Kryesore » 2012 » Maj » 7 » Rexhepi: Nuk ia vlente të intervenohet në Veri
1:55 PM
Rexhepi: Nuk ia vlente të intervenohet në Veri
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar në mbledhjen e kabinetit qeveritar, se agjenda evropiane e Kosovës paraqet pikën unifikuese të politikës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka mundur të ndërhyjë në Zveçan dhe Zubin Potok, ku janë mbajtur zgjedhjet lokale, por sipas tij është vlerësuar se ato nuk paraqesin kurrfarë efekti, as politik e as juridik.Në fillim të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës feston Ditën e Evropës, 9 Majin, që shënon triumfin e vlerave të mirëfillta demokratike, që kanë të bëjnë me paqen, lirinë, sundimin e ligjit, prosperitetin dhe mirëqenien sociale.

Sipas tij e ardhmja e vetme për Republikën e Kosovës është e ardhmja evropiane dhe euro-atlantike.

Duke folur për agjendën evropiane të Kosovës, Thaçi ka thënë se kjo paraqet një gjë unifikuese të të gjithëve në Kosovë.

"Agjenda evropiane paraqet pikën më unifikuese të politikës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, andaj në kuadër të agjendës që e kemi për ditën e Evropës, si Qeveri e Republikës së Kosovës, si institucione të Kosovës, kjo ditë do të shërbejë si simbolikë e zhvillimit të rajonit si tërësi në frymën evropiane, pra bashkëpunimi reciprok ndër-shtetëror, bazuar në parimet fundamentale të barazisë mes popujve, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, që janë bazament fundamental drejt një të ardhme prosperuese për të gjithë popujt tanë”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër ai ka shtuar se Kosova po shënon progres të vazhdueshëm drejt integrimit evropian, duke shtuar se së shpejti pritet edhe dorëzimi i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, dhe fillimin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizimi Asocimit.

Ndërkohë për obligimet që do t’i dalin Kosovës, në këtë proces, kryeministri është zotuar se Kosova do të i përmbush në afat rekord.

"Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta në afat rekord, do të punojë për implementimin e shpejtë dhe të plotë të kritereve demokratike. Kam besim të plotë se edhe Brukseli nuk do të vonohet me Kosovën dhe rajonin. Kosova do të trajtohet njëjtë sikur të gjitha vendet tjera të rajonit. Ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës në reformën në ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se dje janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës, me një pajtueshmëri edhe nga Qeveria e Kosovës, ndërsa me rolin lehtësues dhe menaxhues teknik nga OSBE-ja.

Ai ka thënë se i gjithë procesi ka kaluar në aspektin e sigurisë në formën më të mirë, pa asnjë incident të regjistruar përkundër shumë skepticizmave, ose analizave të ndryshme, se gjendja mund të tensionohet dhe mund të ketë dhunë.

Rexhepi ka theksuar se në dy komunat në Zveçan dhe në Zubin Potok kanë qenë e paralajmëruar mbajtja e zgjedhjeve lokale, nga strukturat paralele.

Sipas tij ato janë mbajt kryesisht në objekte private, dhe me disa kërcënime, e disa ftesa direkte për anëtarësim të partive radikale, të cilët kryesisht kanë votuar për radikalët dhe DSS e Koshtunicës.

Ministri Rexhepi ka thënë se ka mund të intervenohet nga Njësia Speciale e Kosovës në ato dy komuna, por siç ka thënë ai është vlerësuar se nuk kanë ndonjë efekt politik dhe juridik dhe për atë nuk është intervenuar.

"Njësitë tona edhe speciale edhe operative, kanë qenë në gatishmëri të plotë, por ne jemi zotuar se nuk marrim vendime pa u koordinuar me ndërkombëtarët dhe pa e qenë e domosdoshme. Kemi vlerësuar se nuk ia vlen, se nuk kanë kurrfarë efekti juridik dhe nuk kanë legjitimitet që të intervenohet dhe të përdoret dhuna dhe do të prishte në përgjithësi një të drejt demokratike të qytetarëve të Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre për votim në bazë të standardeve evropiane dhe legjislacionit tonë që e kemi dhe dy shtetësi”, ka deklaruar Rexhepi.

Më pas mbledhja e Qeverisë ka vazhduar me miratimin e Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit, miratimin e propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 95 mijë euro nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për Aleancën Kosovare të Biznesit për organizimin e Bursës së punësimit për vitin 2012.

Gjithashtu është miratuar propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 10/60 të datës 08.02.2012 dhe propozim-vendimi për vazhdimin e mandatit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus