Dr.Yosuf Somnez, njeriu që drejtonte transplantimin e veshkave, kishte qëndruar i qetë në ‘Hotel Baci’ me datat 4 dhe 5 nëntor 2008 - ditët kur policia bastisi klinikën ‘Medicus’.Konfirmimi erdhi nga dëshmitari Agim Humolli, pronar i hotelit ‘Baci’ në Prishtinë, të martën në Gjykatën e Qarkut në gjykimin e rastit ‘Medicus’, i cili tha se bazohej në regjistrin e hotelit. Deklarata e dëshmitarit shpërfaqte dështimin e Policisë së Kosovës në atë kohë që të kapte derisa ishte në Kosovë dr. Yosuf Somnezin, njërin nga dy të akuzuarit kryesorë. Policia kishte dështuar ta kapë turkun me datën 4 nëntor gjatë bastisjes së klinikës, operacion që kishte zgjatur deri më 11 nëntor. Sipas regjistrit del se dr. Somnez nga Kosova është larguar me datën 5 nëntor dhe atë pa u vërejtur nga askush. Hotelin ‘Baci’, më 7 nëntor 2008 e kishte vizituar policia e EULEX’it, më saktë komponenta turke në këtë polici.
Sipas dëshmive të deritashme të hetuesve policorë, pikërisht në fillim të nëntorit 2008 ata u kishin rënë në gjurmë parregullsive në klinikën ‘Medicus’ kur edhe kishin zënë disa persona të dyshimtë në aeroport dhe kishin ndërmarrë një operacion bastisje së bashku me prokurorinë. Por, Smonez ishte treguar shumë i kujdesshëm që policia të mund t’i binte në gjurmë.
Si rezultat që atëherë ai gjendet në arrati ndonëse thuhet se mbahet i ndaluar nga autoritetet në Turqi. Yousuf Sonmez thuhet se ka kryer të gjitha operimet duke bashkëpunuar me spitalin Medicus, ku edhe janë kryer transplantimet e veshkave.
Kolegu i tij izraeliti Moshe Harel ka qenë ndërmjetësuesi kryesor dhe njeriu që i ka gjetur pacientët, si ata ‘donatorë’ ashtu edhe ata që i kanë pranuar veshkat dhe kanë paguar për to. Për të dy ka urdhër arresti nga Interpoli.
Në seancën në Gjykatën e Qarkut, të martën dëshmoi edhe dëshmitari Besim Gashi, infermier në Klinikën Medicus. Gashi pranoi para kolegjit se deklarata e dhënë në polici është e tij dhe se qëndron prapa asaj deklarate.
Gashi në deklaratën e dhënë në polici kishte deklaruar ‘kanë ndodhur 3 ose 4 transplanto të veshkave’. Por, kësaj radhe ai nënvizoi se kur i është referuar numrave mund të bëhet fjalë për pacientët e huaj që kishin ardhur në atë kohë dhe se ai nuk e ka ditur se çfarë operimesh janë bërë me që asnjëherë nuk kishte pas qasje në sallë të operimeve.
"Neve si staf i mesëm nuk na është treguar se po bëhen transplanto, por mund të pohoj se gjatë asaj kohe ka pasur pacientë të huaj”, tha Gashi.
Anëtari i kolegjit Dean Pinales, shtroi pyetjen se kush është përkujdesur pas operimit për plagët në trup, e dëshmitari tregoi se për plagët është kujdesur dr. Yosuf Somnez, por në 5 ose 6 raste ishte ndihmuar edhe nga vet ai. Gashi, sqaroi se pjesa që ka qenë e prerë dhe e fashuar ishte pjesa e përparme abdominale.
Me kërkesë të prokurorit, në bankën e dëshmitarit gjatë seancës u paraqiten edhe dy ish gjykatësit paraprakë të rastit Medicus.
Selman Bogiqi, dikur gjykatës tani avokat, dëshmoi para kolegjit për veprimet që kishte marr ai në lëndë dhe për heqjen dorë nga lënda me që kishte njohur dr. Tun Përvorfin. Dëshmitari kishte qenë gjykatës kujdestar, por prokurori nuk e kishte kërkuar nga ai asnjëherë urdhër për bastisje qoftë me shkrim ose me gojë.
E gjykatësi Shemsi Hajdini, i cili edhe sot është gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dëshmoi para kolegjit se cilat ishin veprimet që ai si gjykatës paraprak kishte marr në lidhje me lëndën.
Nga dëshmitari Hajdini, prokurori kërkonte të dinte nëse kishte lëshuar ai ndonjë urdhër për bastisje, qoftë gojor ose me shkrim. E dëshmitari deklaroi se nuk e kishte bërë asnjëherë një gjë të tillë, me që nuk i ishte kërkuar nga prokuroria.
Në këtë seancë dëshmoi edhe dr. Arsim Gërxhaliu, i cili në rolin e mjekut ligjor kishte marr pjesë në bastisjen e Klinikës Medicus.
Dr. Gërxhaliu, kishte parë të shtrirë dhe e kishte fotografuar pacientin nga Izraeli, i cili kishte pasur të fashuar pjesën abdominale, kjo e vërtetuar pas kontrollit të bërë nga vet Gërxhaliu. Izraeliti kishte refuzuar të fliste ndërsa kishte kërkuar që t’ia sillnin gruan e tij.
Në këtë seancë, avokati Fazli Balaj, pos që flinte herë pas here, ai fliste edhe në telefon, e në një rast kryetari i kolegjit i tërhoqi vërejtjen.
Gjykimi në rastin ‘Medicus’ ka filluar më 4 tetor. Të pandehurve Lutfi Dervishi mjek dhe profesor urologjisë, Arban Dervishi ekonomist i diplomuar, Driton Jilta mjek nga komuniteti turk dhe punëtor shëndetësor i misionit të OSBE’së, Ilir Recaj mjek njëkohësisht edhe Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e Alush Gashit, Sokol Hajdini mjek anesteziolog, Islam Bytyqi mjek anesteziolog dhe Sylejman Dula mjek anesteziolog iu kishte konfirmuar aktakuza në 2 mars 2011 .
Ata të gjithë akuzohen për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe shpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit, në bashkëkryerje.
Të pandehurit akuzohen që së bashku kanë ndërmarrë veprime kriminale duke i transplantuar veshkat e më shumë se 20 personave të ndryshëm nga vende të ndryshme, kryesisht nga Turqia. Veshkat u morën pacientëve të ndryshëm, pacientë këta nga vende të ndryshme, duke ju transplantuar kryesisht Izraelitëve në këmbim të shumave të mëdha të parave - deri në 90 mijë dollarë për një transplanto.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus