Policia e Kosovës, nëpërmjet një konference për media, të premten ka prezantuar të dhënat lidhur me trendin e krimit në vend duke përfshirë periudhën tremujore të vitit 2012 si dhe krahasimet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas policisë, shqetësues mbete trendi i rritjes së rasteve të vrasjeve, ku vetëm gjatë tre muajve të vitit 2012 janë regjistruar 10 raste të tilla e ku vërehet një rritje e këtyre rasteve për 11 për qind krahasuar me periudhën e vitit të kaluar.Duke prezantuar të dhënat statistikore të rasteve të krimit në vend, Fehmi Hoti, kryesues i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, ka theksuar se në përgjithësi vërehet një rënie e rasteve të krimeve. Mirëpo, sipas tij, shqetësues mbetet fakti i ngritjes së rasteve të vrasjeve në Kosovë."Në tremujorin e parë të vitit 2012, në gjithë Kosovën janë shënuar 10 raste të vrasjeve, prej tyre 9 raste janë të zbuluara, ku të dyshuarit janë sjellë para drejtësisë. Mirëpo, nëse e krahasojmë këtë numër të veprave më të rënda të vrasjeve me vitin paraprak, me vitin 2011, kemi ngitje të rasteve, çka do të thotë se është një brengë për policinë dhe shoqërinë e Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, lidhur me këto raste, policia ka arritur të arrestoj 13 persona të dyshuar, të cilët janë sjellë para organeve të drejtësisë. Ai shton se brengë për policinë mbetet edhe përdorimi i armëve të zjarrit. Ndërkaq, bën të ditur se motivet e vrasjeve kanë të bëjnë kryesisht me çështjet pronësore, hakmarrje, vjedhje etj.
Ndërkaq, Driton Gashi, drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka shpalosur programin strategjik të MPB-së, për vënien nën kontroll të situatës së sigurisë.
"Ka një ligj për armë që është hartuar, i cili rregullon disa fusha brenda kësaj kategorie, pastaj masat strategjike për pajisje për armë dhe municion për institucionet e sigurisë. Strategjinë për kontrollin e përdorimit të armëve. Synim kryesor i krejt kësaj pakoje strategjike është që të futen nën kontroll edhe qarkullimi, posedimi, përdorimi, tregtimi, dhe të gjitha gjërat të cilat nuk kanë ekzistuar në Kosovë”, ka thënë Gashi.
Sipas policisë, sa i përket rasteve për armëmbajtjeve pa leje, në periudhës tremujore kanë qenë 309 raste, kurse sa i përket rasteve të konfiskimit të narkotikëve vërehet një ngritje në tremujorin e parë të vitit 2012 krahasuar me atë të viti 2011. Ngritje e përqindjes vërehet edhe në rastet e hetimeve të trafikimit me qenie njerëzore. Në ndërkohë, policia apelon tek qytetarët për bashkëpunim me policinë në rast se kanë informacione sa i përket rasteve kriminale, andaj me këtë rast ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit 080019999, ku thirrjet janë pa pagesë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus