deri në 12 orë në ditë”, thotë Ajdini.
Sipas tij, vetëm në muajt e fundit katër punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës në autostradë. ”Një punëtor ka rënë prej urës, një tjetër ka pësuar infarkt si pasojë e lodhjes, një tjetër e ka shkelë bageri, etj.”, shprehet ai.
Numri dy i BSPK-së akuzon drejtuesit e konsorciumit amerikano-turk se nuk lejojnë punëtorët të bëjnë organizim sindikal, pavarësisht se janë të angazhuar mbi 2000 punëtorë, e kjo është në kundërshtim me ligjet e aprovuara nga Kuvendi i Kosovës.
”Jemi takuar me zëdhënësen e Bechtelit, ajo thotë se nuk i pengojnë punëtorët të bëjnë organizime sindikale, ndërsa në anën tjetër i pengojnë, pasi që punëtorët frikohen se mos po e humbin vendin e punës”, pohon Ajdini, duke shtuar se para një muaji ka qenë në Suharekë dhe nuk ka mundur të takohet me punëtorët e angazhuar në këtë projekt infrastrukturor, përpos takimeve që ka zhvilluar me 3 punëtorë.
Ai thotë se vërejtjet e sindikatave për shkelje të të drejtave të punëtorëve nuk i merr parasysh askush. " Nga Bechtel Enka po shkelen të drejtat e punëtorëve, si në kohën e sistemit sllavo-pronar”, ankohet ai.
Në anën tjetër, menaxherja për marrëdhënie me publikun në projektin e ausotradës "Ibrahim Rugova”, thotë se "Bechtel & Enka”, thotë se pak kohë më parë kanë humbur një punëtor të saj, i cili kishte pësuar aksident në vendin e punës.
"Po me të njëjtin trishtim morëm lajmin e aksidentit të pësuar nga një prej punonjësve të një prej kompanive kosovare të nënkontraktuar. Bechtel & Enka u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të tyre dhe është pranë tyre në këto momente të vështira”, ka pohuar Ruçi.
Megjithatë, sipas saj, siguria teknike është për "Bechtel Enka” objektivi kryesor dhe targeti i tyre është zero aksidente. "Ndaj nga dita e parë në projekt çdo punonjës i specializuar, apo jo, i joni, apo i nënkontraktorëve kalon në një zinxhir të gjatë të vazhdueshëm trajnimesh mbi sigurinë teknike. Siguria është jo vetëm një rregull pune, por mbi të gjitha një kulturë pune që ne punojmë çdo ditë për ta përcjellë këtë kulturë pune të sigurt edhe në Kosovë”, thotë ajo.
Sa i përket ankesave se punëtorët punojnë më shumë se 8 orë në ditë në këtë projekt, Ruçi thotë se ndërtimtaria është një aktivitet sezonal. Mirëpo, sipas saj, paguhen edhe orët shtesë të punëtorëve.
”Siç e dini gjithashtu ligji parashikon oraret e zgjatura dhe pagesën specifike ekstra për çdo orë jashtë orarit. "Bechtel Enka” në respektim të plotë me ligjin njihet tashmë për formatin e saj të punës dhe megjithëse ligji parasheh një masë të caktuar për pagesën jashtë orarit, ne e tejkalojmë atë duke vlerësuar çdo moment qe punonjësit kalojnë në shërbim të projektit”, potencon Ruçi, duke shtuar se për punëkryesin orari i punës së punëtorëve nis nga momenti kur ata hyjnë në mjetet tona te transportit e deri në momentin kur ata transportohen në familjet e tyre.
Përndryshe, në projektin e autostradës aktualisht janë të angazhuar 2783 punëtorë, prej të cilëve 706 punëtorë të huaj, të cilët vijnë nga 10 shtete të ndryshme të botës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus