Kryesore » 2011 » Shtator » 9 » VV: Imuniteti mos të shërbejë si mburojë
3:32 PM
VV: Imuniteti mos të shërbejë si mburojë
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese në lidhje me imunitetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo lëvizje konsideron se çështja e imunitetit të deputetëve dhe e shtrirjes së këtij imuniteti në kohë dhe hapësirë, është mjaft mirë dhe qartë e rregulluar me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.
Megjithatë Vetëvendosje vlerëson se imuniteti nuk mund të shërbejë si mburojë për ata deputetë që kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe vepra tjera që dëmtojnë rëndë pasurinë dhe shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. 
"Qëllimi i imunitetit të deputetit, sipas mendimit tonë, por edhe sipas praktikave demokratike, është parandalimi i pushtetit arbitrar përmbi deputetin, lirimi i deputetit nga shtrëngesat e mundshme politike dhe, mbi të gjitha, garantimi i hapësirës së domosdoshme politike të deputetit për ta kryer punën e tij të përfaqësimit të interesave dhe vullnetit të qytetarëve, pa qenë objekt i trysnisë politiko-juridike gjatë këtij përfaqësimi”, thuhet në letrën e Vetëvendosjes. "Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje konsideron se esenca e kuptimit të këtij neni konsiston ne atë se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të jenë objekt i ndjekjes penale ose padive civile për shkak të shprehjes së lirë të mendimeve pavarësisht formës dhe, po ashtu, kjo normë kushtetuese u garanton atyre të drejtën që lirisht të votojnë apo mos të votojnë për çdo vendim që merret në Kuvend. Mirëpo, për të gjitha veprimet e tjera të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet, këto dispozita kushtetuese nuk e pengojnë ndjekjen penale nga organet kompetente”, thuhet ndër tjera në letrën e Lëvizjes Vetëvendosje, të nënshkruar nga shefi i Grupit parlamentar i kësaj lëvizjeje Visar Ymeri.

"Përfundimisht, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! konsideron se pavarësisht peshës së veprës penale të kryer nga deputetët, imuniteti i deputetit mund të hiqet vetëm pas respektimit në përpikëri të procedurave të parapara në aktet e sipërcituara dhe pas votimit nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus