Kryesore » 2012»Nëntor»20 » Rexhep Qosja: Berisha ka faj për vitin '97, Gërdecin dhe 21 janarin
10:13 AM
Rexhep Qosja: Berisha ka faj për vitin '97, Gërdecin dhe 21 janarin
Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Fan Noli, Enver Hoxha dhe Sali Berisha vijën të analizuar nga akademiku Rexhep Qosja. Në një intervsitë për Rudina Xhungën që u transmetua mbrëmë në "Shqip", ai flet për 100 vite jetë të shtetit shqiptar me arritjet dhe problemet. Profesor Qosja, i kujt është 100 vjetori, i Ismail Qemalit, apo Ahmet Zogut? Zogu me Ismail Qemalin nuk kanë të bëjnë fare mes njeri-tjetrit. Ismail Qemali ishte shtetari që themeloi Shqipërinë, Ismail Qemali ishte demokrati ai i cili e filloi demokracinë në historinë e popullit shqiptar dhe në historinë e shtetit shqiptar, Ismail Qemali ishte njeriu i cili ndërtonte një politikë tipike demokratike madje them më liberale. Ai ishte për bashkëmarrëveshje që me fjalë të huaj i themi dialog, ishte për tolerancën, ishte për mirëkuptimin, ishte për humanizmin, ishte për të drejtën, për të vërtetën. Pra ishte për disa vlera që nuk i kishte Ahmet Zogu, fjala bie. Ismail Qemali ishte një figurë politike me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ne nuk mund të harrojmë kur flasim për Ismail Qemalin dhe rolin që luajti ai në historinë shqiptare, si u bë e mundshme që të luante ai atë rol. Në Perandorinë Osmane në Stamboll ai ishte një figurë e shquar, ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ishte këshilltar në disa njësi të shtetit të Perandorisë Otomane, pra i sundimtarëve të ndryshëm. Ishte caktuar ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Drejtësisë, ministër i Rendit Publik. Ismail Qemali ishte njeri që ka marrë pjesë në disa delegacione me rëndësi të veçantë si për shembull delegacionin e Perandorisë Osmane që merrej me çështjen e Danubit. Ishte këshilltari i Xhevdet Pashës që merrej me çështjen e rendit në atë kohë të Bosnje-Hercegovinës dhe me përpjekje për reformat e Bosnjës dhe Hercegovinës që donte të bënte perandori otomane siç ishte gjendja atje. Dhe të mos harrojmë sepse nuk theksohet... Po nëse ndalojmë te Zogu dhe Noli... Fan Noli është përmendur këtë 100 vjetor, me shumë vërejtje ose pothuajse negativisht në mënyrë të shumë të padrejtë, të palejueshme dhe të papranueshme. Për mua që e njoh punën, krijimtarinë, veprimtarinë, jetën dhe veprën e Fan Nolit krahasimi me Ahmet Zogun është një profanosje. Fan Noli është një figurë e madhe, është njeri i madh në kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. Çfarë do të thotë njeri i madh? I madh është dikush i cili nuk është i madh për një periudhë të shkurtër, 10, 15, 50 vjet, por kur është i madh përgjithmonë. Fan Noli është i madh përgjithmonë në historinë shqiptare. Ai është poet, historian, publicist, kompozitor. Ai ka shkruar pak vjersha, por të gjitha vjershat e tij hyjnë në antologjinë e poezisë shqipe, të gjitha, pa përjashtim... Kudo ishte origjinal, i veçantë, i ri me mendime, i papërsëritur. Publicistika e tij është e veçantë sepse Noli ishte intelektual shumë parimor ndërsa Zogu jo. Si mund të krahasohet Noli me Zogun? Nolin e kanë quajtur dhe e quajnë edhe tani bolshevik, komunist... Noli erdhi në politikën shqiptare prej Amerikës. Noli kishte politikë dhe ideologji anglo-amerikane. Po të ishte Noli në politikë, po të mos kishte dështuar revolucioni i vitit 1924 populli shqiptar dhe Shqipëria do të orientohej nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e sigurt. Dhe historia shqiptare do të ishte jo pak por shumë më ndryshe se çka qenë prej vitit 1924. Por nderimi shkon për Zogun këtë 100 vjetor... Tani po shkruhet, po flitet, po dëgjoj, po lexoj se Zogut do t'i ngrihet një përmendore ashtu si Ismail Qemalit madje do ti bëhet edhe një mauzole. Ia bëj vetes një pyetje: Si është e mundur kjo gjë? Si është e mundur të bëhen gjithë këto përpjekje për ta shquar Zogun dhe për ta bërë figurë të madhe historike, sa për ta krahasuar me Ismail Qemalin. Shumëçka harrohet, me qëllim, dhe shqiptohen shumë të pavërteta dhe gënjeshtra. Dhe të vërtetat e tjera harrohen. Por ne nuk duhet ti harrojmë. Nuk është Zogu themeluesi i një administrate moderne, madje as i një rendi bashkëkohor të Shqipërisë. Zogu vendosi në Shqipëri një rend politik, shoqëror gjysmë feudal. Të dhënat e jetës politike, shoqërore të asaj kohe e dëshmojnë këtë. Zogu krijoi një administratë. Ahmet Zogu sundonte në mënyrë despotike dhe me mjete despotike madje të një despotizmi them oriental. Sundonte me intriga dhe frikë. Një problem tjetër shumë i rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë është se Noli erdhi në pushtet për ato 6 muaj me një revolucion që e bëri populli por Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri me ndihmën e ushtrisë serbe, madje me ndihmën e pjesës më ekstreme, më të dhunshme të ushtrisë serbe, me të ashtuquajturit çetnik... Tjetër, ai bëri një marrëveshje me Nikolla Pashiçin që është një marrëveshje historikisht e vlerësuar shumë e turpshme, një marrëveshje tradhtare që komprometon përgjithmonë nënshkruesin e saj. Duhet t'i lexoni ato tetë pikat e ndryshme, pasi nuk dua të flas tani për te gjitha ato, por një prej atyre pikave që rëndon shumë, që dëshpëron shumë, është pika për ndërprerjen e veprimtarisë së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Ky Komitet e kishte bazën në Shkodër por i kishte degët e veta edhe në Kosovë, kishte degë në vendlindjen time, Plavë dhe Guci, kishte në një varg qytetesh të Shqipërisë. Zogu, e shkatërroi Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës pasi kështu e kishte bërë marrëveshjen me Pashiçin. Zogu, gjithashtu, vrau figurat kryesore të këtij Komiteti. Vrau Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hysni Currin. Nuk po flas për Luigj Gurakuqin, një figurë e madhe e historisë shqiptare, por po flas për këta që ishin anëtar të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës... Unë po flas këtu jo me simpati letrare por po flas me fakte, me të dhëna politike e historike. Ndryshe vlerësohet Noli, politika dhe synimet e tij, se ku do ta çonte popullin shqiptar dhe Shqipërinë ajo politikë e Nolit. Dhe flas gjithashtu për realitetin e Zogut. Si individ nuk mund të kem asgjë kundër Ahmet Zogut por këto që them më bëjnë që unë të them Ahmet Zogu në asnjë mënyrë nuk meriton të bëhet për të atë që dëshiron ti bëjë Sali Berisha, në asnjë mënyrë. Zogu, i hapi rrugë me politikën e tij, pushtimit italian, fashist të Shqipërisë. Shqipëria bëri një luftë shumë të çmuar antifashiste. Ajo Parti Komuniste me në krye Enver Hoxhën bëri një luftë antifashiste të çmuar në Evropë por në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Shqipërisë nuk iu pranua statusi i bashkëluftëtares me aleatët kundër fashizmit. Kjo e para, dhe e dyta, Shqipërisë nuk iu pranua statusi i vendit të cilit do i paguheshin dëmet e luftës, reparacionet e ashtuquajtura të luftës. Cili është shkaku? Shkaku është politika që ndoqi Ahmet Zogu i cili bëri atë politikë që solli pushtimin e Shqipërisë dhe i ikjes së tij nga Shqipëria... Megjithatë, është në të drejtën e të djathtës shqiptare të identifikohet me Zogun. Ajo që nuk kuptohet është pse e majta shqiptare nuk identifikohet me Nolin? Më shumë në Shqipëri dëgjon kryeministrin Berisha të flasë për Nolin sesa liderin e opozitës, Edi Rama. Nuk e kuptoj as unë. Nuk shoh arsye pse ata i shmangën qëndrimet reale, objektive, të drejta ndaj Fan Nolit. Të përdor shprehjen tuaj, e majta e Shqipërisë i shmanget identifikimit me Fan Nolin ashtu siç nuk e kuptoj se si mund të identifikohet e djathta e Shqipërisë me Ahmet Zogun. Mund ta kuptoj identifikimin me ndonjë tjetër, por në asnjë mënyrë me Ahmet Zogun. Të dhënat që paraqita e komprometojnë këtë identifikim. Një tjetër figurë, është Enver Hoxha, për të cilin nuk po flitet në këtë 100 vjetor. Nuk është normale. Edhe periudha e komunizmit në Shqipëri është një periudhë që e ka jetuar populli shqiptar pra, është një pjesë e historisë shqiptare. Nuk mund ta heqësh, nuk mund ta kapim me dorë atë periudhë 45 vjeçare dhe ta hedhim aty ku nuk shihet, dëgjohet e ku nuk flitet për të. Kam lexuar mjaft të vërteta për atë regjim që ishte diktaturë totalitare me mjaft mjete të dhunës por kam lexuar edhe shumë gënjeshtra dhe të pavërteta. Enver Hoxha ishte një sundimtar për një periudhë të gjatë të historisë shqiptare dhe në këtë periudhë u përdorën mjete që unë nuk i pranoj në jetë, politikë, shtet.... Sot ne flasim gjithqysh për Enver Hoxhën. Më vjen keq për pasardhësit e të pushkatuarve, më vjen keq pasi nuk jam dakord me pushkatime të tilla por nuk mund të mos mendoj se sjellje të tilla më të rënda se në Shqipëri kishte edhe në vende të tjera komuniste... Flasim për të këqijat që i ka patur ai regjim por historiani, studiuesi njeriu objektiv që shikon objektivisht dhe të shikosh një rend politik, shoqëror në mënyrë objektive do të thotë ta shikosh ndershëm për veten në radhë të parë. Enver Hoxha, si të gjithë diktatorët, ashtu si Napoleoni, Cezari apo Aleksandri i Maqedonisë që ishte despot dhe që bënte tmerre ngado shkonte duke djegur qytete, kanë edhe disa të mira që mund të jenë më të vogla apo më të mëdha. Ka edhe regjimi i Enver Hoxhës një varg të mirash. E para, Enver Hoxha, me atë rend politik-shoqëror, me atë politikë e ideologji e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte përpara. Enver Hoxha, i siguroi atij populli bukën dhe mandej u arritën disa zhvillime para të cilave nuk mund ti mbyllim sytë. Shqipëria ndërtoi institucione bashkëkohore të shtetit, të gjitha institucionet e mundshme që i ka një shtet i ndërtoi ai regjim. Ai regjim zhvilloi arsimin në përpjesëtime të mëdha, ai regjim zhduku analfabetizmin. Ai regjim, ndërtoi institucione bashkëkohore që i kanë shtetet më të zhvilluara të kulturës dhe shkencës, ai regjim i zhvilloi studimet albanologjike. Ky regjim ndërtoi institutet e kulturës, operës, baletit, ansamblin me shumë rëndësi të valleve popullore, ky regjim bëri institute edhe në shkencat ekzakte. Shqipëria sot ndriçohet edhe me termocentrale që ka ndërtuar ai regjim, apo në radhë të parë me ato termocentrale. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë prej vërshimeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme. Profesor, është duke u kërkuar, dhe me të drejtë, rishikimi i historisë. Ju shikoni, kush është duke e rishikuar, njerëzit e oborrit të radhës, njerëzit që bëjnë histori apo njerëzit që bëjnë propagandë? Këtë përpjekje që të mos e quaj proces, të rishkrimit të historisë e ka filluar kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Është e vështirë të rishkruhet historia, domethënë ta fillosh nga A-ja, nga fillimi. Historia korrigjohet, studimet historike korrigjohen, ndryshohen, plotësohen etj. por ta rishkruash prej fillimit do të thotë të hedhësh poshtë gjithçka që është bërë deri tani dhe kjo gjë është e pamundur. Në Kongrese, Konferenca, tubimet shkencore që bëheshin nëpër republikat e Jugosllavisë shkruhej me shumë respekt për historianët e Shqipërisë. Ata mund ti bënin lajka regjimit por të dhënat, metodologjia, shpjegimi që jepnin, ishin të drejta dhe objektive në shumicën e rasteve. Kryeministri i Shqipërisë dëshiron ta ndërrojë. Pse? Për një ideologji tjetër dhe për më tepër për një mentalitet tjetër. Kryeministri i Shqipërisë, objektivisht, dëshiron ta feudalizojë dhe bajraktarizojë historinë shqiptare duke amnistuar, duke glorifikuar, duke madhëruar figura pashallarësh me origjinë shqiptare që nuk kanë të bëjnë fare me përpjekjet për krijimin e shtetit modern shqiptar.... Ai do të shquajë, të madhërojë atë që nuk pranohet si kuislingët, bashkëpunëtorët e fashizmit, njerëz që morën pjesë në pushtetin fashist dhe në pushtetin nazist pasi kapitulloi Italia. Epo këtë të tjerët nuk e bënë sepse moralisht është e papranueshme, shkencërisht, kombëtarisht e papranueshme në të gjitha vendet komuniste duke përfshirë edhe Francën që është vend me tradita dhe kulturë të jashtëzakonshme. Pas luftës, menjëherë, punët janë kryer me kuislingët, me bashkëpunëtorët e fashizmit. Në këto 20 vite të Shqipërisë në tranzicion, personi i cili ka kushtëzuar jetën e shqiptarëve dhe figura kryesore e tranzicionit shqiptar, eshte Sali Berisha? Po, mund të them se Sali Berisha është figura kryesore e këtyre 20 viteve që ushtroi ndikimin më të madh, që fitoi më shpesh në zgjedhje, që me sjelljet dhe veprimet e tija bëri ndikimet më të dukshme. Tranzicioni, shndërrimet që e çojnë Shqipërinë drejt realizimit të atyre standardeve që kërkohen prej Shqipërisë dhe vendeve të tjera që kanë dalë prej komunizmit dhe prej vendeve të tjera që do të inkuadrohen në Bashkimin Evropian, natyrisht janë arritur disa gjëra. Shqipëria nuk ka qëndruar në vend por ka ecur, janë bërë ndërtime. Shqipëria, në pikëpamje të ndërtimit, të infrastrukturës së qyteteve ka qenë mjaft mbrapa. Shqiptarët që kanë dalë, kanë punuar dhe kanë jetuar në botën e huaj kanë ndërtuar shtëpi, kanë bërë shumë ndërtime në Shqipëri dhe këto shihen kudo. Por ne, kur flasim për tranzicionin në Shqipëri, përpos dëshirës për të arritur të mirën, nuk mund të flasim edhe për gjëra të tjera. Nuk mund të mos flasim për vitin 1997, ku u shkatërruan institucionet, institucione me vlerë të veçantë të kulturës, ku u shkatërruan objekte, ku humbën jetën, disa thonë 2 mijë veta, disa thonë 3 mijë, disa 5 mijë por që gjithsesi u vranë njerëz. Kur flasim për tranzicionin në Shqipëri, nuk mund të mos flasim për piramidat financiare, një dramë financiare që iu ndodhi qytetarëve të Shqipërisë. E për çfarë? Natyrisht, si për vitin 1997, fajin e kishin ata që ishin në pushtet. Domethënë, kryeministri i sotëm i Shqipërisë. Kur flasim për tranzicionin, nuk mund të mos flasim edhe për tragjedinë e Gërdecit. Dhe unë, nuk mund të mos flas edhe për vrasjen e protestuesve më 21 janar 2011 dhe nuk mund të mos flas edhe për vetëdjegien e dy ish të burgosurve politikë. Këto nuk pranoj t'i lidhë me tranzicionin. Nuk e kuptoj atë tranzicion që ecën drejt demokracisë, që ecën drejt realizimit të standardeve demokratike, në të cilin ndodhën këto që kanë ndodhur në Shqipëri, janë edhe disa probleme të tjera. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët e vendit kërkojnë prej Shqipërisë të plotësojë dhe realizojë disa standarde që po quhen evropiane. Ky tranzicion merr fund kur bëhen reformat e duhura dhe kur realizohen ato standarde që quhen evropiane, demokratike, kulturore, qytetëruese, vlera të veçanta. Por ato standarde nuk janë arritur, një varg i atyre standardeve nuk është arritur. Shqipëria sot ende nuk ka arritur të realizoje zgjedhje vërtetë të lira dhe demokratike që të plotësojnë standardet e kërkuara nga Evropa. Në të vërtetë, Shqipëria sot, gjendet në një fazë që quhet gjysmëzgjedhore, ajo nuk është demokraci e vërtetë, demokraci e zgjedhjeve të lira. Shqipëria nuk ka arritur të realizojë atë që është kusht kur flitet për demokraci, që është ndarja e pushteteve, të pushteti ligjvënës, pushtetit gjyqësor dhe pushtetit zbatues pra, Kuvendi, Gjyqësori, Qeveria. Po e shohin dhe është e dëshmuar pasi po flasin edhe ambasadorët e huaj si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai Evropian, që qeveria i sundon, i manipulon, i përdor gjyqësorin, kuvendin dhe presidencën tani. Jo presidencën e ish kryetarit të vendit Rexhep Meidani, jo presidencën e ish kryetarit Alfred Moisiu, por presidencën deri në një farë kohe të kryetarit të tanishëm të partisë Fryma e Re Demokratike dhe të kryetarit të tanishëm të Shqipërisë. Shqipëria nuk arriti, në procesin e tranzicionit, të sigurojë pavarësinë e pushteteve të ndara që janë të pashmangshme në demokraci. Në 100 vjetorin e pavarësisë ne nuk mund të themi se Shqipëria ka arritur të sigurojë barazinë e dinjitetit të qytetarëve. Shqipëria, në 100 vjetorin e pavarësisë, nuk ka arritur të krijojë administratë të qëndrueshme që në fjalë të huaj thuhet stabile. Administrata e Shqipërisë është administratë partiake. Në 100 vjetorin e pavarësisë në Shqipëri nuk është arritur edhe diçka që do të duhej të kishte marrë fund që në vitin 1991. Në Shqipëri nuk është arritur marrëveshje për datën e çlirimit të Shqipërisë prej pushtuesve pasi ende diskutohet nëse është 28 nëntori apo 29 nëntori... Në këto 20 vite gjithashtu çfarë i ka sjellë familjes shqiptare tranzicioni shqiptar? ... Familja ishte e shenjtë në jetën shqiptare. As Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk e lejon ndëshkimin e gruas, e trajton në një mënyrë të veçantë gruan. Edhe në Kanunin e Lek Dukagjinit është thënë se gruaja është themeli i shtëpisë. Pra, ishte familja shqiptare e sigurt, e paprekshme, e çmuar shumë. Kjo familje sipas mendimit tim po përjeton një krizë të rëndë. E para është e ballafaquar me prostitucionin, me tregtinë e qenieve njerëzore, drogën, me krime të ndryshme, me një agresivitet të veçantë që po ndodh në familje. Para një jave dëgjova në televizion se në 10 muaj janë vrarë 20 gra. Kjo është diçka e papranueshme dhe e palejueshme. Kjo krizë po sjellë që të ndodhë atë që nuk ka ndodhur më përpara. Ka një fajtor për këtë dhe kjo është politika. Sot nuk merret askush me familjen, nuk i kushton njeri vëmendje familjes. Dhe e dyta, agresivitetet që po ndodhin në familje dhe në jetën shqiptare e them me përgjegjësi intelektuale dhe qytetare, si një njeri që ndjek mjetet e informimit, këtë agresivitet e frymëzon edhe Kuvendi i Shqipërisë, një Kuvend ku dëgjojmë shumëçka dhe gjithçka, një Kuvend ku zotëron një gjuhë shumë e vrazhdë, një Kuvend ku dy forca janë shumë të ndara, një Kuvend ku shprehen pasione, mosdurime, urrejtje. Epo thuhet se Kuvendi është një institucion jo vetëm politik por është edhe një institucion pedagogjik dhe moral. Populli i sheh ata njerëz dhe prej tyre do mësojë të mirën dhe të keqen. Nuk do të duhej të ishte kështu. Profesor, Bashkimin e shikoni të afërt, të mundshëm? Si dhe kur duhet të bashkohen dhe a mund të bashkohen Shqipëria dhe Kosova? Unë them se bindja, vetëdija ime historike më thotë se Shqipëria dhe Kosova në mënyrë të pashmangshme do të bashkohen dhe ky bashkim nënkupton të mirën, mundësinë, gjasën për përparim më të madh, për arritje më të mëdha, për jetë më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria dhe Kosova bashkë, me potencialet e tyre, mundësitë e tyre natyrore, njerëzore, do të bënin një shtet me mundësi shumë më të mëdha. Do të bënin sigurisht një shtet të lumtur. Urimin për 100 vjetorin, do ta dërgoni nëpërmjet "Shqip" në Top Channel apo do t'ju shohim në Shqipëri, profesor, për 100 vitet tona të përbashkëta? Unë e di se në shënjimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit modern të Shqipërisë së sotme nuk do të jem në Tiranë. Se ku do të jem, do ta shoh. Por këtë urim e kam per sonte. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur janë krijuar në vitin 1776, u janë dashur 10 vjet që të shkruajnë kushtetutën që çmohet si kushtetuta më e mirë, më demokratike, më humane në botë, iu janë dashur 89 vjet që të ndërpresin robërinë, iu janë dashur 144 vjet që t'i japin të drejtën e votës gruas dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu janë dashur 189 vjet që t'i sigurojnë të drejtat politike, qytetare, të drejtat njerëzore të gjithë nënshtetasve të Amerikës. Amerika është shtet i madh, shtet i përbërë prej racave të ndryshme, kombeve të ndryshme, popujve të ndryshëm dhe kjo zgjatje e këtyre arritjeve të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e kuptueshme. Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët në përgjithësi, jetojnë në një hapësirë që është më e vogël dhe çështjet mund të zgjidhen, synimet, qëllimet mund të realizohen më shpejt. Unë besoj se ato që i dëshiron populli shqiptar do t'i realizoj shumë më shpejt dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, dhe mund të jetë edhe i Maqedonisë perëndimore me Shqipërinë, është një ide e madhe që do realizohet jo shumë larg. E them, e ka dëshmuar historia, se kur një popull dëshiron të bëjë diçka, ai doemos e bën atë që ia ka vënë për qëllim vetes për ta bërë. Populli shqiptar dëshiron të jetojë i bashkuar dhe ashtu do të jetojë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus